Portieri nga Kosova i Kombëtares shqiptare, Etrit Berisha aktualisht është i dëmtuar dhe do të mungojë ndeshjen e nesërme që Atalanta do të luajë ndaj Udinezes. Megjithatë duket se gjërat po përmirësohen për portierin shqiptar. Një lajm i mirë vjen nga Bergamo, aty ku Berisha më në fund ka filluar fazën rehabilituese. Mesa duket është shmangur operacioni i mundshëm dhe “gardiani” kuqezi do të rikthehet në fushën e lojës shumë më shpejtë nga sa pritet. Nën kujdesin e rreptë të stafit mjekësor të Atalantës, Berisha ka filluar punën për rekuperimin e tij të plotë pas dëmtimit në gju.