Zgjidhja e çështjeve të hapura mes vendeve të rajonit për standard më të mirë të qytetarëve

20

Shkup, 22 shtator – Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, sot në kabinetin e tij e priti Majlinda Bregun, sekretare e përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal.

“Me këtë rast, Kryetari Xhaferi shprehu kënaqësi për këtë takim të sërishëm me BreguN, kur bashkëpunimi rajonal intensifikohet dhe thellohet, a sidomos në kohë të pandemisë kur shumica e takimeve ndërkombëtare zhvillohen në mënyrë virtuale. Ai theksoi se Republika e Maqedonisë së Veriut, i kushton vëmendje të madhe bashkëpunimit rajonal, si komponentë kryesore e eurointegrimit të rajonit dhe në vazhdimësi merr pjesë aktive në punën e organizatave rajonale dhe nismave, përfshirë edhe në takimet e Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (PBEJL). Shprehu kënaqësi që në Sesionin plenar të Asamblesë Parlamentare të PBEJL në kuadër të kryesimit kosovar, shtetet pjesëmarrëse arritën të miratojnë me konsensus rezolutën finale dhe shprehu shpresë se edhe vitin e ardhshëm, kur me procesin do të kryesojë Republika e Turqisë, ky trend pozitiv do të vazhdojë”, thonë nga kabineti i Xhaferit.

Sekretarja e përgjithshme Bregu ia uroi rizgjedhjen Kryetarit Xhaferi, e përshëndeti formimin e Qeverisë dhe funksionalitetin e Kuvendit. Ajo theksoi se gjatë vizitave në Republikën e Maqedonisë së Veriut, çdoherë ka diskutime të frytshme dhe konstruktive në nivelin e lartë dhe gjithmonë ndjehet e mirëseardhur.

Në drejtim të kornizës shumëvjeçare të bashkëpunimit rajonal dhe ekonomik MAP-REA-2, znj. Bregu theksoi se kjo kornizë është krijuar nga Procesi i Berlinit me të cilin aktualisht bashkë kryesojnë Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Bullgarisë, dhe e njëjta parashikon avancim të infrastrukturës digjitale dhe ndërlidhje të vendeve të rajonit, qarkullim të lirë të tregtisë dhe kapitalit, mbështetje të inovacioneve dhe sipërmarrësisë si edhe investim në aktivitete për tërheqjen e talenteve në vendet e rajonit.

“Ajo sugjeroi se bashkë kryesimi ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Bullgarisë është mundësi e shkëlqyer që në vepër të konsolidohen dhe promovohen marrëdhëniet e mira fqinjësore mes dy vendeve. Për arsye se, edhe pse Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal punon në mënyrë intensive në më shumë fusha për zhvillimin e bashkëpunimit rajonal, përsëri, për shkak të çështjeve të pazgjidhura politike në rajon, si edhe paragjykimeve nga e kaluara, ballafaqohen me vështirësi në realizimin e aktiviteteve”, thonë nga Kabineti i kryetarit të Kuvendit.

Xhaferi e informoi Bregu për aktivitetet rrjedhëse të Kuvendit në drejtim të kompletimit të delegacioneve të bashkëpunimit multilateral dhe grupeve të bashkëpunimit bilateral, si edhe hapin e mbetur, respektivisht emërimin e zëvendësministrave të Qeverisë.

“Në fund të takimit, bashkëbiseduesit e mbështetën diplomacinë parlamentare në të gjitha proceset e bashkimit rajonal ndërmjet vendeve dhe përfunduan se të gjitha ngjarjet në rajon duhet të ndiqen me vëmendje të madhe dhe vazhdimisht të veprohet në drejtim të zgjidhjes së përbashkët të të gjitha çështjeve të hapura ndërmjet shteteve në rajon, me një qëllim të vetëm të përmirësimit të standardit jetësor të gjithë qytetarëve”, informojnë nga kabineti i Xhaferit.

Comments are closed.