Zhdukja e mistershme e aeroplanit të Malajzisë mund ‘të mos zgjidhet kurrë’

Misteri i aeroplanit të zhdukur të Malajzisë, MH370, sipas të gjitha gjasave nuk do të zgjidhet kurrë, pasi kulla e kontrollit ajror kishte humbur kontaktin me fluturaken gjatë 18 minutave të rëndësishëm apo më mirë thënë që konsiderohen kyç, shkruan Mirror.

Kujtojmë që aeroplani me 239 pasagjerë që po fluturonte nga Kuala Lumpur për në Pekin, gjatë 8 marsit të vitit 2014 në mënyrë të befasishme ishte zhdukur nga radari, vetëm pak sekonda pasi ishte futur në hapësirën ajrore të Vietnamit

Këtë gjë nuk e kishte vërejtur ekipi i Malajzisë pasi kishin shumë punë, e kur e kuptuan se Boeing nuk është, menduan se me të po kontaktonte kulla e kontrollit ajror të Vietnamit.

Autoritetet e kontrollit ajror të Vietnamit vërtetë e kishin pa në monitorë, por ai ishte zhdukur befasisht, megjithatë sipas raporteve të parë, për këtë nuk kishin njoftuar kolegët nga Malajzia.

Kishin kaluar plotë 18 minuta para se autoritetet e Malajzisë ta kuptojnë se një fluturake u është zhdukur nga radari. Rrjeti për Siguri i Trafikut Ajror të Malajzisë, konsideron se marrja e kontrollit mbi fluturaken ka ndodhur gjatë fluturimit, pasi ndërrimet kanë mundur të ndodhin vetëm në mënyrë manuale.

Megjithatë, asgjë nuk tregon se dikush mund ta ketë bërë këtë, për shembull të futet në kabinë dhe të marrë kontrollin mbi aeroplanin. Teori tjera theksojnë jetën private problematike të pilotit Zahari Ahmas Shaha, për të cilin dyshojnë se qëllimisht kishte mbytur veten dhe pasagjerët.

Analizat e të dhënave tregojnë se aeroplani kishte fluturuar mbi Oqeanin Indian, para se të mbeste pa derivate dhe me shpejtësi të madhe ishte rrëzuar në ujë. Sidoqoftë, për shkak të “zbrazëtirës” prej 18 minutave, rasti i MH370 do të mbetet misteri më i madh në historinë e aviacionit civil.(koha.mk)