Shkup, 22 gusht – Rasti “Zhvatja” mund të dëshmojë para BE-së dhe vendeve anëtare se institucionet e vendit janë në nivel të detyrës, i kanë kapacitetet e mjaftueshëm që me guxim t’i qasen çdo sfide që do të rrezikonte dhe kërcënonte shtetin ligjor, kështu deklaroi para gazetarëve zëvendëskryeministri për Çështjeve Evropiane, Bujar Osmani, duke folur mbi ndikimin e zhvillimeve të fundit në Prokurorin Speciale mbi procesin integrues të vendit, raporton Koha.mk.
“Kjo krizë institucionesh, kryesisht e institucioneve gjyqësore, që u paraqit në momentet e fundit para vendimit të madh të Bashkimit Evropian (BE), mund ta transformohet me sukses në dëshmi para BE-së dhe vendeve anëtare se institucionet tona janë në nivel të detyrës, i kanë kapacitetet e mjaftueshme që guximshëm ti qasen çdo sfide që do të rrezikonte dhe kërcënonte shtetin ligjor. Njëkohësisht, duhet të arrijmë ti tejkalojmë dallimet midis partive politike që të miratojmë Ligjin për Prokurori Publike me qëllim që ti plotësojmë dy kriteret bazë tonat, të përfundojnë apo sqarohen të gjitha rastet dhe dilemat që dalin nga puna e deritanishme e Prokurorisë Speciale dhe përgjimeve, por të kemi edhe një institucion i cili do të merret vetëm me korrupsionin e nivelit të lartë si zgjidhje e qëndrueshme në implementimin apo etablimin e shtetit ligjor në luftën kundër korrupsionit”, deklaroi Osmani.
Osmani theksoi se lufta kundër korrupsionit, përpjekja për etablimin e shtetit ligjor është kusht pa të cilin nuk mundet të ndiqet rruga e progresit drejt BE-së. “Rasti ‘Zhvatja’ paraqet test për institucionet për të treguar se sa kanë ndërtuar institucionet kapacitete dhe sa kanë reflektuar reformat”, theksoi Osmani. (koha.mk)