Shtatë vjeçarja Bana el Abed dhe nëna e saj, Fatma, u bënë të njohura pasi përmes rrjeteve sociale raportuan për sulmet ajrore në qytetin sirian Halep, raporton Anadolu Agency (AA). Profilin në rrjetin social Twitter e hapën para tre muajsh, ndërsa përmes tij raportuan për ndodhitë e tmerrshme në Halep, por edhe i bënë thirrje botës për të ndaluar gjakderdhjen në këtë qytet sirian. Megjithatë, prej dje nuk ka asnjë informacion në lidhje me vajzën dhe nëna e saj.
Shtatë-vjeçarja Bana dhe nëna e saj Fatma, e cila është mësuese e anglishtes, kishin rreth 200 mijë ndjekës në profilin e përbashkët që u fshi dje. Në mesazhin e fundit të cilin nëna Fatma e ka publikuar të shtunën ka thënë: “Tani jemi të sigurt se na ka kapur ushtria. Botë e dashur, do të shihemi ndonjë ditë tjetër”. Në mesazhin e publikuar më 27 nëntor vogëlushja Bana ka shkruar: “Sonte nuk kemi shtëpi. Kam parë trupa të pajetë dhe unë kam qenë një hap pranë vdekjes”.
Në fotografinë e cila ka qenë me mesazh shihej Bana në pluhur. Ditën e njëjtë ajo lutej që të gjithë të luten për ta. “Ne jemi aktualisht nën bombardime të rënda. Ne jemi në mes të jetës dhe vdekjes”, ka shkruar ajo. Nëna Fatma disa orë pas mesazhit ka shkruar: “Në bombardimet e ashpra u vranë shumë njerëz. Dhe ne po ikim”. Fatma në ditët e fundit në mesazhet e saj ka shprehur shqetësim se do ta gjejnë pjesëtarët e ushtrisë siriane të presidentit Bashar al-Assad. Mesazhi i saj i fundit se ushtria e ka gjetur ka shkaktuar shqetësime se nëna dhe e bija janë vrarë. Pas zhdukjes së nënës dhe vajzës në rrjetin social Twitter me simbolin “#WhereisBana” janë ndarë rreth 1.000 mesazhe. Forcat e regjimit dhe militantët shiitë tashmë 20 ditë kryejnë sulme nga ajri dhe nga toka në vendbanimet në lindje të Halepit, të cilat janë nën kontrollin e opozitës. Opozita më parë kontrollonte territorin prej 45 kilometra katrorë, kurse tani kontrollon një sipërfaqe prej 25 kilometra katrorë. Pala ruse pretendon se ata nuk marrin pjesë në sulmet ajrore në Halep. Sipas të dhënave të ofruara nga ekipi i Mbrojtjes civile, për shkak të pamundësisë që të largohen nga zonat e konfliktit, 35.000 njerëz në lindje të Halepit kanë mbetur në territorin, i cili u pushtua nga trupat e regjimit dhe degët siriane të organizatës PKK, PYD.
Halepi është qyteti i dytë më i madh në Siri. Qendra e qytetit është 40 kilometra nga kufiri turk. Pjesa perëndimore e qytetit të Halepit është nën kontrollin e regjimi, kurse pjesa lindore nën kontrollin e opozitës. Të dhënat e Drejtorisë së Shëndetësisë në Halep tregojnë se banorët për 101 ditë nuk mund të përmbushin nevojat themelore humanitare. Për tri javë në qytet nuk punojnë spitalet, qendrat mjekësore, furrat, shkollat…