Interi po përgatitet për një merkato të “nxehtë” verore, teksa të hënën në mbledhjen e Asamblesë së Aksionerëve, i është hapur udhë edhe lehtësimit të procedurave të blerjes.
Kjo pasi aksionerët vendosën t’i lënë dorë të lirë presidentit Stiven Zhang, që të hedhë firmë mbi çdo lloj transferimi, pavarësisht vlerës së kartonit.
Deri para këtij veprimi, Stiven Zhang mund të hidhte firmë për blerjen e lojtarëve deri në vlerën 40 milionë eurove, ndërsa drejtuesit e klubit e kishin këtë të drejtë deri në vlerën 20 milionë euro.
Tashmë presidentit Zhang nuk do t’i duhet të udhëtojë në Kinë, për të marrë miratimin për blerje të mëdha, pasi mund t’i firmosë vetë, ndërsa Marottës dhe Ausilios u mbetet vetëm të bëjnë negociatat.