Bujar KURTAJ
Shkup, 12 korrik – Skuadra e Shkëndijës edhe këtë vit i është qasur seriozisht pjesëmarrjes në kualifikimet për Liga Evropë. Pasi arriti të eliminon skuadrën moldave Daçia, kundërshtari i radhës i kuqezinjve është skuadra e Helsnikit, nëpërmjet të së cilës djemtë e trajnerit Qatip Osmani do të kërkojnë kualifikimin në raundin e tretë.
Ndryshe, ekspedita kuqezi sot (e mërkurë) do të niset për në Strumicë, ku do të vendoset në hotelin “Sirius” për të pritur sa më te qetë përballjen e ditës së enjte, me fillim në ora 18.00,ndërsa përgatitjet për këtë sfidë do ti vazhdojë po në këtë vend duke realizuar stërvitjen e fundit me fillim në ora 19.00.
“Jemi duke u përgatitur me përkushtim maksimal për sfidën e radhës dhe secili prej neve futbollistëve është i determinuar për të dhënë më të mirën. Performuam shkëlqyeshëm kundër Daçias në raundin e parë, mirëpo tani ajo i takon të së kaluarës dhe ne duhet të orientohemi në atë që pason me Helsinkin. Ne duam të vazhdojmë ëndrrën Evropiane edhe pse jemi të vetëdijshëm se nuk do të jetë aspak e lehtë. Përballë do të kemi kundërshtar serioz, me cilësi të lartë dhe për t’i kaluar do të na duhet versioni ynë më i mirë. Mirëpo unë jam optimist, besoj fuqishëm në grupin dhe bashkëlojtarët. Duhet vetëm të realizojmë në fushë atë që ka përgatitur stafi teknik si strategji dhe nëse e bëjmë këtë, pres rezultat pozitiv në ndeshjen e parë në Strumicë. Pastaj varësisht prej epilogut të takimit të parë, do të mendojmë dhe do të përgatitemi për takimin e kthimit”, u shpreh për gazetën KOHA, Stenio Zhunior.
Brazilani thotë se me të mësuar kundërshtarin e radhës, kanë punuar edhe në aspektin e eliminimit të pikave të forta të kundërshtarit apo shfrytëzimit të hapësirave ku ata und të përfitojnë. “Stafi teknik po bën më të mirën në këtë drejtim dhe gjatë seancave stërvitore ne kemi punuar edhe në aspekt të eliminimit të pikave të forta të kundërshtarit apo shfrytëzimit të hapësirave ku ne mund të përfitojmë. Në përgjithësi ne do të kërkojmë të imponojmë lojën tonë, pasi besojmë se kemi cilësi për të cilën duhet të mendojë kundërshtari ynë, ndërsa normal se gjatë lojës në situata të ndryshme do të na hyjnë në punë shumë informatat që ka siguruar stafit teknik dhe që ne bashkërisht i kemi analizuar”, deklaroi Zhunior.
Ndërkohë, sot (e mërkurë) klubi ka caktuar konferencën për shtyp në të cilën si zakonisht do të flasin trajneri Qatip Osmani dhe kapiteni Ferhan Hasani. Gjithashtu të enjten, Shkëndija pret përkrahjen e madhe të tifozëve të saj, “Ballistët”, pasi me një fitore eventuale në shtëpi do t’i mundësonte që të shkojë shumë më e relaksuar në ndeshjen kthyese si mysafire e Helsinkit dhe me gjasa të mira kualifikimi në rrethin e tretë.