Nevojitet një sistem objektiv dhe transparent i financimit të komunave me qëllim të sigurimit të drejtë të mjeteve financiare, që vlen sidomos për komunat më të vogla dhe më të varfra e që në vazhdimësi kanë kapacitete të vogla tatimore, ndërsa kanë nevoja të mëdha financiare
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 21 nëntor – Qeveria ka paralajmëruar se do të ndihmojë punën e të gjitha komunave me qëllim të realizimit të më shumë projekteve zhvillimore dhe kapitale. Kjo do të mundësojë që banorët të fitojnë shërbime më të mira për tatimet që i paguajnë si dhe të informohen për harxhimet e këtyre mjeteve. Këtë ndër të tjera e theksoi kryeministri Zoran Zaev në takimin e fundit me Këshillin Drejtues të Bashkësive të njësive të vetëqeverisjes lokale. Ai paralajmëroi se falja e gjysmës së borxheve të komunave do të stabilizojë kapacitetet zhvillimore të komunave, shkruan gazeta KOHA.
Një pjesë e komunave rurale në Maqedoni që nuk kanë në territorin e tyre administrativ kompani të forta apo biznese që me punën e tyre do të ndihmojnë dhe mbështesin zhvillimin ekonomik të tyre, thonë se përshëndesin masën e fundit qeveritare për faljen e gjysmës së borxheve, por megjithatë kërkojnë që qeveria me masa të veçanta të mbështesë enkas komunat rurale në Maqedoni.
NJË LIGJ I VEÇANTË PËR KOMUNAT RURALE
“Padyshim se është për tu përshëndetur masa e fundit qeveritare për shlyerjen e gjysmës së borxheve të komunave. Megjithatë, nëse flasim vetëm për zhvillimin ekonomik të komunave rurale që në punën e tyre ballafaqohen me problem më të mëdha se komunat e tjera urbane, nevojitet që qeveria të shpallë një Ligj të veçantë për të ndihmuar në mënyrë materiale, enkas komunat rurale që një kohë të gjatë kanë qenë të lëna anash. Ne me buxhetin tonë e kemi të pamundur të realizojmë kërkesat e shumta të qytetarëve nga njëra anë në raport me mundësitë tona shumë të vogla nga ana tjetër”, thotë për KOGHA, kryetari i Komunës së Studeniçanit, Azem Sadiku.
Sipas tij ekzistojnë forma të ndryshme përmes së cilave mund të realizohet ndihma financiare kushtuar në veçanti komunave rurale si përmes agjencive të ndryshme , përmes buxhetit të shtetit etj.
“Ne kemi projekte të ndryshme të gatshme për vendbanimet malore, që do të përmirësonin jetesën e banorëve të kësaj ane, por nuk kemi mundësi financiare për shembull të ndërtojmë rrugën Koliçan i epërm deri në Kitkë e vlefshme një milion euro. Ndërtimi i saj do të mundësonte ngritjen e një qendre rekreative në këtë zonë, do të zbuste dhe ndalte emigrimin e popullatës , do të krijonte kushte edhe për zhvillimin më të madh të blegtorisë e kështu me radhë”, thekson Sadiku.
Nga ana tjetër, nga Komuna e Likovës gjithashtu kërkojnë një mbështetje më të madhe për zhvillimin e komunave rurale dhe ndarjen reale të mjeteve buxhetore prej afër 80 milion euro.
“Komunat rurale kanë nevojë që në praktikë të zbatohet dhe realizohet Ligji për Zhvillim të Barabartë Rajonal që obligon edhe në aspekt ligjor ndarjen e 1 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto për komunat në tërë Maqedoninë, ku shpesh ndodh që një komunë për një vit të fitojë 300 mijë euro, ndërsa vitin tjetër të fitojë shumë më pak. Andaj këto mjete duhet të ndahen në mënyrë më transparente”, thotë për KOHA, kryetari i Likovës, Erkan Arifi.
Sipas tij, Qeveria nevojitet të mbështesë më shumë komunat rurale edhe në realizimin e projekteve më të mëdha kapitale për shkak se në kuadër të komunave rurale nuk punojnë kapacitete të mëdha industriale, si përkrahës dhe mbështetës të zhvillimit lokal ekonomik.
Në ndërkohë, kryetarët e komunave në Maqedoni në vazhdimësi në vitet e kaluara ankohen se jostabiliteti financiar i komunave në shtet ndërlidhet në një pjesë të madhe me decentralizimin fiskal të ngadalshëm në vend.
KËRKOHET RRITJA GRADUALE E TË ARDHURAVE PËR KOMUNAT
Kryetarët e komunave të organizuara në BJNVL, thonë se në vitet e kaluara është minimizuar procesi i decentralizimit, dhe kërkojnë të sigurohet pavarësi më e madhe e komunave ngjashëm me komunat evropiane. Gjithashtu, komunat kërkojnë edhe rritjen e bllok dotacioneve për realizimin cilësor të kompetencave të ndryshme
“Nevojitet një sistem objektiv dhe transparent i financimit të komunave me qëllim të sigurimit të drejtë të mjeteve financiare , që vlen sidomos për komunat më të vogla dhe më të varfra , që në vazhdimësi kanë kapacitete të vogla tatimore, ndërsa kanë nevoja të mëdha financiare. Njëherazi kërkohet edhe rritja graduale e të ardhurave për komunat nga Tatimi i Vlerës së shtuar nga 4.5 për qind në 10 për qind si dhe rritje e tatimit personal nga 3 në 50 për qind”, thonë nga BNJVL.
Sipas tyre, duhet që edhe që edhe tatimi mbi lojërat e fatit dhe automatet të jetë e hyrë e komunave, ndërsa shkalla e tatimit të pronës, si tatim lokal më i sigurt dhe më i drejtë, të rritet në etapa nga 0.10 për qind – 0.20 për qind në 0.40 për qind – 0.50 për qind.
Nga atje shtojnë se pjesa më e madhe e të ardhurave të komunave, apo më shumë se 60 për qind vijnë nga transferet e pushtetit lokal, që sipas kryetarëve të komunave paraqet bazë për të rrezikuar pavarësinë, andaj një gjë e tillë nevojitet të ndryshohet sa më shpejt.
Nga BNJVL thonë se edhe pse në vitet e fundit është bërë progres i caktuar në pushtetin lokal, ato vlerësojnë se kjo nuk është e mjaftueshme dhe e kënaqshme, që decentralizimi i pushtetit në vitet e fundit është lënë pas dore dhe harruar, dhe për shkak të kësaj kryekomunarët konsiderojnë se reforma e sistemit të vetëqeverisjes lokale duhet të vazhdojë dhe përsëri të jetë një nga prioritetet kryesore të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë .
Meqenëse që nga fillimi i decentralizimit kanë kaluar më shumë se 12 vite, duhet të bëjmë një analizë të plotë të efekteve të reformës së sistemit të vetëqeverisjes lokale me fakte dhe argumente për të përcaktuar nëse koncepti ekzistues i pushtetit lokal ka dhënë rezultatet e pritura, për të gjetur dobësitë në mënyrë që të gjendet zgjidhje më e përshtatshme dhe anët e mira për tu përforcuar edhe më tej.
DECENTRALIZIMI FISKAL, I DOMOSDOSHËM
“Nevojitet të krijohet praktikë e rregullt e mbajtjes së takimeve tremujore në mes Kryeministrit dhe ministrave, ministritë e të cilëve transferojnë bllok dotacione, dotacione me dedikim dhe dotacione kapitale për komunat nga njëra anë dhe udhëheqësish së BNJVL- së në emër të komunave dhe të Qytetit të Shkupit në anën tjetër, në të cilat takime do të analizohen rezultatet dhe do të përcaktohen prioritetet dhe zgjidhjet e problemeve”, vlerësojnë nga BNJVL.
Për shkak se Republika e Maqedonisë akoma është një ndër shtetet evropiane më të centralizuara, komunat kërkojnë që të rishqyrtohet sistemi i financimit të tyre dhe realisht të kryhet decentralizimi fiskal me qëllim të krijimit të sistemit financues më objektiv, më të drejtë dhe më transparent për komunat. Nevojitet edhe një sistem përkatës për financimin e barazuar për komunat me qëllim që të sigurohen mjaftueshëm mjete për komunat të më të vogla dhe më të varfra, të cilat vazhdimisht kanë kapacitete të vogla tatimore kundrejt nevojave të mëdha financiare. Prandaj para së gjithash nevojitet që të definohen nevojat shpenzuese në bazë të normave shpenzuese për klient.
Gjithë qytetarët kanë të drejtë për ofrim të shërbimeve me cilësi minimale pa marrë parasysh nëse jetojnë në komuna të varfra ose të pasura, të mëdha ose të vogla dhe urbane ose rurale. Kërkohet edhe ngritja e fondeve kofinancuese për projekte specifike, si edhe sigurimi i mjeteve financiare për pjesëmarrje vetjake të komunave në financimin e projekteve nga fondet paraqasëse të BE, shtojnë nga BNJVL. (koha.mk)