Shteti nuk po respekton obligimin ligjor që për zhvillimin e barabartë rajonal, të ndahet 1 për qind nga Prodhimi i Brendshëm Bruto nga arka e buxhetit shtetëror , tregojnë kontrollet e Entit të Revizionit
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 25 shkurt – Shteti nuk po respekton obligimin ligjor që për zhvillimin e barabartë rajonal të ndahen një për qind nga Prodhimi i Brendshëm Bruto nga arka e buxhetit shtetëror , tregojnë kontrollet e Entit të Revizionit. “Për vitin 2018 për nxitjen e zhvillimit barabartë rajonal nga buxheti janë ndarë 327 milionë denarë, prej të cilave 117 milionë denarë për Byronë për Zhvillim Rajonal dhe 210 milionë denarë për Ministrinë e Pushtetit Lokal. Një mënyrë e tillë e ndarjes së mjeteve nuk është përputhje me nenin 27 paragrafin 2 nga Ligji për zhvillim të barabartë rajonal që parashikon ndarjen e një për qind të PBB-së nga buxheti shtetëror”, konstaton analiza e revizionit, në të cilën precizohet se duke marrë parasysh se në vitin 2016, PBB ka qenë 598.8 miliardë denarë, atëherë për vitin 2018 do të duhej të ndahet 5.9 miliardë denarë apo afër 100 milionë euro në vend se 327 milionë denarë që është 0.05 për qind e PBB dhe është nën limitin e përcaktuar ligjor. Njëherësh edhe në revizionin për vitin 2016, është konstatuar se nuk respektohet obligimi ligjor për ndarjen e afër 100 milionë euro për zhvillim të barabartë rajonal.
“Nëse merret parasysh se mjetet për zhvillim të parashikuara në programet e sektorëve të ndryshëm të shfrytëzuesve të tjerë buxhetorë , ndoshta përqindja do të jetë e përafërt, por duhet marrë parasysh se shpërndarja e mjeteve nuk po realizohet sipas Ligjit për zhvillim të barabartë rajonal dhe shkallë të zhvillimit të rajoneve të ndryshme, apo thënë ndryshe nuk po respektohet principi i “barabarësisë gjatë shpërndarjes së mjeteve në të gjitha rajonet si dhe mungon qasja për mënyrën e realizimit të tyre”, thekson më tej analiza e Entit për revizion. Nga atje potencojnë se një ndarje e tillë e mjeteve nuk mundëson realizimin e masave dhe instrumenteve të orientuara ndaj zvogëlimit të dispariteteve rajonale dhe realizimit të zhvillimit rajonal dhe të qëndrueshëm në Maqedoninë e Veriut. Në ndërkohë, ekspertët ekonomik thonë se politikat e zhvillimi të barabartë rajonal duhet të rivlerësohen për shkak se ato kanë arritur përparim të caktuar, mirëpo siç theksojnë edhe analizat e institucioneve siç është ai Revizionit tregon se nuk kemi rezultate të kënaqshme nga realizimi i programeve për zhvillim të barabartë rajonal.
Sipas profesorit universitar, Borçe Trenovski, të dhënat për vitet e kaluara tregojnë se më shumë se gjysma e investimeve janë realizuar në rajonin më të zhvilluar të Shkupit,shtimi natyror apo nataliteti është negativ në shumicën e rajoneve etj.
“Zgjidhjen ligjore për ndarje të 1 për qind të PBB për të mbështetur zhvillimin e barabartë rajonal nga Buxheti në vit, Qeveria e interpreton në atë mënyrë duke orientuar të gjitha mjetet buxhetore nga ministritë e ndryshme dhe agjencitë që kanë ndonjë lidhje me zhvillimin rajonal, por jo konkretisht me zhvillimin e barabartë rajonal. Andaj për të arritur zhvillimi rajonal të barabartë, duhet të ndiqet metodologjia aktuale ose të propozohet metodologji e re për ndarje të mjeteve buxhetore, ku mjetet prej një për qind do të ndahen sipas proporcionit adekuat që del nga shkalla e zhvillimit të secilit prej rajoneve planore”, thekson ai.
Nga ana tjetër, janë paralajmëruar edhe ndryshime në Ligjin për zhvillim të barabartë rajonal që duhet të kontribuojnë për ndarje të barabartë të mjeteve nga arka e shtetit në të tetë rajonet në shtet. Nga Ministria e Pushtetit lokal kohë më parë kanë paralajmëruar se ndryshimet ligjore do të sjellin më shumë para dhe shpërndarje më të mirë të mjeteve financiare. Pritet që për dallim prej përvojave të deritanishme ku vetëm dikasteri i pushtetit lokal merrte pjesë dhe mbante llogari për zhvillimin e barabartë rajonal, në të ardhmen edhe ministritë e tjera gjatë investimit në pjesë të ndryshme të vendit të kenë më shumë kujdes për zhvillimin e barabartë rajonal. Me fjalë të tjera parashikohet një metodologji e re sipas së cilës e edhe ministritë e ndryshme do të investojnë mjetet sipas nevojave dhe kërkesave të tetë rajoneve në shtet.
Në ndërkohë, me Programin e zhvillimit të Barabartë Rajonal për vitin 2020 janë ndarë 560 milionë denarë që paraqet një rritje në raport me 412 milionë denarë në vitin 2019, ndërsa ky proces po mbështetet edhe me projekte të ndryshme të Ministrisë së Transportit si ujësjellës dhe kanalizime , po realizohet projekti i gazifikimit ,po ndërtohen rrugë lokale dhe të tjera, si dhe po ndërtohen dhe riparohen shkolla nga Ministria e Arsimit, apo po ndërtohen dhe rikonstruohen edhe spitale nga arka e Ministrisë së Shëndetësisë. Gjithashtu, shteti ju fali komunave borxhe prej 120 milionë euro, ndërsa Ministria e Bujqësisë përmes programit për zhvillim rajonal po investon me dhjetëra milionë euro në përmirësimin e kushteve për jetesë në vendbanimet rurale, etj, mirëpo mungon një llogaridhënie më e qartë se si po harxhohen këto mjete në favor të zhvillimit edhe të rajoneve më pak të zhvilluara. Ndryshe, në të ardhmen sfidë do të mbetet edhe decentralizimi i mëtejshëm, kalimi i më shumë ingerencave apo kompetencave nga pushteti qendror në pushtetin lokal si dhe ndarja e më shumë të hollave të tatimeve për komunat. (koha.mk)