Ekspertët ekonomik vlerësojnë se ekonomisë së Maqedonisë i nevojiten reforma serioze dhe ngritje e kapaciteteve institucionale, si dhe mbështetje më e madhe për biznesin vendor me qëllim që ai të mund të realizojë investime, punësime dhe eksport më të madh
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 18 janar – Pas miratimit të Marrëveshjes së Prespës dhe zgjidhjes së çështjes së emrit që vite me radhe mbante peng zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të Maqedonisë, pritet që ekzekutivi më fuqishëm ti përkushtohet reformave të ndryshme që do të sjellin rritje më të madhe ekonomike, shkruan gazeta KOHA.
Ekspertët ekonomik vlerësojnë se ekonomisë së Maqedonisë i nevojiten reforma serioze dhe ngritja e kapaciteteve institucionale, si dhe mbështetje më e madhe për biznesin vendor me qëllim që ai të mund të realizojë investime, punësime dhe eksport më të madh.
Ekonomistët thonë se pas një viti turbulent politik, është koha që të kemi përmirësime institucionale që do të ndihmojnë dhe lehtësojnë punën e kompanive.
“Nevojitet në radhë të parë të ketë një vullnet më të madh politik që të realizohen reforma në sektorë të ndryshëm, si një nga kushtet kryesore që të ekonomia të ecë para. Pra , nevojitet që shteti të merr të mbarën dhe drejtimin e duhur ekonomik duke rritur prodhimtarinë dhe produktivitetin, eksportin, ti kushtohet një kujdes më i madh kapitalit njerëzor që të zbutet migrimi i pjesës më vitale dhe të shkolluar të popullatës”, thotë për KOHA, profesori universitar, Nasir Selimi. Sipas tij, ekzistojnë më shumë fusha që kanë nevojë për një kujdes më të madh, ndër të cilat mund të theksohen edhe kujdesi më i madh për shpenzimet publike, apo harxhimin e parave të popullit, rritjen e mëtejshme të llogaridhënies të institucioneve për punën e tyre, mbështetjen më të madhe për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme etj.
Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev, premtoi se qeveria në të ardhmen në tërësi do ti kushtohet detyrave shtëpiake, për shkak se siç thotë, e përgatitëm tokën dhe e mbjellën farën, por kjo paraqet vetëm një hap deri tek korrja e begatshme. Ai paralajmëroi se pushteti do të nis një fushatë për të siguruar atë që premtoi, jetë më të mirë, shëndetësi, fer shoqëri, paga më të larta dhe drejtësi sociale.
“Këtë e pres nga të gjitha ministrat dhe kryetarët e komunave, dhe të gjithë përgjegjësve në administratë i porositi , pres nga të gjithë ju të punoni më shumë , dhe në mënyrë me efikase, për shkak se kemi një qëllim të përbashkët, të përmirësojmë jetesën e qytetarëve. Qytetarët dhe as unë nuk do pranojmë asnjë anulim apo zgjatje. Ti kryejmë të gjitha reformat që ti bindim investitorët se në shtet kanë një partner të sigurt dhe miqësor”, thotë Zaev.
Kohë më parë, nga OSBE theksuan se Maqedonia nevojitet tërësisht ti kushtohet procesit të gjatë dhe të vështirë reformues , nëse dëshiron të hyjë në Bashkimin Evropian. Nga atje theksuan se administrata ka tepricë njerëzish që nuk gjenden në vendet e vërteta.
“Si duket administrate shtetërore në të njëjtën kohë ka edhe më tepër, edhe më pak njerëz, më tepër në përgjithësi, ndërsa më pak në vendet e vërteta me një angazhim të vërtetë, shkathtësi dhe njohuri”, thotë Xhefri Goldstajn, zëvendës shefi i misionit të OSBE-së në Shkup.
Nga ana tjetër, prioritetet reformuese që kërkon BE në administratë kanë të bëjnë me transparencën dhe depolitizimin e institucioneve, profesionalizimin e strukturave udhëheqëse, efikasitetin… Lidhur me prioritet reformuese për sundimin e së drejtës, korrupsionit, administratës publike, mediave…, eksperti i njohur gjerman Rajnhard Pribe, që udhëhiqte grupet e ekspertëve të Komisionit Evropian në Maqedoni, thotë se nuk ka prioritete, por i tërë procesi reformues duhet të jetë gjithëpërfshirës.
“Në dy raportet e përgatitura me rekomandime me qëllim kemi vendosur dhe këtë , edhe e kemi shpjeguar në raportet tona, të mos bëhet renditja e rekomandimeve të ndryshme. Kjo për shkak se nëse bëjmë një renditje të tillë, njerëzit shpejt do të vijnë në përfundim se çdo gjë që nuk është numër 1, 2 apo 3, nuk është aq e rëndësishme. Njëherazi nuk çdo herë lehtë të thuhet se kjo është më e “rëndësishme”, ndërsa diçka tjetër jo. Pra, çdo gjë është e rëndësishme”, thotë Pribe.
Ndryshe autoritetet ndërkombëtare financiare shprehen se Maqedonia posedon potencial të konsiderueshëm për të përshpejtuar rritjen ekonomike, për të zbutur varfërisë, si dhe për përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve, sidomos të atyre me të ardhura shumë të vogla. Në drejtim të rritjes më të madhe ekonomike nevojitet të shfrytëzohen përparësitë konkurruese të vendit përfshi edhe pozitën gjeografike, llogaridhënien ndaj tregtisë dhe investimeve etj thonë nga Banka s Botërore.
“Ky është moment kyç për historinë e vendit si shtet i pavarur. Me arritjen e marrëveshjes me Greqinë, shteti ka bërë një hap të vendosur në kontestin afatgjatë lidhur me emrin kushtetues. Zgjidhja e çështjes së emrit që ka shkaktuar dëm politik dhe ekonomik që nga viti 1991 pritet të përshpejtojë integrimin e vendit në NATO dhe BE, të mundësojë integrim më të thellë në tregjet rajonale dhe botërore”, thonë nga atje. Banka Botërore rekomandon që Maqedonia të shfrytëzojë procesin e aderimit në BE, me qëllim që të avancojë dhe mbajë më shumë prioritete reformuese që i ka si detyra shtëpie. (koha.mk)