Vedat MEMEDALIU
Shkup, 25 maj – Ambasada e Serbisë ndërkaq nuk përgjigjet se pse Zhivaljeviq, natën e përgjakshme ka qenë pjesë e turmës brenda Parlamentit, shkruan gazeta KOHA. Kjo e fundit na drejton në deklaratën e kryeministrit serb, Aleksandar Vuçiç, pas takimit me mandatarin për formimin e Qeverisë në Maqedoni, Zoran Zaev. “Personi i ambasadës serbe ka qenë në Parlament vetëm që të raportojë dhe këtu shkelje ligjore nuk ka”, ka thënë shkurt kryeministri Aleksandar Vuçiç, pa sqaruar nëse do të merren ose jo masa ndaj Zhivaljeviqit. Ndërkohë, Zoran Zaevi në një intervistë për Al Jazeera ka mohuar të ketë biseduar me Vuçiçin për Zhivaljeviqin. “Ne nuk kemi biseduar për përfaqësues të Shërbimit Sekret dhe të ngjashme, besoj se institucionet e të dy shteteve, Shërbimi ynë Sekret dhe Shërbimi Sekret i Serbisë do të gjejnë zgjidhje për këtë çështje. Ajo që është publikuar në media është e dukshme për të gjithë. Kemi biseduar për perspektiva, për nevojën e asaj se rajoni duhet sa më shumë të bashkëpunojë, nëse Maqedonia dhe Serbia më shumë bashkëpunojnë dhe Maqedonia me të gjitha vendet e rajonit atëherë edhe Bashkimi Evropian më shumë do të na respektojë dhe do të ketë më shumë arsye që t’i hap më shpesh dyert drejt anëtarësimit të të gjitha vendeve nga Ballkani Perëndimor”, tha Zaev. Praninë e tij në natën kritike në Parlament, kur u sulmuan rëndë deputetët e LSDM-së dhe ai i LR-PDSH-së, Ziadin Sela, Zhivaljeviq për gazetën KOHA dhe TV Telma e arsyetoi se “isha me detyrë zyrtare, që të shohë nëse në incidente marrin pjesë edhe persona nga Serbia, tifozë ose ekstremistë”. Por, kështu arsyetimi diplomacia nuk njeh, thotë Sashko Todorovski, kryetar i Sindikatës së Ministrisë së Punëve të Jashtme. Megjithatë, është e çuditshme se si Drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim dhe MPB ka lejuar që pa paralajmërim dhe pa protokoll diplomatik të futet në Parlament, sidomos pas incidenteve që u zhvilluan aty. Ndryshe, prania e Zhivaljeviqit në Parlament ka hapur dilemën nëse shërbimi sekret serb ka punuar në skenarin e ngjarjeve të Parlamentit sipas shembullit të Malit të Zi, kur pas përzirjes së shërbimeve ruse dhe atyre serbe, u tentua grusht shteti në Parlamentin malazez. Gazeta KOHA raportoi ditë më parë se Zhivaljeviq kishte qëndruar në Parlament më shumë se 20 minuta, ishte në sallën plenare ku bënte ‘selfie’ me protestuesit, ndërsa nuk dihet nëse ishte edhe në sallën e press-konferencave ku u rrahën deputetët e LSDM-së dhe Ziadin Sela. KOHA dhe TV Telma në video-filmimet e shumta kishte locuar edhe punonjës të Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim të Maqedonisë, por sipas informatave jozyrtare, ata praninë e tyre e arsyetojnë me përcjelljen që i kanë bërë Zhivaljeviqit. Informata pastaj i është dorëzuar qendrës së DSK-së, e cila ka thirr në bisedë Zhivaljeviqin për ta qartësuar pozitën e tij në Parlament natën e 27 prillit. Megjithatë, gati një muaj pas 27 prillit, as policia e Maqedonisë dhe as MPJ nuk kanë ndërmarrë asnjë masë kundër spiunit serb Goran Zhivaljeviq. Madje, as nuk sqarojnë nëse ai ka pasur kontakte me personat që shkaktuan incidentet. (koha.mk)