Kosova dhe Serbia nuk duhet të kërkojnë “çelësin” e një marrëveshje përfundimtare në Uashington, Bruksel ose Berlin, por në Beograd dhe Prishtinë. Kështu ka deklaruar në intervistë ekskluzive për gazetën KOHA, Ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, ku gjithashtu flet për sigurinë rajonale, detyrimet dhe përparësitë e Armatës nga anëtarësimi në NATO, si dhe për modernizimin ushtarak. Ndër të tjera, Shekerniska u bënë thirrje pjesëtarëve të Armatës që shkojnë në misione, nëse dikush u kërkon ryshfet, të inkurajohen dhe të raportojnë. “Çdo informacion ose provë e një presioni të tillë do të hetohet dhe do t’i përgjigjet plotësisht,” thekson ministrja e mbrojtjes, deri sa thekson se kjo nuk është vetëm se shkelje e ligjit, por edhe shkelje e betimit ushtarak. Një gjë e tillë, thotë Shekerinska, “nuk do të tolerohet”
Intervistoi: Destan JONUZI
KOHA: Cilat janë planet për modernizimin e ushtrisë gjatë këtij mandati? Sepse uniformat dhe çizmet tashmë janë siguruar!
SHEKERINSKA: Problemet që ekzistonin në vitin 2017, në fillim të mandatit të parë, nuk na dhanë shumë hapësirë për zgjedhje. Ato ishin aq probleme të mëdha dhe afatgjate që patjetër duhej të ishin prioritet. Në mandatin e parë unë kisha dy qëllime: i pari ishte që Maqedonia e Veriut të bëhej anëtare e NATO-s, dhe qëllimi i dytë ishte të ndërpritet së foluri për mungesën e uniformave dhe çizmeve në ushtri. Dhe, me të vërtetë, duke parë këto dy çështje të mëdha, mund të them se Qeveria ka arritur sukses 100%. Ne u bëmë anëtar i NATO-s pas 30 vitesh pritje dhe për herë të parë mund të themi se pjesëtarët e Armatës janë plotësisht të pajisur me uniforma dhe çizme të reja. Për një anëtar të NATO-s, ky nuk është një kompliment i madh. Kjo, thonë njerëzit, është e kuptueshme, por në 20 vitet e fundit nuk është kuptuar. Ajo për të cilën unë jam krenare dhe e kënaqure është se nuk do të lejojmë që këto çështje të jenë temë në periudhën e ardhshme.
Çdo vit do të blejmë një sasi të caktuar të çizmeve dhe uniformave, do të krijojmë furnizimet e nevojshme që të mos ndodhë më i njëjti problem. Por fokusi ynë tani do të jetë më ambicioz: modernizimi i Armatës, që është edhe pjesë e përgjegjësive dhe obligimeve tona si anëtar i NATO-s. Në fund të vitit të kaluar, ne nënshkruam marrëveshjen e parë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të furnizuar Armatës me automjete të lehta të blinduara dhe në fund të vitit 2021 ose në fillim të 2022 presim automjetet e para moderne të blinduara për ushtrinë tonë, të njëjtat që përdoren edhe nga ushtarët amerikanë. Në total, ne do të sigurojmë rreth 150 automjete, ndërsa për momentin kemi porositur dhe paguar për 33 automjete të blinduara.
KOHA: Armata e një vendi anëtar të NATO-s, natyrisht, kërkon një rritje të buxhetit. Cilat janë parashikimet buxhetore?
SHEKERINSKA: Edhe para se të bëhej anëtare e NATO-s, Maqedonia e Veriut kishte një plan, në cilin vit sa fonde buxhetore do t’i ndahen Armatës. Sipas planit tonë, çdo vit ne rritëm buxhetin me 0.2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), në mënyrë që të arrijmë 2 për qind të PBB-së deri në vitin 2024. Ne do të kemi rritje çdo vit, por këto para do të jenë këtu. Ne duam që paratë që ne ndajmë për ushtrinë, të nënkuptojnë mbrojtje më të mirë për vendin dhe qytetarët, një Armatë më të përgatitur dhe të pajisur më mirë, dhe në të njëjtën kohë e gjithë kjo do të jetë letërnjoftimi i identitetit tonë në NATO.
KOHA: Sipas standardeve dhe rregullave të NATO-s, hapësira ajrore e secilit shtet anëtar kontrollohet nga dy shtete të tjera anëtare. Kush e kontrollon hapësirën ajrore të Maqedonisë pas anëtarësimit të vendit në NATO?
SHEKERINSKA: Ne kemi një marrëveshje mbi bashkëpunimin e mbrojtjes me Greqinë, e cila u nënshkrua nga dy ministrat. Pjesa teknike e marrëveshjes u nënshkrua nga shefat e shtabeve të të dy ushtrive. Por tani nuk do të jetë më një marrëdhënie dypalëshe midis dy vendeve. Do të jetë një mision i NATO-s dhe ekziston një procedurë e NATO-s për atë që duhet të kompletohet plotësisht. Një marrëveshje për mbrojtjen e hapësirës ajrore është nënshkruar me Greqinë dhe natyrisht do të duhet të nënshkruhet edhe me një shtet tjetër anëtar të NATO-s, për të cilin nuk kemi vendosur ende. Ne do të vendosim për këtë çështje së bashku në NATO. Pra, kjo nuk është një marrëdhënie dypalëshe, por një nga misionet e NATO-s.
KOHA: Konkursi për pranimin e 200 ushtarëve të rinj profesionist vijon. Cilat janë kriteret dhe kushtet? Si është përfaqësimi etnik në to?
SHEKERINSKA: Në vijim është Konkursi për pranimin e 200 ushtarëve të rinj profesionistë dhe i inkurajoj të gjithë të rinjtë deri në 25 vjet që kanë mbaruar shkollën e mesme, të aplikojnë. Kjo është një mundësi e mirë për karrierë, e cila është jo vetëm e vendore, por tani mund të jetë një karrierë në NATO. Ndërkaq, kohë më parë kemi mbyllur konkursin për pranimin e 70 ushtarëve profesionistë, procedura e të cilit ka filluar para pandemisë, para zgjedhjeve dhe për këtë arsye nuk kemi mund ta mbyllnim në kohë. Për shembull, në këtë konkurs, mbi 24 për qind e kandidatëve të pranuar janë shqiptarë, dhe nëntë anëtarë të tjerë të komunitetit turk, rom, boshnjak. Ne kujdesemi shumë për përfaqësimin adekuat të të gjitha komuniteteve. Problem më i madh lind me regjistrimin në Akademinë Ushtarake, sepse aplikojnë pak kandidatë shqiptar. Në konkursin e fundit në Akademi, të gjithë ata që aplikuan dhe plotësuan kushtet u pranuan, por ndonjëherë kjo nuk mjafton. Nga këtu u bëj thirrje për interes më të madh. Ne duam që të aplikojnë më shumë kandidatë. Në anën tjetër, në konkursin e fundit për ushtarë profesionistë interesimi ishte shumë i madh. Për 70 vende kemi pasur mbi 700 kandidatë të regjistruar, që është një numër rekord në 15 vitet e fundit. Anëtarësimi i vendit në NATO e ka bërë profesionin më tërheqës, por kuptohet që edhe rritja e pagave të pjesëtarëve të Armatës ka qenë arsye e interesit të madh. Kohët e fundit, kemi një numër të madh edhe të vajzave të reja, jo vetëm maqedonase, por edhe shqiptare dhe rome, të cilat aplikojnë. Unë pata rastin të përgëzoj njërin prej tyre për të qenë ndër më të mirët në kontrollet fizike. Përfaqësimi gjinor për mua ende nuk është i kënaqshëm, veçanërisht në pjesën e ushtarëve dhe numri arrin rreth 10%. Ndërsa në administratë dhe personelin civil të Ushtrisë, numri është më i lartë. Por tani ka njerëz në çdo garnizon që punojnë për të përmirësuar çështjet gjinore, dhe kjo do të stimulojë vajzat të regjistrohen dhe të mbeten në Armatë.
KOHA: Në të kaluarën, nuk kishte asnjë anëtar të komunitetit shqiptar në Njësitë Speciale të Ushtrisë “Ujqit” dhe “Renxherët”. A ka ndryshuar kjo situatë? Dhe ndërkohë, a do të funksionojnë këto dy njësi, sipas standardeve të NATO-s, si një organ dhe me një komandë?
SHEKERINSKA: Në çdo vend, Njësitë Speciale të Ushtrisë janë forca elitare. Përveç Grupit të Luftimit të Këmbësorisë së Lehtë, ne duhet t’u përgjigjemi kërkesave të NATO-s me një numër anëtarësh të njësisë speciale që do të jenë pjesë e burimeve tona. Sidoqoftë, kur thoni strukturë elitare, atëherë duhet të keni parasysh se ajo gjithashtu pasqyron imazhin e shtetit që përfaqëson. Transformimi ka prekur të gjithë Ushtrinë, disa nga komandat po bashkohen, ndërsa janë formuar edhe komando të reja. Njësitë speciale në strukturën e re tani nuk janë më nën kontrollin e Shtabit të Përgjithshëm, por nën Komandën Operative, e cila ndodhet në Kumanovë. Ka shumë ndryshime, dhe disa prej tyre kanë përfshirë njësitet speciale dhe fakt është që për herë të parë në 20 vjet – kemi arritur të kemi anëtarë të komunitetit shqiptar dhe bashkësive të tjera etnike në to, sepse ne besojmë se kjo është një forcë shtesë e një shteti. Nga 1 shtatori, filluan procedurat e tjera për transformimet e reja, në Shtabin e Përgjithshëm dhe njësitë e tjera. Qëllimi ynë është të jemi më të mirë, dhe më profesional në të gjitha nivelet, por gjithashtu të tregojmë se dyert janë të hapura për të gjithë.
KOHA: Tani ne jemi anëtarë të NATO-s, çfarë më tutje?
SHEKERINSKA: Në pjesën e parë, të gjithë ishim të përqendruar në qëllimin strategjik – anëtarësimi në NATO. Kjo u arrit, dhe tani është pjesa e dytë – ajo më e vështira. Tani duhet të tregojmë se nuk po e mbajmë vendin në NATO vetëm zyrtarisht, por jemi ulur në atë karrige sepse aleatët e tjerë të Aleancës mund të kenë besim tek ne. Ky do të jetë një mision edhe më i vështirë dhe më i përgjegjshëm për ne dhe për mua si ministre. Tani të gjithë jemi para testit, nëse jemi seriozë në ato që kemi thënë dhe nëse jemi seriozë si vend dhe qytetarë. Përveç flamurit të NATO-s që kemi pranë nesh, ne duam të shtojmë edhe një flamur tjetër – ai është flamuri i BE-së. Të dy janë të lidhur ngushtë. Si do ta tregoni veten në tryezën e NATO-s, do të vlerësoheni kur të uleni për të negociuar me BE-në. Nëse jemi seriozë, të përgjegjshëm, nëse “fjala na rëndon” – ne do të kemi të njëjtin imazh në BE dhe ata do të na besojnë më shumë. Kjo është arsyeja pse anëtarësimi në NATO është një përgjegjësi e madhe për ne, por edhe një shans shumë i madh. Jam thellë e bindur që në shumë fronte anëtarësimi në NATO do të na hapë dyert për në BE.
KOHA: Si i vlerësoni marrëdhëniet ndërfqinjësore në rajon?
SHEKERINSKA: Ne jetojmë në një botë që nuk duhet të ndalemi së menduari për sigurinë. Maqedonia e Veriut është një nga vendet që kërkoi mbështetjen e NATO-s kur i duhej dhe e mori atë. Por, tani ne nuk jemi të pranishëm në tryezën e NATO-s për të diskutuar për veten, por ne jemi këtu për të folur për problemet, për të folur për Afganistanin, por edhe për Kosovën, përfshirë dialogun Prishtinë-Beograd. Të diskutojmë kërcënimet hibride, kërcënimet kibernetike, etj. Unë mendoj se përgjegjësia jonë e madhe si Qeveri ishte të konfirmonim se duam që vendi të kontribuojë në sigurinë rajonale dhe kjo është arsyeja pse ne vendosëm për herë të parë të dërgojmë pjesëtarë tanë të Armatës, si anëtar i NATO-s, për t’u bashkuar me misionin e KFOR-it në Kosovë. Unë pres që kjo të bëhet realitet deri në fund të këtij viti, dhe vitin e ardhshëm do të kemi një numër edhe më të madh të pjesëtarëve të Ushtrisë në misionin e KFOR-it në Kosovë. Një pjesë e tyre do të jenë së bashku me Gardën Kombëtare të Vermontit nga SHBA-ja.
KOHA: Dialogu Kosovë-Serbi ka hyrë në fazën e fundit! A mendoni se Prishtina dhe Beogradi mund të arrijnë një zgjidhje?
SHEKERINSKA: Unë jam optimiste nga natyra dhe besoj se edhe problemet më serioze mund të zgjidhen kur ekziston vullneti politik. Sidoqoftë, në të gjitha mosmarrëveshjet, jo vetëm në rajonin tonë, por edhe në botë, derisa gjithçka të mbarojë, askush nuk mund të garantojë nëse do të ketë një zgjidhje apo jo. Zgjidhja për të gjitha problemet nuk mund të gjendet as në Uashington, as në Bruksel, as në Berlin. Ne duhet ta gjejmë vullnetin politik në shtëpi. Nëse ka vullnet politik në Beograd dhe Prishtinë, do të gjendet zgjidhje. Dhe patjetër, kjo zgjidhje do të jetë një investim i madh në stabilitetin rajonal. Të gjithë duam që të ndodh, t’i japim fund problemeve, të mos krijojmë zona gri, dilema dhe atmosferë të keqe midis fqinjëve. Kemi shumë probleme të përbashkëta me të cilat përballemi për çdo ditë, Covid-19, ekonomia, kërcënimet e terrorizmit global, etj. Këto probleme janë tashmë serioze. Nëse nuk keni mirëkuptim dhe besim të ndërsjellë me fqinjët, këto probleme bëhen edhe më serioze.
KOHA: Që kur keni ju drejtoni Ministrinë e Mbrojtjes, keni vendosur rregulla të reja për pjesëtarët e ushtrisë që duan të shkojnë në misione paqeruajtëse. Cilat janë ato?
SHEKERINSKA: Interesimi i pjesëtarëve të Ushtrisë për të marrë pjesë në misionet paqeruajtëse është i madh. Ishte shumë i madh kur erdha në krye të ministrisë, përsëri vazhdon të jetë i madh, sepse pjesëmarrja në një mision u jep ushtarakëve mundësinë për të zgjidhur problemet ekzistenciale. Por ndërkohë kemi ndryshuar disa rregulla. Për ushtarët profesionistë, unë kam futur një rregull – ata që kanë qenë në një mision, të mos mund të shkojnë për herë të dytë. Për sa kohë që ka interes të madh, të tjerëve që kualifikohen gjithashtu duhet t’u jepet mundësia të marrin pjesë në operacionet ndërkombëtare të NATO-s, BE-së ose Kombeve të Bashkuara. Ndryshimi i dytë ishte përmirësimi i pagesave. Ne kishim një sërë procesesh gjyqësore në gjykata deri në vitin 2017, sepse anëtarët që ishin në mision – nuk morën pagën e tyre, por morën vetëm dëmshpërblim. Ne kemi krijuar një sistem në mënyrë që paga e të gjithë atyre që janë në mision, të vijë këtu në llogari në denarë, ndërsa të gjitha mëditjet e tjera merren si fonde shtesë. Në këtë drejtim, ne kemi rritur me rreth 500 euro të ardhurat mujore të ushtarëve profesionistë dhe nënoficerëve që marrin pjesë në misione paqeruajtëse. Interesimi për misione paqeruajtëse si në Afganistan dhe Kosovë është i madh, për shkak të përfitimeve financiare, por edhe për shkak të përvojave të fituara gjatë misionit. Ka më shumë interes për misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, ndoshta për shkak të afërsisë së tij. Por, pa marrë parasysh sa Kosova është më afër Afganistanit, duhet të jetë e qartë për të gjithë se ata do të kalojnë gjashtë muajt e ardhshëm në mision. Ne do të kujdesemi për këtë, në mënyrë që të ketë barazi, në mënyrë që të ketë rregull, por edhe për një mbrojtje më të mirë nga Covid-19.
KOHA: Jepet edhe kërkohet ryshfet për pjesëmarrjen e disa prej ushtarëve në misionet paqeruajtëse në Afganistan, por tani thuhet se kërkohen ryshfet edhe për misionin e KFOR-it në Kosovë. Po flasim për shuma deri në 5 mijë euro. A ka ndonjë të vërtetë në këto thashetheme?
SHEKERINSKA: Ka zëra të tillë, madje kishte disa hetime brenda Ministrisë dhe kjo ishte, për shembull, shpjegimi pse disa njerëz ishin në disa herë në misione paqeruajtëse në Afganistan, ndërsa disa asnjëherë dhe vazhdimisht refuzoheshin. Kjo është arsyeja pse vendosa rregullin që një person nuk mund të shkojë në një mision paqeruajtës dy herë. U bëj thirrje të gjithëve që kanë përvojë të tillë të vijnë dhe të ngrenë iniciativa. Toleranca për një gjë të tillë është zero. Unë i inkurajoj njerëzit të nëse janë ndonjë provë ose shembull të denoncojnë. Nëse dikush bën presion dhe kërkon ryshfet, nuk është vetëm shkelje e ligjit, por edhe e betimit të Ushtrisë. Deri më sot, asnjë anëtar i vetëm nuk ka ardhur dhe nuk ka thënë se dikush më ka kërkuar ryshfet. Përndryshe, nëse raportohet, ne do të kemi tolerancë zero dhe do të hetojmë dhe reagojmë plotësisht. Dua t’u them pjesëtarëve të Ushtrisë që të mos bie pre e këtyre mashtrimeve sepse abuzime të tilla, nëse marrim ndonjë informacion dhe provë, nuk do të tolerohen. Në misione, ne mbrojmë imazhin e vendit, por edhe imazhin e NATO-s. Kushdo që ka përvojë të tillë duhet ta raportojë dhe duhet të reagohet, as unë, as Shtabi i Përgjithshëm nuk duhet të kemi tolerancën edhe më të vogël ndaj këtyre dukurive.