– E pres raportin më të mirë për progresin e shtetit tonë nga ana e Komisionit Evropian, lajmet e mira për vendin nga Brukseli i pres në Londër, ndërsa do t’i transmetoj në Shkup, deklaroi zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Andrej Zhernovski, në konferencën e pestë të përbashkët shkencore – Proceset perëndimore ballkanike në Londër.
Ai shtoi se Komisioni e reflekton gatishmërinë e shtetit për fillimin e bisedimeve me BE-në si konfirmim për progresin e realizuar.
“Nga ana e bashkësisë akademike të vendeve anëtare të BE-së, të përfshirë në Procesin e Berlinit, shteti ynë ishte marrë si shembull pozitiv në rajon, dhe për këto shkaqe kishte rol të veçantë në Konferencë. E presim raportin më të mirë deri më tani. Lajmet e mira për shtetin tim nga Brukseli i pres në Londër, së bashku me miqtë dhe mbështetësit tanë, ndërsa do t’i transmetoj në Shkup si porosi për të ardhme të ndritur të bashkëqytetarëve të mi”, tha Zhernovski.
Ai pret që Këshilli i Evropës do ta konfirmojë vërtetimin nga viti i kaluar, për fillimin e bisedimeve të Maqedonisë së Veriut me BE-në, dhe siç tha, kjo do të nënkuptojë garanci për ruajtjen e stabilitetit dhe ruajtjen e fokusit të proceseve reformuese.
“Për një periudhë shumë të shkurtër kemi prodhuar rezultate pozitive në planin e reformave të brendshme, u bëmë vend i cili nënshkroi Protokoll për anëtarësim në NATO dhe vend model i cili me zgjidhjen e situatave të konflikteve historike i shndërroi në bashkësi të qëndrueshme të miqësisë dhe besimit”, tha Zhernovski.
Në fjalimin e tij theksoi se integrimi evropian i Ballkanit është investim gjeostrategjik për Evropë stabile, të fuqishme dhe të bashkuar, e bazuar në vlerat dhe standardet e përbashkëta.
Zëvendësministri i Punëve të Jashtme në Londër do të ketë darkë pune edhe me kryesuesin e “Grupit Ohri” dhe ish sekretar i përgjithshëm i NATO-s, Lord Xhorxh Robertson. (koha.mk)