Zgjidhja e problemit me mbeturinat, Shilegov: “Drislla” me teknologji bashkëkohore

Shkup, 20 janar – Gjatë periudhës së ardhshme shqetësimi kryesor i qytetit të Shkupit do të jetë që “Drislla” të shndërrohet në deponi të parë sanitare e cila do të aplikojë teknologji bashkëkohore për menaxhimin me mbeturina si dhe i gjithë potenciali i saj ekonomik të jetë kryesisht në shërbim të qytetarëve, paralajmëroi kryetari i Qytetit të Shkupit.

“Janë krijuar kushte që gjatë ditës së nesërme të shkarkohet drejtori aktual i “Drisllës” dhe të emërohet ushtrues i ri i detyrës së drejtorit, ndërsa në mbledhjen e Këshillit të Qytetit të Shkupit të caktuar për më 29 janar do të përzgjidhet këshill i ri drejtues dhe ai mbikëqyrës, tanimë ndërmarrjes së re publike të qytetit, për menaxhimin me mbeturinat komunale.”,- tha kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov.

Pas prishjes së marrëveshjes me koncesionerin e tanishëm “FCL Ambiente”, Shilegov nuk pret padi. Shtoi se do të hulumtohet edhe më tej kapaciteti i deponisë, por deri më tani thekson se nuk ka njohuri që në “Drislla” janë dërguar mbeturina të dëmshme.

Në lidhje me skandalin me drejtorin e “Drisllës”, Angelov, si dhe firmës së tij për importin e mbeturinave të rrezikshme në Bullgari, Shilegov tha se nëse ka diçka të mirë në këtë punë është se ka të bëjë me vendin fqinj e jo me Qytetin e Shkupit.

“Nuk mund të jap asnjë përgjigje konkrete në këtë temë, kjo është diçka që institucionet kompetente pas marrjes së “Drisllës” si dhe asociacioneve qytetare, të gjithë ata të cilët kanë njohuri të caktuara  për parregullsi eventuale të mundshme, t’i shkëmbejmë për të ardhur deri tek vërtetimi i gjendjes faktike.”,- u shpreh kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov.

Drejtori i” Drisllës”, Goran Angellov, edhe sot nëpërmjet mesazhit e përsëriti qëndrimin e tij: “Unë si bashkëpunëtor i vogël me 15% në firmën “Bllacion” nuk jam udhëheqës e as person i autorizuar. Shpresoj që së shpejti do të pastrohet e gjithë kjo në interes të qytetarëve, por edhe për ne, palët e prekura të cilët jemi zënë dhe befasuar keq nga e gjithë kjo”.

Ai shton se nuk ka çka të thotë për diçka që nuk din dhe nuk ka marrë pjesë në atë marrëveshje e cila është përshkruar në mediat bullgare. Sipas Angellovit, e vërteta dhe drejtësia do të dalin në sipërfaqe.

U deklaruan edhe nga dogana, duke theksuar se është ngritur shkalla e kontrollit të çdolloj mbeturine. Mohojnë se kompania “Bllacion” figuron si dërgues në procedurën doganore importuese. Vitin e kaluar janë importuar 15 ton mbeturina, por nga dogana nënvizojnë se nuk bëhet fjalë për mbeturina të rrezikshme. (koha.mk)