Numri i personave fantomë, pa dokumente, në Maqedoni është shumë më i madh nga numri zyrtarë prej 650. Ata janë persona të cilët për shkak se nuk posedojnë dokumente personale nuk mund ti realizojnë të drejtat e tyre themelore. Ky problem po zvarritet me vite të tëra dhe mund të zgjidhet vetëm se me ndryshime rrënjësore ligjore
Destan JONUZI
Shkup, 5 dhjetor – Në Maqedoni zyrtarisht janë 650 persona të cilët nuk janë të evidentuar dhe nuk posedojnë dokumente personale, ndërsa me këtë status nuk mund ti realizojnë as të drejtat e tyre themelore qytetare – nuk mund të kenë as sigurim shëndetësor, sigurim pensional dhe invalidor, të drejtë që të udhëtojnë jashtë shtetit, të kurorzohen etj. Ky numër i të ashtuquajturve “fantomë”, ose persona inekzistent, është fituar nga një hulumtim i përbashkët i Ministrisë për Punë dhe çështje sociale, Drejtorisë së librave amë, Ministrisë së Brendshme, Zyrës së Avokatit të Popullit, shoqatave joqeveritare, si dhe të OSBE-së dhe UNHCR-së. Sipas të dhënave pjesa më e madhe e këtyre personave janë të nacionalitetit rom, por ka edhe shqiptarë edhe të tjerë që preken nga ky problem. Ndërkaq, numri jozyrtar i personave fantom sillet nga 1 mijë 500 deri në 2 mijë.
PROPOZIM-LIGJI PËR PERSONAT E PAREGJISTRUAR ENDE NË SIRTAR
“Ne kemi pas raste të cilët i kemi udhëhequr procedurat dhe sipas hulumtimit tonë kemi arrit në konstatim se në Maqedoni ka raste të personave të cilët nuk janë të regjistruar askund, pra nuk posedojnë asnjë dokument. Rastet janë nga më të ndryshmet. Nëse marrim përkatësin etnike si tregues, kryesojnë romët, por ka edhe shqiptarë dhe të tjerë. Ne i kemi kërkuar Qeverisë që të zgjidhet çështja e këtyre personave. Kemi marrë informacion kthyes se Qeveria këtë çështje do ta zgjidh përmes miratimit të Ligjit për evidentim të çrregullt të kësaj kategorie njerëzish”, deklaroi për KOHA, Avokati i Popullit, Ixhet Memeti. Nga ana tjetër, tani e një vit ka ngecur në sirtarët e Parlamentit propozim-ligji për personat e paregjistruar. Nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale thonë se derisa të miratohet ligji, Qeveria në seancën e mbajtur në Tetovë ka urdhëruar krijimin e një grupi të punës të përbërë prej tyre dhe nga Ministria e Brendshme, ajo e Drejtësisë, Drejtoria për udhëheqjen e Librave amë dhe autoritetet komunale. Por, siç informojnë nga kjo ministri nëse kjo kategori e qytetarëve do të marrin nënshtetësinë apo vetëm do të kenë dokumente të posaçme identifikimi do ta thotë MPB-ja. “Ministria e Punës dhe Politikës Sociale mund të merr nismë për procedurat që kanë të bëjnë me realizimin e të drejtave civile të njeriut të atyre personave, të cilët me vite jetojnë në shtetin tonë por nuk i kanë këto të drejta. Nuk e di për çfarë arsye, thjeshtë pushteti i kaluar nuk ka pasur interes të zgjidhë këtë çështje. Në mandatin e kësaj qeverie ne do të gjejmë mënyrën se si fëmijët e atyre familjeve do të shkojnë në shkollë dhe do të marrin dëftesa, se këto familje do të kenë sigurim shëndetësor dhe se do të marrin mbrojtje sociale, sepse këta qytetarë jetojnë para syve tanë dhe nuk guxojmë t’i anashkalojmë”, thonë nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale. Ndërsa nga MPB-ja thonë se me këtë ligj, personave të paregjistruar deri më tani, do të u jepet mundësia që të gëzojnë të drejtat e garantuara me ligj, deri në marrjen e shtetësive. Sipas MPB-së sivjet kanë aplikuar mbi 1200 persona për marrjen e shtetësisë, por me këtë kategori duhet të niset që nga e para, meqë nuk janë të evidentuar as në Librat Amë. Ndërkohë nga drejtoria që udhëheqë me Librat Amë thonë se janë në pritje të miratimit të ligjit në Parlament dhe pastaj së bashku më të gjitha institucionet relevante të dalin derë më derë për evidentimin e banorëve “fantomë”.
PARTITË SHQIPTARE PRO LIGJIT
Deputetët e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), janë pro miratimit të Ligjit për regjistrimin e personave të paregjistruar. “BDI në të gjitha rastet ku qytetarëve u zgjidhet një e drejtë e mohuar ka qenë aty për të dhënë mbështetje. Ne si shqiptarë më së miri e dimë se çfarë është diskriminimi dhe kur ligji të jetë në Parlament ne do e mbështesim”, thanë për KOHA, nga grupi parlamentar i BDI-së. Ndërsa deputeti i Lëvizjes BESA, Fadil Zendeli vlerëson se Ligji duhet të miratohet sa më parë që tu zgjidhet halli këtyre qytetarëve, por shprehet ai mungon vullneti i shumicës parlamentare. “Jemi pro miratimit të ligjit. Qeveria s’ka vullnet të zgjidh hallin e kësaj kategori njerëzish që të mund edhe ato ti shfrytëzojnë të drejtat e tyre. Pra të bëhen me identitet, pasi që juridikisht ato janë persona fantomë”, deklaroi për KOHA, Zendeli. Nga Aleanca për Shqiptarët (ASH) e Ziadin Selës theksojnë se më shqetësues se ky problem është problemi me Ligjin për shtetësi. “Në Maqedoni jo zyrtarisht numri i qytetarëve të cilët nuk posedojnë shtetësi sillet nga 40 deri në 50 mijë. Ne jemi që të intervenohet në Ligjin për shtetësi dhe të largohet ajo norma fatkeqe ku qytetarët që aplikojnë për shtetësi refuzohen me pretekstin se janë të rrezikshëm për shtetin. Ka raste ku plotësohen të gjitha kushtet dhe bazuar në këtë normë refuzohen aplikuesit, sidomos shqiptarët. Rasti më eklatantë është ai i refuzimit të peronave të moshuar që kanë mbi 70 vjet me pretekstin se janë të rrezikshëm për shtetin”, deklaroi për KOHA, Syrija Rushidi, deputet i ASH-së. Ai potencon se ASH-ja gjithnjë ka qenë aty ku është dashur të përmirësohet një e padrejtë ndaj qytetarëve, sidomos atyre shqiptarë.
LIGJI PËR SHTETËSI DUHET TË PËSOJË NDRYSHIME
Shpëtim Pollozhani, kryetar i Shoqatës së ish të burgosurve politik shqiptarë thotë se derisa partitë politike shqiptare nuk i japin prioritet absolut të drejtave kolektive të elektoratit të vetë përpara atyre individuale dhe partiake, nuk do të ketë zgjidhje për këtë problem artificial. “Kemi informata se disa raste janë zgjidhur nëpërmjet të intervenimeve partiake. Po kundërshtarët e pushtetarëve? Ligji aktual për dhënien e shtetësisë duhet të pësojë një ndryshim thelbësor sa i takon të drejtës diskrecionale të organit përkatës pranë Ministrisë për Punë të Brendshme. Ne kemi edhe një sekretar shtetëror për çështjet e shtetësisë. Është turp i madh që as edhe një deputet i pozitës ose i opozitës shqiptare nuk e ka sensibilizuar opinionin për këtë çështje, duke kërkuar që për këtë problem të diskutohet në Parlament”, shprehet në prononcimin e tij për KOHA, Pollozhani. Sipas tij, është tragjedi që një nëpunës i eshallonit të pestë në MPB të vendosë a do të evidentohet ndonjë shqiptar si i gjallë ose si “fantom” pasi pushteti e ka edhe listën e saktë të qytetarëve “fantomë”. Ndryshe, Propozim Ligji për regjistrimin e personave të paregjistruar gjatë hartimit ishte shpallur edhe në Regjistrin e vetëm elektronik kombëtar, të njohur si ENER. Të dhënat zyrtare flasin se gjysma e banorëve “fantomë” nuk janë regjistruar nga që janë analfabetë.