Hapat e ardhshëm të Bashkimit Evropian në lidhje me situatën në Maqedoni do të bëhen të ditura pas takimit të sotëm të ministrave të punëve të jashtme të BE-së dhe takimit gjatë të enjtes të presidentëve dhe kryeministrave të vendeve-anëtare të BE-së, deklaroi sot euroambasadori Samuel Zhbogar i cili ishte për vizitë në Tetovë. Ambasadori Zhbogar i pyetur për qëndrimet rreth situatës politike theksoi se në vizitën e javës së kaluar të përfaqësuese së lartë të BE-së Federika Mogerini dhe deklaratave të saj të cilat ishin shumë të qarta, por se hapat e ardhshëm do të bëhen të ditura pas këtyre dy takimeve gjatë kësaj jave.
“Do të shohim cilat janë hapat e ardhshëm, sepse sot Mogerini ka takim me ministrat e punëve të jashtme të BE-së dhe do t’i informojë këta përfaqësues për takimin që e ka pasur në Shkup, ashtu që do të shohim çfarë porosi do të dalin nga takimi, Gjithashtu edhe të enjten, Mogerini do të ketë takim me kryeministrat e vendeve-anëtare të BE-së dhe në atë takim do të bisedojë për situatën, pas çka edhe më tej do të rrjedhin porosi”, tha Zhbogar.
Nuk deshi ta komentojë edhe mundësinë për shtyrjen e zgjedhjeve lokale sepse, siç tha, për atë, përgjigje duhet të japin përfaqësuesit politikë lokalë. Kryetarja e Qytetit të Tetovës, Teuta Arifi tha se për të ardhmëria evropiane e Maqedonisë është një mundësi e madhe për tejkalimin e problemeve dhe ndarjeve, si dhe për zbatimin e reformave që janë të nevojshme.
“Mendoj se ky është interes i përbashkët i të gjithë qytetarëve pa dallim të prejardhjes së tyre etnike që jetojnë në Maqedoni. Varet nga partitë politike dhe vendimet e tyre si do të vendosin për hapat e ardhshëm. Mendoj se ato hapa duhet të jenë në linjën e vlerave demokratike dhe integrimeve euroatlantike, por sido që të zhvillohen, tërë vijimi duhet të jetë konstruktiv, në kuadër të Kushtetutës dhe Ligjeve pozitive të Republikës së Maqedonisë”, tha Arifi.
Thirrjet për ndarje dhe padurim ndëretnik, sipas saj, nuk duhet të jenë pjesë e asnjë agjende politike duke e pasur parasysh faktin se ardhmëria e përbashkët e të gjithë qytetarëve nga ky vend pa dallim të prejardhjes së tyre etnike janë integrimet euroatlantike dhe vend i respektuar në BE. Ambasadori Zhbogar së bashku me kolegun slloven Millan Uazbec sot promovuan projekte të BE-së në Tetovë.