Pak muaj më parë, dy transferime të bujshme te Lacio, ishin Valon Berisha dhe Riza Durmishi, të cilët Tare arriti t’i merrte me jo pak vështirësi. Megjithatë, asnjëri nga dy futbollistët, nuk ka arritur të japë atë që të gjithë prisnin dhe për ta është menduar edhe largimi nga skuadra.
Ashtu siç raportojnë mediat italiane, drejtuesit lacialë ishin të gatshëm të largonin dy futbollistët shqiptarë gjatë merkatos së janarit, por mesa duket po mendohet një tjetër zgjidhje. Duke qenë se mundësitë për aktivizim kanë qenë disi më të limituara për Berishën, që herë ka qenë i dëmtuar e herë jashtë forme, është kërkuar që t’i besohet të paktën deri në fund të sezonit, për t’u munduar që të marrë më shumë minuta në pjesën e mbetur të sezonit.
Të njëjtën gjë, ka kërkuar nga drejtuesit edhe Durmishi, pasi edhe ky i fundit i ka pasur aktivizimet me fanellën e Lacios me pikatore. Kështu, të dy futbollistët janë në pritje për një shans të dytë nga Inzagi, duke shpresuar që të mos e djegin dhe atë shans, për të qenë një pjesë e rëndësishme e skuadrës.