Fatos RUSHITI
Shkup, 21 qershor – Qeveria në pjesën e eurointegrimeve i ndjek dy trajektore – njëra është plani 3-6-9, ndërsa tjetra është zgjidhja e çështjeve politike në të cilat hyjnë marrëdhëniet ndëretnike dhe marrëdhëniet me fqinjët, gjegjësisht çështja e gjuhës dhe çështja e hapur me Greqinë dhe Bullgarinë. Duhet të arrijmë edhe konsensus me opozitën. Këtë e deklaroi zëvendëskryeministri i obliguar për Çështje Evropiane, Bujar Osmani i cili të premten mbajti tribunë kushtuar Planit 3-6- 9 dhe zbatimit të tij me përfaqësues të sektorit joqeveritar. “Qeveria do të punojë në mënyrë paralele në dy trajektoret. Përfundimi i detyrave të shtëpisë përmes reformave në trajektoren e parë dhe adresimi i guximshëm i çështjeve të hapura prej trajektores së dytë. Rruga drejt integrimeve do të zhbllokohet përmes adresimit të këtyre dy trajektoreve. Është mirë që jemi pranë nënshkrimit të marrëveshjes me Republikën e Bullgarisë. Jemi duke e mbyllur një çështje të rëndësishme e cila është pengesë në rrugën e eurointegrimeve dhe me këtë e tregojmë qasjen që e ka Qeveria lidhur me këto çështje. Qeveritë dhe liderët janë përzgjedhur që të udhëheqin dhe të sjellin vendime të guximshme politike dhe jo vendime të cilat do t’u sjellin vetëm rejting opinionit. Janë disa çështje të cilat janë emocionale. Kur ka emocione nuk ka racionalitet. Qeveritë nuk janë zgjedhur që të udhëhiqen nga emocionet politike ditore për në mënyrë racionale, ta shohin të ardhmen e popullit dhe shtetit në 10, 100 vitet e ardhshme”, tha Osmani. Sipas tij, Plani 3-6- 9, i cili ka për qëllim zhbllokimin e procesit të eurointegrimeve, por para së gjithash obligim ndaj qytetarëve tanë për ndërtimin e shoqërisë evropiane, vendi e ka mbështetjen e partnerëve tanë ndërkombëtarë, ndërsa pret konsensusi i tillë të arrihet edhe midis pozitës dhe opozitës. “Duhet ta ngrisim këtë rrugë integruese në nivelin supernacional sipas shembullit të Kroacisë ku para se të hyjnë në BE pozita dhe opozita u dakorduan se do të debatojnë në tema të tjera, por jo edhe për rrugën eurointegruese. Ky është qëllimi ynë që plani 3-6-9 të ngritet në nivelin supraetnik, suprapartiak, gjegjësisht në nivelin supranacional”, tha Osmani. Në planin e ri qeveritar 3-6-9, qeveria në plan të parë do të ketë ligjin për gjuhën shqipe edhe atë parazgjedhjeve lokale, ndalim të shfrytëzimit të resurseve shtetërore për zgjedhjeve lokale, ndryshime të ligjit për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe ligjit për informatorët, dhe model të ri për ndjekje të komunikimeve, ndalim të reklamave qeveritare, kontroll dhe mbikqyrje e forcuar e Parlamentit ndaj shërbimit inteligjent, bashkëveprim me Presidentin, ligj të ri për këshillin gjyqësor, dhe rregullore të re të këshillit për media. Ai sqaroi se implementimi i tij në, siç theksoi, kushte të limituara të shpalljes së zgjedhjeve dhe muajve verorë përfshin 73 masa të ndara në 11 sfera prej të cilave më komplekse janë gjyqësia, zgjedhjet dhe Kuvendit. Tani thotë, sfida është të bëhet sistem për monitorim, zbatim dhe informim, i cili është i përgatitur dhe për të cilin sot do të bisedojnë me sektorin OJQ. Deri më tani, që nga prezantimi i planit para 2-3 javësh, janë realizuar 7-8 masa, thotë ajo. Nga sektori joqeveritar, nga ana tjetër, kërkoi plani 3-6-9 të parashohë edhe masa për atë se si Qeveria do të bashkëpunojë me ta dhe këtë të mos e lë në mekanizmat joformale siç është rasti tani. “Edhe pse ka vullnet për bashkëpunim, ne si sektor qytetar nuk mund të lejojmë kjo t’i lihet vullnetit të mirë”, tha Ardita Abazi nga Instituti për politika evropiane. Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve Osmani theksoi se zgjedhjet do të jenë testi i parë nëse kjo qeveri është ndryshe, ndërsa duke e pasur parasysh se bëhet fjalë për afat të shkurtër nuk do të shkohet në reforma sistemore të cilat kërkojnë ndryshimin e ligjeve.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.