“Zhimi Stojkota”

97

‘Stojku’ i diskriminon shqiptarët dhe vetëm shqiptarët, që votuan në masë partinë e tij që të vijë në pushtet; e ky të bëhet drejtor i Inspektoratit Shtetëror të Tregut (IShT). Sikur programi i qeverisë të kishte caktuar 35 kandidatë maqedonas, ‘Stojku’ nuk do kishte kurrfarë parimesh; siç, nuk i ka. Parimet e ‘stojkut’ dalin në shesh, vetëm kur bëhet fjalë për punësimin e shqiptarëve!

Nga Shaqir ISLAMI

Në shoqërinë tonë diskriminuese, duhet vetëm një gjest sa thoi për t’u bë hero. Mjedisi jonë është aq shumë i ndotur me urrejtje, paragjykime dhe stereotipe për njëri-tjetrin, sa që edhe tipa si Stojan Paunovski janë ‘eksik’ të harxhojnë energjinë shoqërore në këtë vend. Gjithkund, në mediat maqedonase ‘Stojki’ është lajm; për atë shkruhen peticione; ai lavdërohet në kolumna; shkruhen analiza për parimet dhe principet e tij; ma merr mendja se do ketë edhe ‘punime shkencore’ për trimërinë dhe ‘staturën’ e një kurrkushi dhe virani, i cili është vetëm i qorruar nga urrejtja patologjike ndaj fqinjëve të vet Shqiptarë. Priteni kur të del edhe kënga popullore maqedonase “Zhimi Stojkota”.

‘Stojku’ është bosh nga vlerat humane dhe patriotike që i përshkruhen, si shkak i një mendësie kolektive etno-fashiste që e sundon mjedisin tonë të sëmurë psikik. Në fakt, ‘Stojku’ është viran mendor! Kjo përkrahje emocionale-sekondare kolektive, flet më shumë për përkrahësit e tij se sa për të. Me këtë veprim emocional-politik, ‘stojku’ për të satën herë e shfaq publikisht modelin patologjik të nacionalizmit maqedonas. Atij i shpërthyen si vullkani Etna, paragjykimet ndaj Shqiptarëve. Dhe korri lavdërues dhe përkrahës, e shprehin të njëjtën gjë pa qenë të vetëdijshëm se çka bëjnë. Si ‘Stojku’ ashtu edhe përkrahësit e tij laramanë janë i njëjti brumë i tharët i nacionalizmit të tyre. Kjo është mendësia kolektive që e sundon vendin tonë; tashmë, më shumë se një shekull.

Qëndrimet dhe paragjykimet janë të pakontrollueshëm nga ne, për shkak se ata gjenden në pjesën e pavetëdijshme të qenies sonë. Njeriu ushtron kontroll vetëm ndaj pjesës së vetëdijshme. Prandaj, qëndrimet dhe paragjykimet tona shkrepen vetiu, dhe na shpëtojnë pa dashur; si ndonjë pordhë që e lëshojmë në mejdan padashur, dhe për të cilën vepër bëhemi pishman aty-për-aty. Por është vonë; tepër vonë, pasi të shkrepë pushka. Mendoj se të gjithë e keni dëgjuar thënien popullore: ‘se, nganjëherë pushkën e shkrep edhe vet shejtani’.

Ja, mu kështu siç e shkreh pushkën shejtani, me të njëjtin proces shkrepen edhe qëndrimet, paragjykimet dhe stereotipet. Dhe sa të mundohet njeriu të përmbahet dhe t’i kontrollojë, dështon. Nuk i fsheh dot, padashur dalin në mejdan. Kjo i ndodhi heroit të javës ‘Stojkut’. Dhe të gjithë përkrahësve ose turmës së tij etno-nacionaliste. Ky, fare nuk e ka gajlen e shtetit!Është në hall të gjendjes mendore dhe shpirtërore të vet; është një nga shumë të helmuar shpirtërisht dhe mendërisht. ‘Stojku’ viran është i over-dozuar nga urrejtja patologjike ndaj shqiptarëve. Dhe s’mund ta fsheh dot. Urrejtja ndaj shqiptarëve, është masa për matjen e sasisë dhe cilësisë së nacionalizmit maqedonas. Dhe kjo masë popullorçe ndër maqedonas qofshin VMRO’ista, qofshin LSDM’ista quhet „шиптаромрзец„. Tani kjo masë mund të zyrtarizohet si “Stojko”.

‘Stojku’ i diskriminon shqiptarët dhe vetëm shqiptarët, që votuan në masë partinë e tij që të vijë në pushtet; e ky të bëhet drejtor i Inspektoratit Shtetëror të Tregut (IShT). Sikur programi i qeverisë të kishte caktuar 35 kandidatë maqedonas, ‘Stojku’ nuk do kishte kurrfarë parimesh; siç, nuk i ka. Parimet e ‘stojkut’ dalin në shesh, vetëm kur bëhet fjalë për punësimin e shqiptarëve! Ky etno-nacionalist, në fakt, nuk i hedh shkelma Qeverisë; por, ky luftën patologjike psikike e ka vetëm me zëvendës premierin shqiptar Grubin. Të sëmurë me patologji të këtillë ka me bollëk në shoqërinë tonë; dhe ata që e përkrahin dhe e lavdërojnë ‘stojkun’, janë kope mendore e njëjtë si ky. Dhe përfundimisht duhet të krijohet edhe një institucion të psikologjisë sociale në vendin tonë; sa më parë duhet të themelohet një klinikë të madhe, ku do mbahen terapi kolektive për shërimin e urrejtësve nacionalistë maqedonas dhe Sshqiptarë së bashku, që përfundimisht të nis shërimi kolektiv i kësaj shoqërie me kohezion të copëtuar. Pa e bërë këtë vepër madhor, nuk mund të normalizohet dhe të shërohet kjo shoqëri nga traumat e urrejtjes dhe paragjykimeve. Allo, urrejtja është si droga; sa më shumë harxhon, aq më shumë lyp truni.

Edhe profesori akademik, kolumnisti dhe ma merr mendja njëri nga themeluesit e konceptit politik “Edno opshtestvo za site” të LSDM’së, merret me ‘parimet dhe patriotizmin’ e ‘Stojkut’(!!!); i thur lëvdata edhe “institucionit të tij”. Ky e përcakton institucionin e qeverisë si “institucioni i Stojkut”. Alloprofesoredragi, ‘ma kajdelash’ thonin dikur sllovenët. Nuk di ta shpjegoj pse, por ky m’u ka duk disi më normal se të tjerët e LSDM’së, dhe ja edhe ky del të jetë nga banda nacional-shoviniste e ‘stojkut’ tashmë të shndërruar në hero kombëtar, “pasi na doli me mendim ndryshe nga qeveria e vet”. Ja çka do thotë perceptim i gabuar dhe përshtypje e rreme.

Ky, profesor në vend se ta ‘bëj horr’ këtë urrejtës ashiqare të Shqiptarëve” për shkak të diskriminimit dhe të fyerjes së votuesve në masë të LSDM’së, pasi që falë votës së tyre ky ‘namqorr-stojki’ është bërë drejtor, përkundrazi. ‘Stojkiu’ me paturpësinë e paparë: “ i thotë Aga’së pizeveng” dhe e kundërshton organin që e ka emëruar në këtë post.

Në fund të komentit të vet në organin partiak të LSDM’së “Fokus”, Gjorgji Spasov i zhvesh paragjykimet dhe stereotipet e maqedonasve ndaj shqiptarëve. Ja sa domethënës dhe i qartë është kolumnisti Spasov, dhe si na e zbulon teknologjinë dhe sistemin e punësimit në administratën e shtetit të përbashkët: “Deri dje talleshim me VMRO’në , e cila punësonte masë njerëzish në “Ndërmarrjen Publike Pyjet e Maqedonisë, dhe pastaj i shpërndante në Opera, Teatër dhe institucione tjera buxhetore”/ “Па до вчера правевме мајтап со ВМРО кое вработуваше масовно лица во ЈП Македонски шуми па потоа ги прераспоредуваше во Опера и Театар и други буџетски институции”.

Ky pasus është nxjerrë dhe huazuar pa leje, nga kolumna e Gjorgji Spasov, në javoren “Fokus”. Ja kjo është e vërteta e diskriminimit ashiqare të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Zaev ka plotësisht të drejtë, diskriminimi etnik duhet të futet nën kontroll të qeverisë, përkundrazi do jetë peng i tij.

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)