Patriot LUMANI
Strugë, 28 dhjetor – Tregu i qytetit të Strugës, pavarësisht që u konceptua para disa dekadave si një objekt që do i mbijetonte viteve dhe do i shërbente qytetit si një qendër e mirëfilltë tregtare, sot realiteti i saj është tjetërfare, shkruan gazeta KOHA. Ai është në degradim e sipër në çdo drejtim. Nga Ndërmarrja komunale, e cila menaxhon me një pjesë të këtij objekti, theksojnë se degradimi i këtij objekti ka ardhur më shumë edhe si pasojë e paqartësisë pronësore-juridike. Drejtori i kësaj ndërmarrje, Garip Kaba, potencon se gjendja në tregun e Strugës dhe ngushtimi i hapësirave është një fenomen, i cili nga viti në vit ka ardhur duke u rënduar. Kaba saktëson se në një moment të dytë kur qyteti i Strugës të ketë më shumë mundësi zhvillimi, duhet parë një zgjidhje tjetërfare, sepse lënja në këtë gjendje e tregut nuk i shërben qytetit. Ai nënvizon se ka inicuar disa ide për zhvillimin e kësaj hapësire, por deri tani ata kanë mbetur vetëm ide, sepse ka një paqartësi pronësore e cila pengon zhvillimin e kësaj hapësire në partneritet publiko-privat. Ideja për shndërrimin e përdhesës së tregut të gjelbër të qytetit në një garazh parkimi me kapacitet prej 50 mjetesh motorike, investim ky i domosdoshëm, do të presë një kohë tjetër për t’u jetësuar. Nga Ndërmarrja komunale e “Higjienës”, e cila ka inicuar këtë investim, theksojnë se projekti ka marrë miratimin dhe lejet e nevojshme në drejtim të qëndrueshmërisë nga pikëpamja e qarkullimit rrugor, ndërsa për momentin çështja ka mbetur pa kaluar në Njësinë për çështje pronësore-juridike. Drejtori i Ndërmarrjes “Komunale”, Garip Kaba, potencon se ky investim, nëse do të realizohej, do ishte në partneritet me sektorin privat, duke sjellë hapësira të reja parkim aq të nevojshme në këtë pjesë të qytetit të Strugës. Ndërmarrja komunale e Higjienës gjatë periudhës së kaluar është ballafaquar me probleme të shumta financiare dhe organizative, gjë që është reflektuar edhe në organizimin e grevave të punëtorëve, për shkak të mosmarrjes së pagave me muaj të tërë. Probleme të tjera që kanë sfiduar këtë ndërmarrje komunale kanë qenë mjetet teknike dhe transportuese për kazanët e qytetit dhe ato industrial dhe, mbi të gjitha, problem shtesë është mungesa e një deponie me parametra dhe standarde bashkëkohore. Me ardhjen e Garip Kabës në krye të Ndërmarrjes komunale, për herë të parë kjo kompani publike pas disa viteve, duhet thënë problematike, nga shumë qytetarë të Strugës si dhe pushues dhe turistë që për çdo vit vizitojnë këtë qytet, është përgëzuar dhe inkurajuar për angazhimin në funksion të pastrimit dhe kultivimit të gjelbërimit në rrugët dhe shëtitoret e Strugës.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.