Shkup, 3 tetor – Punohet që kuadri diplomatik të jetë profesional dhe jo rastësisht është arritur suksesi që kemi. Ekziston përgatitje për biseda për më shumë përfaqësues të PKD-ve nga bashkësitë etnike, ngaqë thelbësore është se duhet të jenë kuadro cilësorë, u përgjigj zëvendësministri i Punëve të Jashtme Andrej Zhernosvki në pyetjet e deputetes nga Aleanca për Shqiptarët Arta Toçi për numrin e shqiptarëve në rrjetin diplomatik të Maqedonisë së Veriut.
Zhernovski informoi që me ardhjen e garniturës së re në MPJ janë vendosur 19 ambasadorë, prej të cilëve pesë janë gra, të cilat në mënyrë të kujdesshme dhe kualitative, theksoi, i përfaqësojnë pozicionet tona.
Zonjat ambasadore, informoi Zhernosvki janë emëruar në Bashkimin Evropian, në Mbretërinë e Bashkuar, në Francë dhe në Holandë, në Greqi dhe në Suedi.
Nga 19-të ambasadorët e emëruar, shtatë janë anëtare të bashkësive etnike.
Duke u nisur nga objektivi që të kthehet profesionalizmit në kryerjen e kësaj detyre dhe akuzave nga ana e VMRO-DPMNE-së, se po bëhet partizim i MPJ-së edhe në përzgjedhjen e ambasadorëve të rinj, Zhernovski nënvizoi krahasimin e bërë me 10 ambasadorët e fundit të dërguar në vitin 2014 dhe me 10 ambasadorët e fundit të dërguar nga kjo Qeveri dhe MPJ.
“Krahasimi është magjepsës, nëse flasim për përvojë pune të përgjithshme diplomatike, sa vite kanë të kaluara në diplomaci, krahasimi është i pabesueshëm 214 vite me 28 vite. Dhe kjo tregon atë se si më herët është punuar apo jo në aspekt të kuadrove profesionale nga ana e MPJ-së. Ka një ambasador në vitin 2014 i cili ka pasur 22 vite përvojë pune, njëri ka katër vite përvojë pune, pastaj njëri është me dy vite përvojë pune dhe është dërguar ambasador, u shpreh zëvendësministri i Punëve të Jashtme.
Shtatë ambasadorë, theksoi Zhernovski janë dërguar për t’i mbrojtur ngjyrat e shtetit tonë me zero vite përvojë pune diplomatike, me çka janë shkelur të gjitha ligjet e mundshme të cilat e trajtojnë fushën e politikës së jashtme.(koha.mk)