Shkup, 22 tetor – Përmbushët gjithçka që u kërkua nga ju, e plotësuat pjesën tuaj. Por në Bashkimin Evropian vendimet për këto çështje sillen unanimisht, ndërkaq për fat të keq ne sërish e prolonguam këtë çështje. E kuptojmë zhgënjimin e qytetarëve dhe të politikanëve nga vendimi i Këshillit të Evropës në Bruksel, por mbetemi të përkushtuar ndaj Maqedonisë së Veriut dhe rajonit.
Këtë në intervistë e thotë euroambasadori në vend, Samuel Zhbogar, duke pranuar se duhet të bëhen reforma edhe në vetë procesin e sjelljes së vendimeve brenda në BE.
Nënvizon se zgjerimi i BE-së drejt rajonit mbetet prioritet i tyre strategjik, dhe kjo nuk është ndryshuar.
Në pyetjen nëse në maj në Samitin në Zagreb pret që vendi të marrë datë, thotë se tani BE-ja duhet të përmbahet nga premtimet.
“Duhet të përmbahemi nga premtimet, sepse premtuam në qershor të vitit të kaluar dhe në qershor të vitit 2019 dhe tani në tetor, dhe tani është më mirë të përmbahemi nga dhënia e premtimit për data, por prandaj duhet të fokusohemi në ndryshimet e mirëfillta”, porositi Zhbogar.
Lidhur me atë nëse do të përforcohet ndikimi politik rus dhe ndikimi ekonomik kinez në rajon pas “jo”-së franceze për Maqedoninë e Veriut, Zhbogar thotë se në BE nuk kanë asgjë kundër që vendet të kenë marrëdhënie të mira me vende të tjera.
“Nuk jemi kundër që vendet të kenë marrëdhënie të mira me Federatën ruse, si dhe marrëdhënie ekonomike me Kinën. Kjo u mbetet vetë vendeve të vlerësojnë se çfarë përfitimesh marrin nga kjo. Jemi të bindur, ndërkaq që edhe morëm konfirmim mbrëmë nga liderët e të gjitha partive politike se ata të ardhmen e vendit e shohin në BE dhe se do të bëjnë gjithçka për ta përshpejtuar procesin”, theksoi Zhbogari.
Maqedonia e Veriut do të mbajë zgjedhje të shpejta, të caktuara për 12 prill. A ndjen Brukseli përgjegjësi për vendimin e këtillë, veçanërisht nëse vendi pas zgjedhjeve sërish futet në krizë politike?
“Të gjithë e kuptojmë zhgënjimin e qytetarëve dhe të politikanëve nga vendimi ose mosvendimi i Këshillit Evropian në Bruksel. Liderët tanë, nga kryetari i Këshillit Donald Tusk e deri te kryetari i Komisionit Evropian Zhan Klod Junker, deri te eurokomisari Johanes Han ishin shumë të qartë në vlerësimin se çfarë ndodhi. Por, njëherësh, më duhet të themi se asgjë nuk ka ndryshuar në raportin tonë. Mbetemi të përkushtuar në Maqedoninë e Veriut. Bashkimi Evropian mbetet i përkushtuar në rajonin. Zgjerimi i BE-së drejt rajonit mbetet prioritet strategjik, dhe kjo nuk ka ndryshuar. Mbetemi donatori më i madh, mbetemi partneri më i madh tregtar, destinimi më i madh eksportues dhe vijnë investime të mëdha nga investitorë të mëdhenj në vend. Kjo mbetet e pandryshuar. Ne do të vazhdojmë të punojmë me vendin, do të vazhdojmë të mbështesim dhe të ndihmojmë dhe në muajt e ardhshëm do të kemi diskutime të brendshme për ndryshimin në politikën e zgjerimit edhe para Samitit në Zagreb, liderët tanë do t’i rikthehen çështjes së hapjes së bisedimeve me Maqedoninë e Veriut. Njëherësh, pashë se liderët mbrëmë u morën vesh për zgjedhje në prill, kështu që kjo është thuajse në të njëjtën periudhë kur ju do të keni periudhë zgjedhore, ndërsa ne do të kemi konsultime të brendshme për modifikimin e politikës së zgjerimit dhe para muajit maj shpresoj se do të vazhdojmë me këtë”.
Cili është mendimi juaj për vendimin e Këshillit Evropian që të mos hapë bisedime. Presidenti francez Makron kërkoi metodologji të re të bisedimeve. Pse kjo nuk i është bërë e ditur vendit para se ta ndërronte emrin?
Kërkesa franceze për ndryshimin e metodologjisë nuk është kërkesë vetëm franceze. Konsideroj se shumë vende pyeten nëse procesi i zgjerimit, i tillë siç është tani jep me të vërtetë rezultate të mira. Nga ana e BE-së, kemi mungesë të shohim se ka ndryshim me zgjerimin. Bisedimet për zgjerim rrjedhin me disa vende të caktuara, por njëherësh nuk shikojmë ndryshime në vendet ashtu siç presim. Nga ana e kandidatëve, po ashtu shikojmë se ka gjithnjë e më shumë hapa dhe data për hyrje gjithnjë e më shumë prolongohet. Nëse Kroacia bisedoi gjashtë vjet, Serbia tashmë bisedon gjashtë vjet e gjysmë, dhe nuk është thuajse as afër hyrjes, Mali i Zi bisedon tetë vite e gjysmë dhe ende nuk kanë hyrë. Gjithashtu, vendeve kandidate u duket se ky është një proces i pafund ose i përhershëm. Prandaj, të dyja palët edhe vendet anëtare edhe kandidatët në njëfarë mënyre nuk ishin të lumtura nga mënyra në të cilën zhvillohej zgjerimi. Edhe këtë presidenti francez e nxori në diskutim dhe insistonte që kjo tani të vihet në tryezë dhe së bashku të gjejmë mënyrë më të mirë se si të arrijmë rezultate. Në fund, kjo mund të rezultojë më mirë për vendet kandidate. Ndoshta do të ketë më shumë parashikueshmëri, gjasa më të mëdha në gjithë procesin. Por, do të shohim, ende nuk kemi filluar diskutime të rëndësishme. Por, është me rëndësi që mbetet përkushtimi për zgjerimin e Ballkanit Perëndimor. Kjo nuk është vënë në pikëpyetje.
Zotëri Zhbogar, a na gënjeu BE-ja me mosmarrjen e vendimit për datën, meqë Maqedonia e Veriut i përmbushi të gjitha kushtet që i ishin caktuar?
“Liderët e mi e thanë qartë. Presidenti Tusk kur ishte këtu në Shkup e tha shumë qartë – Ju keni bërë gjithçka që është kërkuar prej jush. I zgjodhët marrëdhëniet bilaterale me fqinjët, u angazhuat me reformat, por gjithmonë ka ende gjëra që duhet të bëhen, por gota është gjysmë e mbushur dhe po bëhet gjithnjë e më e mbushur. Nga pikëpamja jonë, ju e përmbushët pjesën tuaj. Por, në Bashkimin Evropian vendimet për këto çështje sillen unanimisht. Javën e kaluar ne këtë nuk e arritëm, por liderët e prolonguan vendimin dhe do t’i rikthehen kësaj çështjeje para muajit maj. Mendoj se ky është një hap në procesin dhe nuk është fundi i rrugës dhe nuk do ta përdorja fjalën që ju e përdorët për qasjen tonë ndaj vendit. Thjeshtë, ne fatkeqësisht sërish e prolonguam këtë çështje, me qëllim që ta rregullojmë fillimisht shtëpinë tonë”.
Presidenti Makron tha se anëtarësimi i plotfuqishëm në BE i Ballkanit Perëndimor nuk duhet të jetë opsioni i vetëm. A paralajmëroi ai me këtë edhe fundin e zgjerimit?
“Bisedimet substanciale për zgjerimin, për metodologjinë e re të zgjerimit ende nuk kanë filluar mes vendeve anëtare. Por, siç e thashë qartë edhe më parë, politika e zgjerimit është prioritet strategjik për Bashkimin Evropian. Kjo është e mbrojtur edhe me Marrëveshjen e Lisbonës me nenin 49 dhe tani u mbetet vendeve anëtare të diskutojnë se si ta bëjnë këtë në mënyrën më të mirë të mundshme, në mënyrë që Bashkimi Evropian të vazhdojë të jetë funksional. Në strategjinë që e miratoi Komisioni vitin e kaluar, KE-ja bën të ditur në nevojën e reformave në Bashkimin Evropian, në mënyrë që të mund të funksionojë kur numri i anëtarëve të saj do të rritet mbi 30. Komisioni madje edhe tha se BE-ja duhet të bëhet më e thellë, para se të bëhet më e gjerë. Kjo do të thotë se duhet ta integrojmë më shumë dhe me siguri të mos jetë e thënë që të gjitha vendimet t’i marrim unanimisht, para se të pranojmë anëtare të reja, meqë procesi i vendimmarrjes tashmë është i vështirësuar, me 28, ose në këtë rast me 27 dhe do të bëhet gjithnjë e më i ndërlikuar kur do të keni anëtarë shtesë. Prandaj, ka nevojë për reforma në marrjen e vendimeve në BE me vendosjen e mundshme të vendimmarrjes me shumicë votash, para se të pranojmë anëtare të reja. Por, kjo nuk do të thotë se e hedhim poshtë politikën e zgjerimit. Mendoj se Bashkimi Evropian është i vetëdijshëm për përgjegjësinë ndaj këtij rajoni, është i vetëdijshëm për përkushtimin e rajonit ndaj BE-së, ndaj vlerave, qëllimeve evropiane. Ishte e këndshme të dëgjohet mbrëmë nga të gjithë liderët politik se mbeten të përkushtuar në rrugën evropiane dhe kjo është rruga e vetme nëpër të cilin ecën vendi dhe se do të bëjnë gjithçka që është e mundshme duke përfshirë gjashtë muajt e ardhshëm për të forcuar këtë rrugë”.
Ju nuk morët vendim për fillimin e bisedimeve, por kjo nuk do të thotë se ky është fundi i rrugës. Hapja e bisedimeve është akt simbolik. Kjo është me rëndësi, por kjo në thelb nuk i ndryshon jetët e njerëzve. Ajo që e ndryshon jetën e njerëzve janë reformat. Reformat në jurisprudencë, reformat në mjedisin jetësor, reformat në ekonominë, në shëndetësinë, arsimin… Procesi i zgjerimit është këtu që t’i nxisë dhe ndihmojë reformat. Por, kjo nuk është zëvendësim për reformat. Do të vazhdojmë të mbështesim vendin në gjithë procesin reformues dhe shpresoj se për gjysmë viti do të rikthehemi në këtë çështje dhe në metodologjinë e re që duhet të dakordohet mes liderëve.
Mirëpo, hapjen e bisedimeve qytetarët e shikonin si një lloj motivimi. Kjo ishte kryesorja. Vendi padyshim duhet të vazhdojë reformat, por hapja e bisedimeve do të ishte një nxitje shtesë edhe për administratën në gjithë procesin. Ky do të ishte një motivim për të gjithë.
“Pajtohem me ju dhe ju kuptoj. Në aspektin simbolik është shumë e rëndësishme dhe ende është e rëndësishme. Dhe fatkeqësisht këtë vendim nuk e morëm javën e kaluar. Por, shpresoj se do të tentojmë që në nivel politik si BE dhe si vende anëtare, por edhe në nivel lokal këtu si delegacion evropian çfarë aktivitetesh dhe hapash mund të ndërmarrim, që t’u tregojmë njerëzve se rruga jonë vazhdon, se do të mbetemi të angazhuar madje edhe më shumë në të ardhmen. Thjeshtë t’u tregojmë njerëzve se ne jemi këtu, do të mbetemi në vend dhe do të mbetemi me ta me reformat që do të sjellin jetë më të mirë dhe më normale”.
Sa ka Bashkimi kapacitet për të marrë vendime, a nevojitet reformë në këtë drejtim?
“Po, reforma është përfundimisht e nevojshme. Të gjithë shprehen se procesi i vendimmarrjes është kompleks, meqë jemi 28, ndërsa filluam gjashtë. Ndërkohë jemi rritur, por procesi i vendimmarrjes mbeti i njëjtë. Duhet doemos të pësojë ndryshime, gjë që u theksua edhe në strategjinë. Do të diskutohet çështja vitin e ardhshëm kur edhe do të fillojmë të debatojmë për ardhmërinë e BE-së. Ky do të jetë njëri prej elementeve të rëndësishme – ndryshimi i procesit të vendimmarrjes. Pra, më shumë vendime të merren me shumicë votash, ndërsa është e mundshme që për disa vendime vetëm disa vende të shkojnë së bashku më përpara se të tjerat, siç e kemi tani Shengenin, më pas Eurozonën dhe siç kemi bashkëpunim në fushën e mbrojtjes. Në të ardhmen, me siguri bashkëpunimi i këtillë i forcuar mes vetëm disa vendeve anëtare do të zhvillohet. Reforma e këtillë diskutohet në BE me siguri në dy vitet e ardhshme. Një reformë e tillë është e nevojshme në mënyrë që BE-ja të bëhet më funksionale, meqë bota ndryshon shumë shpejtë.
Mosçelja e bisedimeve sipas disa funksionarëve të lartë të BE-së mund të rezultojë me destabilizim të rajonit. A është BE-ja e gatshme për një skenarë të këtillë?
“BE-ja nuk e ka ndryshuar politikën ndaj rajonit. BE-ja është e përkushtuar ndaj rajonit. Siç edhe e thash, politika e zgjerimit edhe më tutje mbetet politika jonë strategjike për rajonin. Në çdo vend, ne jemi investitori më i madh, pronari më i madh dhe partneri më i madh strategjik. Ne jemi të lidhur me këto vende, të gjitha ato e shikojnë ardhmërinë në BE dhe kjo nuk mund të ndryshohet. Nuk ekziston alternativë, as për ne, e as për ta. Angazhimi ynë do të vazhdojë, nuk do të ndryshojë pas vendimit të javës së kaluar. Prej 1 dhjetorit do të kemi Komision të ri Evropian, që do të ketë energji të re dhe vizion të ri, si dhe politika të reja dhe prioritetet të reja. Kryetari i KE-së qartazi e bërë të ditur se Ballkani Perëndimor është prioritet si rajon, si për KE-në, ashtu edhe për Presidenten. Nuk shikoj nevojën që ne të japim sqarime për planifikim për situata të jashtëzakonshme, meqë nuk do të duhej të mos shkojë sipas planit. Angazhimi ynë vazhdon”.
Mospërmbushja e premtimit të Bashkimit shpie drejt rënies së besueshmërisë së saj në rajon dhe vepron në mënyrë demotivuese edhe për të tjerët që duhet t’i zgjidhin kontestet bilaterale. Ku të gjendet tani motivimi?
“Motivimi duhet të ekzistojë te politikanët të cilët kanë për qëllim të përmirësojnë standardin jetësor të qytetarëve. Populli i zgjedhë politikanët dhe ata duan t’i përmirësojnë jetët e njerëzve, e votuesve të tyre në mënyrë që t’i zgjedhin përsëri. Ky është motivimi më i madh. Vendimi i javës së kaluar, gjegjësisht mungesa e vendimit lidhur me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, nuk e ndryshon këtë. Përkundrazi, mendoj se ka gjasa që pasi ta miratojmë metodologjinë e re, do të ketë gjasa më të mëdha në diskutimet për zgjerimin. Se do të ketë parashikueshmëri të gjithë procesit, më të madhe sesa deri tani. Tashmë e përmenda se i gjithë procesi bëhet gjithnjë e më i gjatë, se gjithnjë e më shumë hapa bëhen pjesë e gjithë procesit dhe ashtu siç ulet besueshmëria jo vetëm brenda në BE, por edhe në mesin e qytetarëve këtu. Ndoshta metodologjia e re do ta rrisë besueshmërinë dhe kjo do të jetë në favor të qytetarëve të rajonit dhe t’i inkurajojë që t’i zgjidhin të gjitha çështjet që duhet të zgjidhen që t’i bashkëngjiten familjes së BE-së”.
A konsideroni se do të forcohet ndikimi politik rus dhe ndikimi ekonomik kinez në rajon pas “jo”-së franceze për Maqedoninë e Veriut?
“Nuk jemi kundër asaj që vendet të kenë marrëdhënie të mira me vende të tjera. Nuk jemi kundër asaj që vendet të kenë marrëdhënie të mira me Federatën ruse, si dhe marrëdhënie ekonomike me Kinën. Kjo u mbetet vetë vendeve të vlerësojnë se çfarë përfitimesh marrin nga kjo. Jemi të bindur, ndërkaq që edhe morëm konfirmim mbrëmë nga liderët e të gjitha partive politike se ata të ardhmen e vendit e shohin në BE dhe se do të bëjnë gjithçka për ta përshpejtuar procesin. Dhe të përsëris. Është thjesht fakt se 70-80 për qind e tregtisë dhe eksportit realizohet me vendet e BE-së. Shtatëdhjetë për qind e investimeve vijnë nga vendet që janë në BE. Thuajse gjithë ndihma vjen nga BE-institucionet. Nuk ekziston alternativë për rrugën drejt së ardhmes, por kjo nuk i pengon vendet që të kenë marrëdhënie, marrëdhënie të mira, me vende të tjera”.
Qytetarët e Maqedonisë janë të lodhur nga pritja. Cila është porosia Juaj për ta?
“E di, e kuptoj se njerëzit janë të lodhur nga pritja. Më së shumtim, ata janë të lodhur nga pritja për jetë më të mirë, reforma që do t’ua përmirësojnë jetët. Kjo nuk do të ndodhë nëse hapen bisedimet, kjo do të ishte vetëm porosi, motivim, por reformat realizohen në nivel lokal, nga politikanët në vend. Porosia pas zhgënjimit nga politikanët është që të shfrytëzohet çdo ditë për të implementuar reformat dhe të përmirësohet situata, në fushën e ekonomisë, shtetit të së drejtës, arsimit dhe shëndetësisë, dëgjoj se ka shumë probleme. Edhe lidhur me mjedisin jetësor, të gjithë presim që periudha e ndotjes të fillojë. E ne, nga ana tjetër, fillojmë me rishqyrtim – si të përmirësohemi ne, si Delegacion i BE-së. Do të tentojmë të prekim deri te sa është e mundshme më shumë qytetarë, deri te të rinjtë në vend dhe t’i dëgjojmë mirë. Do të kontrollojmë se si i shpenzojmë fondet tona dhe të tregojmë se jemi të përkushtuar në përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve. Do të realizohen vizita të rëndësishme, komunikimi do të vazhdojë, partneriteti ynë konstruktiv do të vazhdojë. Këtu asgjë nuk ka ndryshuar, përkundrazi, do të shohim më shumë nga ky partneritet në të ardhmen. Pas gjashtë muajve, në maj në samitin në Zagreb do të shohim se çfarë do të vendosin liderët për ardhmërinë tonë”.
A prisni ndoshta atëherë vendim pozitiv për datën e bisedimeve?
“Duhet të përmbahemi nga premtimet, sepse premtuam në qershor të vitit të kaluar dhe në qershor të vitit 2019 dhe tani në tetor, dhe tani është më mirë të përmbahemi nga dhënia e premtimit për data, por prandaj duhet të fokusohemi në ndryshimet e mirëfillta”.