Urim HASIPI
Tetovë, 22 shtator – Në dalje të Shipkovicës për në fshatin Brodec, pothuajse çdo herë kur ka reshje më të mëdha të shiut, bllokohet rruga. Prurjet e mëdha të dheut që vijnë nga pjesët e larta sillen në këtë rrugë, duke e bërë të njëjtën të pamundshme për qarkullim, shkruan gazeta KOHA. Tashmë, edhe pse e njëjta është asfaltuar, megjithatë sërish bllokohet, sidomos në muajt e pranverës dhe vjeshtës. Ndonëse në përmasa më të vogla, kohëve të fundit, megjithatë ky vend është potencial që të ndodhë edhe ndonjë tragjedi më e madhe, sepse vërshimet në atë zonë janë të mëdha dhe të paparashikueshme. Kjo është një nga rrugët kryesore dhe e vetme që lidh fshatrat e Malësisë me Tetovën. Në shumë raste kur është bllokuar e njëjta, me orë të tëra kjo rrugë ka qenë e pakalueshme. Prurjet e mëdha të dheut shkaktojnë telashe të shumta për këta banorë, sepse rrugë tjetër nuk ka. Zëvendësministri i Mbrojtjes, Bekim Maksuti, thotë se janë bërë studime dhe duhet shumë punë që të mos përsëritet bllokimi i rrugës në dalje të Shipkovicës.
“Është fakt, ura që lidh dy vendbanimet, Shipkovicën dhe Brodecin,se ne kemi bërë një mbikëqyrje, një hetim të situatës më thellësisht, rezultatet kanë treguar se atje do të duhet një punë goxha më e madhe nga ajo që ne kemi pasur kapacitete si Ministri e Mbrojtjes, kemi qenë në bashkëpunim të ngushtë me Komunën e Tetovës dhe për këtë problem do të shohim një zgjidhje afatgjate, sepse edhe atje, njëjtë sikur në Poroj, kemi pothuajse çdo verë vërshime”, ka deklaruar zëvendësministri i Mbrojtjes, Bekim Maksuti.
Ai ka nënvizuar se edhe kjo pjesë shumë problematike në rajonin e Tetovës, do të jetë pjesë e projektit që do të financohet nga UNDP-ja. “Problemi do të zgjidhet vetëm atëherë kur edhe ajo pjesë është e futur në projektin e UNDP-së që ka komuna, që ka Ministria e Ekologjisë dhe bashkërisht besoj se do t’ia dalim mbanë që atë problem ta zgjidhim njëherë e përgjithmonë dhe jo me zgjidhje parciale të problemeve”, tha Maksuti.
Banorët nga ana e tyre e kanë përshëndetur minimin e shkëmbinjve në këtë fshat, ndërsa kanë theksuar se nevojitet që të ndërtohet një urë që të zgjidhet njëherë e përgjithmonë ky problem. “Është mirë që janë minuar shkëmbinjtë, sepse kanë qenë rrezik çdo herë, ngase banorët asnjëherë vetë nuk do të mund t`i largonin. Nuk mjafton vetëm thyerja e gurëve, por duhet ndërtuar një urë, që është më kryesore, sepse sërish kur do të bie shi do të bllokohet. Pa urë, nuk bëhet asgjë. Shteti duhet të bëjë analiza dhe doemos ta ndërtojë urën”, thonë banorë e kësaj zone. Përndryshe, më 29 gusht të vitit të kaluar u shkatërruan disa shkëmbinj në këtë pjesë të rrugës, por edhe kjo rezultoi pa sukses, sepse menjëherë pas vërshimeve, e njëjta rrugë u bllokua disa herë, kurse banorët vazhdojnë që të kërkojnë zgjidhje afatgjate për këtë problem të tyre. Ata kanë kërkuar ndërtimin e një ure, por deri më tash kërkesa nuk është marrë seriozisht. Ndryshe, shumë vendbanime të Pollogut janë të rrezikuara nga vërshimet në periudha të ndryshme të vitit, sidomos vendbanimet e Malësisë së Tetovës, por pa e përjashtuar fshatin Poroj. (koha.mk)