Shkup, 9 nëntor – Përfaqësuesja e Maqedonisë ka vazhduar përgatitjet për ndeshjen kualifikuese me Spanjën më 12 nëntor në Granada. Kontingjenti sot (e enjte) niset për në Granad, ku në orët e mbrëmjes dhe të premten do të realizojë edhe dy stërvitje, deri para përballjes së të shtunës në ora 20.45. Njëri prej pesë futbollistëve shqiptar në përfaqësuesen e Maqedonisë është edhe Leonard Zhuta. Mbrojtësi cilësor për “Gol.mk”, thotë se kundër “furisë” i pret një ndeshje e rëndë, por njëkohësisht potencon se është i mundshëm një sensacion, nëse ata japin maksimumin nga vetja në fushën e blertë.
“E dimë mirë se kush është Spanja, një komb i madh futbollistik. Sigurisht se do të jetë rëndë në Granad, por në futboll gjithçka është e mundur. Nëse japim 100 përqindëshin si skuadër, mund të befasojmë. Sfidë e madhe është të luash kundër spanjollëve, gjithashtu edhe kundër Diego Kostas, por ne nuk mendojmë në kundërshtarin, por jemi të fokusuar vetëm tek vetvetja dhe lojën tonë”, thekson strugani, të cilit po i shkon mirë edhe tek skuadra e Rijekës në kampionatin kroat, ku aktualisht mbajnë pozitën e parë dhe bashkë me kolegun e tij në reprezentacionin e Maqedonisë Stefan Ristovski, nuk dinë se çka është humbja.
Ai gjithashtu shpreh dëshirë që në Granad të paraqiten sa më mirë. “Ne duam të dëshmohemi sa më mirë në Granadë. Kundër Italisë treguam se dimë të luajmë kundër shteteve të mëdha. Nëse tregojmë lojë si në minutat vendimtare kundër Italisë, kur rikthyem rezultatin nga 0:1 në 2:1, mund të jetë pozitive”, përfundoi Zhuta.
Ndërkohë, seleksionuesi Igor Angellovski para nisjes për në Granda, thotë se e gëzon atmosfera e mirë dhe përkushtim i lojtarëve në seancat që i kanë zhvilluar deri më tani në Shkup. “Më gëzon fakti se futbollistët janë të përkushtuar në stërvitje dhe pa problem realizojnë detyrat e dhëna. Kapitenit Pandev të martën i dhamë pak pushim, mirëpo me Goranin gjithçka është në rregull dhe ai do të jetë i gatshëm për ndeshjen e së shtunës. Si seleksionues i përfaqësueses patjetër të mbaj llogari për shëndetin e futbollistëve dhe formën e tyre garuese, pa marrë parasysh për cilin bëhet fjalë. Thash se ndoshta do të duhet të jemi në nivelin më të lartë të lojës në krahasim se sa me Italinë, besoj se kemi forcë dhe dëshirë për të qenë të mirë në duelin në Granada”, deklaroi për faqen zyrtare të FFM, Igor Angellovski. Kujtojmë, përballja Spanjë – Maqedoni do të luhet më 12 nëntor në Granada dhe e njëjta do të fillojë në ora 20.45. derisa, të përzgjedhurit e Angellovskit deri më tani nuk kanë fituar asnjë pikë, në tre ndeshjet me Shqipërinë, Izraelin dhe Italinë. (B.K.)