Mijëra dosje që dokumentojnë abuzimet seksuale të priftërinjve katolikë me minorenët janë zhdukur. Shqetësimin e ngriti kardinali gjerman Rajnard Marks, gjatë fjalës së tij në konferencën kundër abuzimit me të miturit në Vaktikan. Bëhet fjalë për dosje që përmbajnë denoncime që të miturit e abuzuar dhe familjarët e tyre kanë bërë tek drejtuesit e kishave në mbarë botën.
“Dosjet mund të përmbanin fakte të tmerrshme mbi abuzimet që janë kryer dhe emrat e personave përgjegjës. Por ato janë djegur dhe në shumë. Në këtë mënyrë, në vend të abuzuesve janë ndëshkuar viktimat”.
Kardinali kërkoi më tepër transparencë mbi përgjigjen që klerikët katolikë u kanë dhënë denoncimeve për abuzime me fëmijët. Dyshimet u hodhën në ditën e fundit të konferencës 4 ditore thirrur nga Papa Françesku, në të cilën morën pjesë 190 kardinalë nga e gjithë bota. Kisha katolike po përballet me presion në rritje për t’i dhënë zgjidhje problemit prej disa dekadash të abuzimit me shërbyesit e mitur brenda kishës.