Shkup, 22 gusht – Prokurorja special publike, Katica Janeva, zëri i të cilës është dëgjuar në incizimet e publikuara nga gazeta italiane “La Veritas”, në të cilat ajo të dyshuarit kryesor në rastin “Perandoria”, Orce Kamçev i thotë “gjithçka do të jetë mirë” është e dyshuara e tretë në rastin “Zhvatja”, njofton Koha.mk
Avokati i Javës, Stevan Pavleski, pata fillimit të djeshëm të marrjes në pyetje në Gjykatën penale tha se ajo ishte më liberalja lidhur me masën e paraburgimit. Gjykata i caktoi paraburgim 30 ditor për shkak të keqpërdorimit të detyrës dhe autorizimit zyrtar. Ajo mbrëmë vonë nga Gjykata penale me furgon të policisë është dërguar për në burgun hetues “Shkup”, por megjithatë i është lejuar që sot të shkojë në Gjevgjeli, ku nën shoqërimin e policisë do të marrë pjesë në varrimin e nënës së saj, e cila ndërroi jetë dje në mëngjes pas një sëmundje të gjatë.
Dy të dyshuarit e tjerë për “Zhvatja”, Boja Jovanovski dhe Zoki Kiçaec, më shumë se një muaj janë në paraburgim.
Rreth katër orë zgjati marrja në pyetje e Janevës, e cila ishte e shoqëruar nga avokati i saj Stevan Pavleski. U diskutua vetëm për masën e arrestit.
Prokurorja Vilma Ruskovka pasi doli nga Gjykata Penale tha se ata menduan se ishte e nevojshme që në këtë periudhë të urdhërohej masa e paraburgimit për Janevën.
Ajo theksoi se hetimi është ende i hapur dhe shtoi se ka konflikt interesi sepse Pavleski është avokat i Janevës dhe ai është gjithashtu avokat i Cvetan Pandelevskit, i dyshuar në rastin “Perandoria”. Ajo shtoi se me kërkesën e saj duhet të merret si detyrë që Pavleski të anulojë autorizimet për të dyshuarit e tjerë në lëndët e tjera të PSP-së.
Sipas Pavleskit, Janeva është viktimë e rastit “Zhvatja” dhe ajo do ta dëshmojë këtë. “Katica Janeva është njeriu që ka parë në mënyrë liberale për çështjet për arrestimin, ajo është e vetmja e cila ka lejuar arrest shtëpiak dhe kthim të pasaportave, por këtë dikush ia ka marrë për keq. Unë mendoj se Janeva tani është viktimë e rastit dhe për këto arsye do ta dëshmojë këtë”, ka thënë Pavleski duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve nëse argumentet janë në anën e tyre.
Janeva dje është arrestuar nga shtëpia e saj në lagjen Kozle të Shkupit. Bastisje janë kryer dje në shtëpitë e Janevës në Kozle dhe në Gjevgjeli, si dhe në zyrën e saj në PSP. Dy herë është bastisur shtëpia e saj në Kozle, prej ku me kamion janë marrë mobiljet dhe gjërat tjera, ndërsa nga zyra në PSP i është marrë kompjuteri.
Shkurt pas arrestimit të saj dje konferencë për shtyp ka mbajtur prokurori publik Lubomir Joveski, zëvendësja e tij Liljana Spasoska dhe shefja e Prokurorisë Themelore Publike për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit Vilma Ruskoska.
Joveski tha nga dëshmitë e marra deri më tani, ka baza për përhapjen e hetimit për “Reket” dhe ndaj Janevls. Ai tha se kanë dëshmi se Janeva ka realizuar dobi personale prej rreth 290 mijë denarë, kështu që ka ndikuar në procedurën duke mundësuar lehtësim të pozitës së të dyshuarve në rastin “Perandoria”.
Ajo fillimisht ka ndikuar për lirimin nga paraburgimi dhe kthim të pasaportës dhe më pas i ka propozuar që të lehtësohet pozita e të dyshuarit për “Perandorinë” me pranimin e saj si dëshmitare në procedurë.
“Nga nëntori i vitit 2018 deri në prill të vitit 2019 njëri prej të dyshuarve në rastin ‘Reket’ me shfrytëzimin e ndikimit të vet të supozuar ndaj prokurorit publik përmes marrëdhënieve paraprakisht të krijuara miqësore ka ndikuar që të kryejë veprim zyrtar që nuk do të guxonte të kryhet. Pasi prokurori i dyshuar special publik ka sjell urdhër për zbatimin e procedurës hetimore kundër shumë personave në lëndën me titullin e punës ‘Perandoria’, ka ndikuar në njërin prej personave kundër të cilit është zhvilluar hetim që t’i lehtësohet pozita e tij në atë procedurë me heqjen e masës së paraburgimit dhe t’i caktohet masë më e lehtë – arrest shtëpiak, t’i jepet cilësia e dëshmitarit mbrojtës dhe me urdhër të pengohet procedura hetimore ose të arrihet me të propozim-marrëveshje për faj për vepra më të lehta penale dhe të paguajë vlerë jo të konsiderueshme të dëmit dhe t’i hiqet masa e kujdesit marrje e përkohshme e pasaportës së tij”, theksoi Joveski.
Sipas prokurorit, dy të akuzuarit në “Zhvatja” për ta bindur Orce Kamçevin se mund t’i ndihmojnë në lëndën “Perandoria” e kanë shfrytëzuar ndikimin e Katica Janevës ndaj prokurores Lile Stefanova duke e shfrytëzuar afërsinë e Bojan Jovanovskit dhe shefes së PSP-së.
Prej tetë milionë eurove të cilat nga Kamçev i ka kërkuar Boki 13 dhe Mile Kiçaec kanë marrë një milionë kur ishin për vizitë në shtëpinë e tij, të vendosura në një çantë “Lui Viton” dhe paraprakisht nga bashkëshortja e Kamçevit kanë marrë 500 mijë euro, derisa ai ishte në paraburgim.
Kërkesë për arrestimin ose kryerjen e bastisjes në shtëpitë e politikanëve dhe personave të tjerë nuk ka, ka thënë Ruskoska, ndërsa nga Prokuroria theksojnë se dëshmitë e siguruara konfirmojnë se bëhet fjalë vetëm për një ngjarje penale-juridike dhe prandaj, siç thonë, rasti nuk do të paralizohet ose të lidhet me pjesëmarrjen e personave nga shtete tjera.
Zëdhënësi i Qeverisë pas arrestimit të Janevës dje tha se rasti i hapur “Reket” në të cilin tani është e dyshuar prokurorja Publike Speciale, konfirmon se para drejtësisë dhe ligjeve secili është i barabartë.
Qeveria, vazhdoi Hoxha, bën thirrje për një hetim rrënjësor dhe të pavarur, që do të përfundojë sa më shpejt që është e mundur dhe do t’i tregojë të gjitha detajet. Ai shtoi se Qeveria nuk do të lejojë që rasti negativisht të shfrytëzohet për pengimin e integrimeve euroatlantike të vendit.
Ai theksoi se ky edhe një herë është një motiv që së bashku me opozitën të përfundohet reforma e sistemit legjislativ dhe të sigurohet sundimi i ligjit.
Zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Dimçe Arsovski dje ka thënë ot edhe zyrtarisht përfundon karriera e prokurores dhe politike e bashkëpunëtorit të parë të Zoran Zaevit, Katica Janeva.
Pas arrestimit të Janevës, PSP-ja është pa kokë, fati i saj i pazgjidhur, për shkak të ngecjes në negociatat mes autoriteteve dhe opozitës për ligjin për Prokurorinë publike, ku zgjidhet statusi i saj. Negociatat është dashur të fillojnë këtë javë, por tani për tani nuk ka paralajmërim për fillimin e tyre, ndërsa kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi propozim-ligji për prokurorinë publike e vendosi në seancë të caktuar për të martën e ardhshme.
Joveski dje sqaroi se në pajtim me Ligjin për PSP-në, ky institucion ende ka mandat dhe nëse prokurori publik i cili e udhëheq këtë prokurori pengohet, atëherë Këshilli i PP-së duhet ta konstatojë dhe menjëherë të përcaktojë u.d. prokuror i cili do të udhëheq. (koha.mk)