Shkup, 25 janar – Pas lajmit të liferuar në media për nxënësit shqiptarë të fshatit Starigradit të Velesit, se u pamundësohet arsimimi në gjuhën amtare ka reaguar edhe deputeti dhe kryetari i Aleancës për shqiptarët (ASH), Ziadin Sela, raporton gazeta KOHA.
“Është skandaloze se si fëmijëve të disa fshatra të Velesit, por me siguri se janë edhe shumë fshatra tjerë të cilëve dikush ua pamundëson të drejtën e garantuar me kartën universale për drejtat e njeiut, të drejtën e garantuar me Kushtetutën e Maqedonisë, të drejtën e garantuar me ligjin për arsim fillor, të drejtën të arsimit në gjuhën e amtare. Është skandaloze dhe tmerr! Në qoftë se do të kishim politikan të përgjegjshëm dhe të moralshëm, pas këtij lajmi ministri i arsimit duheshte të jep dorëheqje”, ka deklaruar sot Sela para gazetarëve në Parlamentin e Maqedonisë, transmeton KOHA.
Kërkojmë nga institucionet e shtetit, u shprehë mëtej Sela të bëjnë një analizë të thellë të gjithë fëmijëve dhe vendbanimeve të cilët nuk e kanë mundësinë që ta ushtrojnë të drejtën e tyre Kushtetuese që të mësojnë në gjuhën e tyre të cilën ua garanton Kushtetuta pa marrë parasysh përkatësin e tyre etnike.
“Natyrisht se me keqardhje konstatojmë se nuk mund të ketë shoqëri të përbashkët për të gjithë në momentin që nuk ka të drejta për shkollim në gjuhë amtare për të gjithë. Andaj është koha që Qeveria mos manipulojë me opinionin por slloganet të cilat i vet i përdorë aq shpesh në fushata parazgjedhore dhe gjithë kohës ti vë në zabtim”, theksoi Sela. (Koha.mk)