Zhvillim të dukshëm gjatë viteve 1969-1974 pati edhe në shkollimin e mesëm. Gjatë asaj periudhe kohore u hapën një numër i konsiderueshëm i paraleleve shqipe, si në gjimnaze, po ashtu edhe në ato teknike, përkatësisht profesionale. Duhet theksuar, se për realizimin e politikës së përcaktuar sa i përket çështjes së arsimit të mesëm me mësim në gjuhën shqipe, udhëheqja politike e Maqedonisë, hasi në shumë probleme e kundërthënie nga strukturat politike komunale
Nga Qerim LITA
(vijon nga dje)
Në fund të mbledhjes u sollën Konkluzionet të titulluar: “Çështja aktuale në realizimin e politikës së barazisë të kombësive në RSM-ë dhe aksioni ideopolitik i LKM-së”. Lidhur me marrëveshjet e arritura ndërmjet redaksive të “Rilindjes” dhe “Flakës së Vëllazërimit”, përkatësisht revistës “Jehona” dhe “Përparimi”, në to thuhej shprehimisht:
“…LKM-ë gjithmonë i ka pas parasysh rreziqet nga mbyllja në suaza të ngushta nacionale për zhvillimin politik, ekonomik dhe kulturor të çdo bashkësie kombëtare. Në momentin e tanishëm, shprehje e posaçme e tendencave të tilla janë ato tendenca, që përpiqen për lidhjen vertikale të institucioneve kulturore e tjera të kombësive – pakicave nacionale, si edhe për krijimin e qendrës së vetme ‘politike’, përkatësisht ‘kulturore’ të të gjithë shqiptarëve në Jugosllavi. Duke bërë përpjekje për një bashkëpunim të gjithanshëm kulturor etj., si nevojë normale të një kombësie – pakice nacionale, që jeton në territorin e republikave të veçanta, LKM-ë njëkohësisht mendon se këto tendenca fshehin në vete rreziqe të shumta për vetë kombësinë shqiptare – pakicën nacionale, për marrëdhëniet e gjëra në vendin tonë dhe jashtë tij, që njëkohësisht janë në kundërshtim me marrëdhëniet vetëqeverisëse në shoqërinë tonë socialiste. Kufijtë republikan, në kushtet tona, sipas rregullit, janë edhe kufi kombëtarë, që mosmbajtja llogari për pavarësinë e republikës nuk mundet e të mos shkaktojë konflikte të panevojshme…”.
ZHVILLIMI I ARSIMIT DHE I KULTURËS SHQIPTARE 1969-1974
-Përkundër fushatës së madhe që u zhvillua gjatë viteve gjashtëdhjeta nga ana e organeve të LKM-së, si dhe organizatave shoqërore-politike, për përmirësimin e gjendjes së arsimit fillor si dhe atij të mesëm në gjuhën shqipe, statistikat zyrtare tregonin se nuk ishte arritur ndonjë sukses i duhur, sidomos në arsimin e mesëm. Në vitin shkollor 1968/69, numri i përgjithshëm i nxënësve shqiptarë nëpër shkollat e mesme në RS të Maqedonisë arrinte mbi 2.600. Kjo nënkuptonte se numri i nxënësve shqiptarë ishte rritur për disa herë më shumë, krahasuar me vitet e mëhershme. Mirëpo, nëse numrin e nxënësve shqiptarë në shkollat e mesme e krahasojmë me numrin e banorëve do të shihet se struktura e nxënësve shqiptarë ishte e pavolitshme krahasuar me numrin e përgjithshëm të banorëve. Sa për ilustrim po i referohemi raportit të Komisionit të Kuvendit të RSM-së, të vitit 1970, ku thuhej se në atë vit shkollor në “RS të Maqedonisë, në 25 banor pati 1 nxënës”, ndërsa kjo “te kombësia shqiptare në 69 banorë përfshihej 1 nxënës”. Raporti e përshkruante edhe gjendjen e arsimit të lartë, përkatësisht numrin e studentëve shqiptarë e turk nëpër fakultetet e Universitetit të Shkupit, si dhe në Akademinë Pedagogjike, ku thuhej:
-“Në vitin 1969/70 në republikën tonë ka gjithsej 25.890 studentë, prej të cilëve 963 janë shqiptarë dhe 156 turq. Në vitin e njëjtë në Akademitë Pedagogjike ka 2.864 studentë, prej tyre 574 shqiptarë dhe 54 turq…. Në Fakultetin Filozofik, në kuadër të Katedrës për gjuhët e sllavëve të jugut dhe gjuhës shqipe, funksionon Seminari për gjuhë dhe letërsi shqipe, i cili përfshinte veprimtarinë shkencore të kësaj fushe dhe ka për detyrë t’i ndihmoj veprimtarisë mësimore për gjuhë dhe letërsi shqipe dhe ta furnizoj me literaturë të ndryshme”.
-Nisur nga një gjendje e tillë faktike në terren, Komisioni vlerësonte se për realizimin e barazisë së arsimit e të kulturës shqiptare me atë maqedonase, duhej të ndërmerreshin disa masa urgjente, edhe atë:
-1. Të sigurohej përfshirja e tërësishme të fëmijëve nga kombësia shqiptare e turke dhe të grupeve tjera etnike në shkollimin fillor dhe të bëhen përpjekje që përqindja e përfshirjes të këtyre nxënësve të barazohet me përqindjen e përfshirjes të gjeneratave me mësim në gjuhën maqedonase.
-2. Mospërfshirja e nxënësve në shkollat fillore të zvogëlohet deri te kufijtë real dhe të rritet përqindja e nxënësve që kryejnë shkollimin tetëvjeçar. Për këtë qëllim të bëhet vlerësimi i plotë i realizimit të deritanishëm të Konkluzioneve të Kuvendit të RSM-së lidhur me mospërfshirjen e nxënësve në shkollimin fillor.
– 3. Duhet bërë çmos për përmirësimin të strukturës kualifikuese të kuadrit arsimor që e zhvillon mësimin në shkollat fillore (posaçërisht atë lëndor).
– 4. Në shkollimin e mesëm duhet të bëhen përpjekje të rritet perimetri i gjeneratave, e veçmas të përshpejtohet përmirësimi i strukturës së nxënësve në favor të profesioneve teknike. Për këtë qëllim duhet angazhim të veçantë.
– 5. Rrjeti në shkollat e mesme (paraleleve) në të cilat mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe e turke duhet të përputhet me nevojat të zhvillimit shoqëror. Zgjerimi i mëtutjeshëm i tij duhet të përputhet me nevojat, interesit të shkollimit të nxënësve dhe të kritereve tjera materiale e pedagogjike.
– 6. Në Akademinë Pedagogjike në Shkup të bëhen përpjekje për t’u rikompletuar grupet për arsimimin e kuadrit për mësimin klasor e lëndor në shkollat me mësim në gjuhën shqipe e turke.
-7. Struktura e studentëve duhet të ndryshohet më shpejtë në pikëpamjen e mësimit të shkencave natyrore e teknike.
– Siç do të shohim në vazhdim, propozimet e më sipërme të Komisionit, do të merren seriozisht nga organet partiake e shtetërore republikane, sepse së shpejti, përkatësisht nga viti shkollor 1969/70, u ndërmorën disa hapa konkrete për përmirësimin e pozitës së përgjithshme të arsimit me mësim në gjuhën shqipe, duke filluar nga ai fillor e deri te arsimi i lartë.
– Ndër problemet më të mëdha në arsimin fillor me mësim në gjuhën shqipe ishte mosvijimi i mësimit të një numri i madh të fëmijëve, dukuri e cila më së shumti shprehej në ciklin e lartë, përkatësisht nga klasa e V deri të VIII. Nga të dhënat që dalin nga Sekretariati për arsim, shkencë dhe kulturë të RS të Maqedonisë, ky problem dukshëm do të përmirësohet në vitet e ardhshme shkollore. Përderisa në vitin shkollor 1967/68 numri i përgjithshëm i nxënësve shqiptarë në shkollimin fillor ishte 43.735, ky numër në vitin shkollor 1971/72 arriti shifrën prej 54.801 nxënës.
Duhet të vihet në dukje se rritja e përfshirjes së nxënësve shqiptarë në shkollimin e obliguar tetëvjeçar, erdhi edhe për shkak hapjes së shkollave, sidomos të tetëvjeçareve, në disa vendbanime ku deri në atë kohë ose nuk figuronin, ose pati vetëm shkollë katërvjeçare. Një politikë e tillë, ndikoi pozitivisht që nxënësit e gjinisë femërore në vendbanimet ku u hapën tetëvjeçaret, ta vijojnë mësimin edhe në ciklin e lartë, përkatësisht nga klasa e V deri të VIII.
– Numri i shkollave fillore me mësim në gjuhën shqipe, si dhe numri i nxënësve të përfshirë në ato shkolla për çdo vit rritej. Kështu në vitin shkollor 1974/75, në RS të Maqedonisë pati gjithsej 297 shkolla ku mësimi zhvillohej në gjuhën shqipe me 2.111 paralele dhe 64.919 nxënës. Në këto shkolla punonin 2.508 arsimtarë.
– Një çështje tjetër që pengonte zhvillimin normal të arsimit fillor në gjuhën shqipe ishte mungesa e librave shkollor. Të dhënat statistikore tregojnë se në RS të Maqedonisë nga viti 1946 e deri në vitin 1970, gjithsej ishin botuar 122 tituj të librave shkollor në gjuhën shqipe, prej të cilave 45 origjinale dhe 77 të përkthyera, me një tirazh prej 1.023.600 ekzemplarë. Nga kjo del se për shkollat me mësim në gjuhën shqipe mesatarisht ishin botuar 5,08 tituj në vit. Periudha më e frytshme ishte ajo viteve 1966-1970, ku gjithsej ishin botuar 50 tituj (24 origjinal dhe 26 përkthime), që mesatarisht janë botuar 10 tituj të librave. Një dukuri tjetër është ajo se thuajse dyfish më i madh ishte numri i librave të përkthyera nga gjuha maqedonase në gjuhën shqipe se sa librat origjinale.
Zhvillim të dukshëm gjatë viteve 1969-1974 pati edhe në shkollimin e mesëm. Gjatë asaj periudhe kohore u hapën një numër i konsiderueshëm i paraleleve shqipe, si në gjimnaze, po ashtu edhe në ato teknike, përkatësisht profesionale. Duhet theksuar, se për realizimin e politikës së përcaktuar sa i përket çështjes së arsimit të mesëm me mësim në gjuhën shqipe, udhëheqja politike e Maqedonisë, hasi në shumë probleme e kundërthënie nga strukturat politike komunale. Një problem i tillë doli në sipërfaqe në Tetovë, ku udhëheqja e LKM-së e kësaj komune, pati një qëndrim tepër arrogant, ndaj një shkrimi të korrespodentit të gazetës prishtinase “Rilindja”, Rexhep Zllatku, me titull “Një vendim i padrejtë”, që gazeta në fjalë e botoi më 11 gusht 1970, ku veç tjerash Zllatku kritikonte Kuvendin Komunal të Tetovës, lidhur me konkursin të shpallur kohë më parë nga ana e asaj komune për regjistrimin e nxënësve në shkollat e mesme ku, sipas autorit, “numri i paraleleve me mësim në gjuhën shqipe” ishte tepër i kufizuar dhe i njëjti nuk “korrespondonte me kërkesat reale të nxënësve shqiptarë”.
– Tre ditë pas këtij shkrimi, mbledhje urgjente mbajti Komiteti Komunal i LKM-së për Tetovë, në të cilën u dhanë vlerësime shumë të ashpra kundër Rexhep Zllatkut. Disa nga diskutuesit shkuan aq larg, saqë kërkuan ai të “paditet penalisht”. Në fund të mbledhjes u sollën konkluzionet me këtë përmbajtje:
– “Nga ana e Këshillit për arsim të jepet përgjigje të shkruar; gazeta ‘Nova Makedonija’ të ofroj pasqyrë më të gjerë për zhvillimin e arsimit në territorin e Komunës së Tetovës; ‘Flaka e Vëllazërimit’ të jep komentin e vet me çka do të demantohet shkrimi i Rexhep Zllatkut dhe i njëjti të botohet edhe në ‘Nova Makedoni’; të njoftohet shoqata e gazetarëve në Maqedoni; shkollat që janë përfshi në shkrim, në fillim të vitit shkollor të deklarohen publikisht për problemin e regjistrimit për nxënësit në shkollat e mesme; të gjitha organizatat shoqërore-politike të distancohen nga gazetarët, të cilët paraqiten me shkrime tendencioze dhe me përmbajtje shoviniste; disa funksionar të kombësisë shqiptare të shkruajnë për të arriturat e komunës në më shumë gazeta etj.”.
– Përderisa udhëheqja komunale e LKM-së së Tetovës pati një vlerësim të tillë ndaj shkrimit të Rexhep Zllatkut, në anën tjetër, Sekretariati i KQ të LKM-së, pati një qasje krejtësisht të kundërt. Në mbledhjen e 1 shtatorit të vitit 1970, sekretari Sllavko Millosavlevski, pasi i informoi të pranishmit për gjendjen në shkollat e mesme në Komunën e Tetovës, si dhe për shkrimet e Rexhep Zllatkut në “Rilindja”, u morr qëndrimi që për këtë çështje të “zhvillohet bisedë me sekretarin e Komitetit Komunal të LKM-së – Tetovë” si dhe “të hulumtohen mundësitë për hapjen e dy paraleleve të reja në gjuhën shqipe në gjimnazin e Tetovës”.
– Në fakt, problemi më i madh në këtë komunë ishte gjimnazi “Kiril Pejçinoviq”, ku siç do të shohim në vazhdim, pati dallime të mëdha në numrin e nxënësve midis paraleleve shqipe me ato maqedonase e turke. Përderisa mesatarja e një paralele me mësim në gjuhën shqipe ishte 40 nxënës, kjo te paralelet maqedonase nuk shkonte më shumë se 30 nxënës, ndërsa te ato turke 11 – 16 nxënës. Ja se si ishte gjendja faktike në vitin shkollor 1970/71, në Gjimnazin “Kiril Pejçinoviq” në Tetovë:
Gjithsej 1.230 nxënës të shpërndarë në 41 paralele, edhe atë: 19 paralele në gjuhën maqedonase, prej të cilave 4 në vitin e parë me 120 nxënës, 5 në vitin e dytë me 140 nxënës, 5 në vitin e tretë me 145 nxënës dhe 5 paralele në vitin e katërt me 130 nxënës; 20 paralele në gjuhën shqipe, prej të cilave 5 në vitin e parë me 200 nxënës, 6 në vitin e dytë me 200 nxënës, 5 në vitin e tretë me 140 nxënës dhe 4 në vitin e katërt me 125 nxënës: 2 paralele me mësim në gjuhën turke, prej të cilave një në vitin e parë me 16 nxënës dhe një në vitin e dytë me 11 nxënës.
– Shkollimi i mesëm në gjuhën shqipe hasi në probleme të shumta edhe në Komunën e Kumanovës. Ky problem në atë komunë, siç vuri në dukje Arif Arifi në mbledhjen e 21 të KQ LKJ-së: “zhargitej tash më 12 vite”, prandaj, sipas tij, revolta e shqiptarëve ishte e arsyeshme “edhe nga njohuritë se dikush dëshiron që ata njerëz, ata fëmijë t’i le analfabetë…”.
Përkundër, këtyre pengesave që dolën në sipërfaqe në fillim të viteve shtatëdhjeta, çështja e arsimit të mesëm me mësim në gjuhën shqipe, pati një zhvillim të konsiderueshëm, jo vetëm nëpër gjimnaze, por edhe në shkollat teknike e profesionale. Në vitin shkollor 1973/74 paralele me mësim në gjuhën shqipe në RS të Maqedonisë pati në 6 shkolla profesionale me gjithsej 748 nxënës, ndërsa në vitin e ardhshëm shkollor në 17 shkolla, në të cilat funksiononin 70 paralele me mësim në gjuhën shqipe me 2.089 nxënës. Rritje të numrit të nxënësve në atë vit shkollor u shënua edhe nëpër gjimnaze, ku nga 2.539 nxënës që pati në vitin shkollor 1973/74, ky numër në vitin shkollor 1974/75 arriti shifrën prej 3.250 nxënës.
– Zhvillime pozitive në këtë kohë vërehen edhe në arsimin e lartë. Kështu, në vitin akademik 1969/70 në Akademinë Pedagogjike të Shkupit funksiononin gjashtë grupe mësimore më mësim në gjuhën shqipe, edhe atë: gjuhë dhe letërsi shqipe, histori gjeografi, biologji-kimi, fizikë-kimi, matematikë-fizikë dhe grupi klasor. Një vit më vonë, përkatësisht në vitin akademik 1971/72 në Fakultetin Filozofik në Shkup u hapë Katedra e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe. Si rrjedhojë e një politike të tillë, në Akademinë Pedagogjike të Shkupit, vetëm në vitet akademike 1969/70, 1970/71 dhe 1971/72 në të gjitha grupet diplomuan 213 studentë shqiptarë. Përveç kësaj, në krijimin e kuadrit të mirëfilltë shqiptar ndikoi edhe hapja e Universitetit të Prishtinës në vitin akademik 1969/70, ku sipas disa të dhënave arkivore, deri në vitin 1972 në të studionin 600- 700 studentë shqiptarë nga RS e Maqedonisë.
Zhvillimi i kulturës shqiptare ishte e garantuar me dispozitat kushtetuese, ku në nenin 73 të Kushtetutës së RSM-së thuhej: “Çdo kombësie i garantohet e drejta e përdorimit të lirë të gjuhës së vet, ta shpreh dhe zhvillojë kulturën e vet dhe të themelojë institucione dhe organizata që ua sigurojnë këto të drejta”.
– Mbështetur në këtë drejtë, në fillim të viteve shtatëdhjeta në RS të Maqedonisë funksiononin disa institucione, përmes të cilave popullsia shqiptare e zhvillonte kulturën e vet nacionale, siç ishte: gazeta “Flaka e Vëllazërimit”, revista për shkencë art dhe kulturë “Jehona”, revista për të rijë “Gëzimi”, revista për fëmijë “Fatosi”, drama shqipe pranë Teatrit të Kombësive në Shkup, redaksia në gjuhën shqipe pranë Radio Shkupit, si dhe disa shoqëri kulturore artistike që vepronin në baza vullnetare.
– Mirëpo, nga raporti i Komisionit të Kuvendit të RSM-së, që u bë fjalë më sipër, shohim se deri në vitin 1970 zhvillimi i kulturës shqiptare në RS të Maqedonisë nuk ishte në nivelin e duhur. Ja se si përshkruante raporti gjendjen faktike të disa institucioneve informative e kulturore në gjuhën shqipe: q
“…gazeta e vetme në gjuhën shqipe “Flaka e Vëllazërimit” del 1 herë në javë dhe në të punojnë vetëm 5 gazetarë; Radio Shkupi emeton program në gjuhën shqipe 2 orë e 15 minuta në ditë; TV Shkupi emeton dy herë në javë emision në gjuhën shqipe me nga 15 minuta. Përveç kësaj, ky televizion rregullisht i transmeton emisionet në gjuhën shqipe të TV Beogradit; Revista ‘Jehona’ del 10 herë në vjet me një mesatare prej 8 tabak autorësh; nga viti 1964 -1969 në ‘Detska Radost’ janë botuar rreth 100 tituj në gjuhën shqipe. Numri i madh i këtyre titujve janë të autorëve shqiptar; gjatë viteve 1968/69 ‘Makedonska Kniga’ ka blerë nga RPS e Shqipërisë 104 tituj të librave në gjuhën shqipe me një tirazh prej 6.167 ekzemplarë; Teatri i Kombësive përkundër faktit se nga viti 1963 punon në objekte të përkohshme, nga viti në vit arrin rezultate të mira. Në teatër shfaqen 12 premiera në vit – 6 nga drama shqipe dhe 6 nga drama turke. Përndryshe që të dy dramat ballafaqohen me numrin e vogël të aktorëve – drama shqipe ka 13 aktorë dhe po aq edhe drama turke…”.
Me qëllim të zhvillimit sa më të shpejtë të kulturës së shqiptarëve, organet partiake e shtetërore të RS të Maqedonisë, përpiluan një sërë programe e projekte konkrete. Ndër to duhet veçuar, “Rezolutën” që Kuvendi i RSM-së e miratoi më 5 maj 1971 kushtuar “barazisë nacionale, arsimore, kulturore e ekonomike të kombësive në RS të Maqedonisë”. Pika dhjetë e përfshinte zhvillimin e kulturës, në të cilën shprehimisht thuhej:
“Bashkësitë politiko-shoqërore dhe organet e tyre, në bashkëpunim me organet dhe organizatat e interesuara, duhet të kujdesen për krijimin e kushteve për zgjerimin e mëtejshëm të veprimtarisë informative dhe kulturo-arsimore në gjuhën e kombësive. Redaksive të gazetave dhe revistave që botohen në gjuhët e kombësive në Republikë, si edhe redaksive të fletushkave në gjuhën e kombësive nëpër komuna organizata të caktuara punuese, duhet t’ju ofrohet ndihmë adekuate materiale e tjerë për përmirësimin e kualitetit të gazetave, për rritjen e tirazhit të tyre, për krijimin dhe ngritjen e kuadrit të gazetarisë dhe për zgjidhjen e problemeve tjera.
Radiotelevizioni i Shkupit dhe radiostacionet lokale duhet të bëjnë përpjekje dhe të angazhohen që numri, forma dhe përmbajtja e emisioneve televizive dhe të radios në gjuhën e kombësive në të ardhmen pjesëtarëve të kombësive t’ju sigurojnë informim më të plotë, si dhe ta afirmojnë më shumë krijimin kulturor dhe artistik të kombësive. Organet dhe organizatat dhe fondet kompetente republikane duhet t’i zmadhojnë përpjekjet për zhvillim dhe afirmimin më të përshpejtuar të veprimtarive tjera kulturo-arsimore në gjuhën e kombësive, të cilat shprehen nëpërmjet botimit të revistave për letërsi, kulturë dhe çështjeve të përgjithshme, fletushkave për fëmijë, veprimtarisë botuese, Teatrit të Kombësive në Shkup, shoqërive kulturo-artistike dhe nëpërmjet formave tjera”.
(vijon nesër)