Qeveria vitet e fundit ka investuar më shumë mjete dhe ka realizuar më shumë projekte në këtë drejtim, mirëpo mbetet të zgjerohen kompetencat e komunave në kulturë, shëndetësi, arsim, mbrojtjen sociale, si dhe të rritet ndarja e kulaçit financiar
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 10 shkurt – Zhvillimi i barabartë rajonal në Maqedoninë e Veriut po shënon përmirësim në kohën e fundit, megjithatë mbeten akoma shumë punë për të bërë në favor të kësaj çështje. Sipas kryetarit të Rajonit planifikues të Shkupit, Boris Georgievski dhe njëherësh kryetarit të komunës së Gazibabës, Qeveria në vitet e fundit ka investuar më shumë mjete dhe ka realizuar më shumë projekte në këtë drejtim, mirëpo sipas tij mbetet që të zgjerohen kompetencat e komunave në fusha të ndryshme si dhe të rritet ndarja e kulaçit financiar për ta.
“Qeveria së fundi më mbështetur me më shumë masa zhvillimin e barabartë rajonal, mirëpo mbetet në të ardhmen që komunat të fitojnë më shumë kompetenca dhe të realizohet decentralizimi i mëtejshëm në pjesën e menaxhimit të shëndetësisë, menaxhimin e tokës, mbrojtjes sociale, kulturës etj. Kjo kërkon edhe zgjerimin e burimeve financiare për komunat”, thotë Georgievski. Sipas tij, qeveria ka kthyer për shembull në kompetencë të komunave Karposh dhe Kumanovë, qeverisjen me sallat e sportit partizan, mirëpo mbetet që edhe më tej të bisedohet për sigurimin e mjeteve shtesë për të realizuar një zhvillim më të madh barabartë rajonal në tërë vendin. Ai i bëri këto komente në ciklin e dytë “Për zhvillim inkluziv të barabartë rajonal“, që u mbajt të premten në Shkup në prani të përfaqësuesve të të gjitha komunave Rajonit të Shkupit. Projekti që financohet me 2.7 milionë euro nga Agjencia zvicerane për zhvillim dhe pjesërisht me bashkëfinancim vendor, ka për qëllim të ndihmojë zhvillim inkluziv dhe të qëndrueshëm të barabartë rajonal.
Kohë më parë ministri i pushtetit lokal, Goran Milevski theksoi se po punohet në përgatitjen e dokumenteve të reja strategjike për zhvillimin e barabartë rajonal. “Për fat të keq edhe pas më shumë se dhjetë vitesh të realizimit të politikës për zhvillim të barabartë rajonal, akoma dallimet zhvillimore janë të mëdha. Kjo vlen jo vetëm për rajonet, por edhe brenda rajoneve midis komunave dhe vendbanimeve. Po përgatitet edhe strategji e re për zhvillim rajonal, ndërsa të gjitha rajonet duhet të jenë konkurruese për projekte dhe investime të reja”, thotë Milevski. Strategjia synon të definojë dhe përfshijë sa më shumë mjete financiare për zhvillim rajonal nga ministritë dhe dikasteret e tjera, ndërsa shpërndarja e tyre ndaj tetë rajoneve pritet të jetë e balancuar, dhe e drejtë përmes vendosjes së sistemit elektronik të ndjekjes dhe planifikimit të mjeteve. Njëherësh strategjia e re në periudhën dhjetëvjeçare pritet të sigurojë më shumë shërbime për qytetarët si shkolla, çerdhe rrugë, ujë dhe kanalizim, menaxhimin e mbeturinave , punësime të reja e kështu me radhë.
Në ndërkohë, projekti zviceran do të ndihmojë që përmes zgjidhjes softuerike apo sistemit për koordinim në planifikim, realizim, monitorim dhe evaluim të politikave për zhvillim të barabartë rajonal të zvogëlohen dallimet midis dhe në kuadër të tetë rajoneve planifikuese duke krijuar kushte më të mira për jetesë për qytetarët. Pra, zgjidhje softuerike në fund të çdo viti do të ofrojë pasqyrë të saktë për investimet të realizuara nga ana e çdo institucioni shtetëror. Në periudhën e kaluar përmes projektit në fazën e parë, për zhvillim të qëndrueshëm inkluziv dhe të barabartë rajonal në fazën e parë të projektit janë mbajtur konferenca ndërkombëtare në të gjitha tetë rajonet. Rëndësia më e madhe e konferencave të tilla është prezenca në një vend e faktorëve të ndryshëm nga sektori joqeveritar, privat dhe nga administrata publike.
Nga ana tjetër si pjesë e projekteve të financuara nga projektet investuese “ Kënd lojërash inkluziv për fëmijët”, në shtatë nëntor të viti të kaluar është lëshuar në përdorim në komunën e Karposhit. Idea ishte që të ndërtohet një kënd lojërash me hapësirë prej 450 metra katror i pajisur me rekuizita i adaptuar për fëmijët me nevoja të posaçme. Projekti është financuar nga ana e Agjencisë zvicerane të zhvillimit, Ministria e Pushtetit Lokal dhe Komuna e Karposhit.
Në Shkollën fillore “Krste Misirkov“ në Kumanovë po financohet projekti i klasave të mençura për shfrytëzimin më të madh të teknologjisë informatike me një buxhet prej 2.097.820 denarë, si pjesë e projekteve në Rajonin Verilindor. Në rajonin e Vardarit do të zgjerohet oferta turistike përmes ndërtimit të platformës për paraglajderizëm dhe blerjes së pajisjes në Kanjonin e Demir Kapisë. Projekti do të financohet me 2.096.166 denarë. Në rajonin Jugperëndimor do të bëhet vizuelizimi i atraksioneve turistike. Partnerë në këtë projekt janë komunat e Dibrës, Makedonski Brodit, Vevçanit, dhe Debërcës. Kostoja do të jetë 2.119.842 denarë, ndërsa do të mundësojë vendosjen e info-pikave, si dhe përgatitjen e teksteve dhe fotografive për atraksionet turistike në këto katër komuna.
Në rajonin e Pollogut me 2.101.801 denarë do të adaptohen shkollat në vendbanimet rurale për kabinete trajnimi për kuzhinierë. qëllimi është të rriten shërbimet në kapacitetet prodhuese, ndërsa trajnimet do të mund ti vijojnë të papunët dhe të punësuarit në objektet hotelerike. Në rajonin e Pellagonisë me 2 milion denarë do të financohen projektet për zhvillimin e turizmit aventurier apo do të hapet parku i adrenalinës. Në komunat e Shtipit, Delçevës dhe Koçanit me po të njëjtën shumë do të financohet “klasat me senzorë”, që do të mundësojnë integrimin më të madh të fëmijëve me pengesa në zhvillim në sistemin arsimor dhe në shoqëri. Në rajonin Juglindor do të ndërtohen stacionet agrometeorologjike për mbrojtjen e kulturave bujqësore dhe ambientit.
PROJEKTET NË RAJONIN E SHKUPIT
Në muajin prill të vitit të kaluar me marrëveshjen midis qeverisë, Qendrës për zhvillim rajonal të Shkupit dhe Ministrisë së pushtetit lokal janë parashikuar të realizohen projektet si rikonstruimi i rrugës rajonale Hipodrom-Ilinden në komunat e Gazibabës dhe Ilindenit. Rikonstruimi i rrugës Rilski kongres në lokalitetin Tasino Çesmiçe në komunë Qendër, përgatitja e dokumentacionit teknik për furnizimin e komunës së Haraçinës, përgatitja e dokumentacionit teknik për rikonstruimin dhe zgjerimin e rrugës 2,3 dhe një pjesë të vendbanimit Shuto Orizari, ndërtimi i mureve mbrojtëse dhe pllakave në gjatësi prej 100 metrash dhe zgjerimi i pjesërishëm i kanalit në fshatin Singjeliq në komunë e Gazibabës si pjesë e parë e projektit dhe përgatitja e dokumentacionit teknik me revizion për komunat e Çairit dhe Sarajit. (koha.mk)