Vonesat e orëve elektrike në Bashkimin Evropian për shkak të kontestit për rrymën midis Serbisë e Kosovës kanë marrë fund.
Këtë e ka konfirmuar për “Kohën Ditore” Claire Camus, zëdhënësja e Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit (ENTSO-E), e cila ka potencuar se ky problem është zgjidhur qysh në fillim të muajit mars.
“Operatorët e Rrjetit Evropian të Sistemit të Transmisionit janë pajtuar dhe kanë ndërmarr një program kompensimi përmes së cilit frekuenca është mbajtur pak më lart sesa normalisht (duke futur më shumë energji në sistem sesa që nevojitet) për të mbuluar devijimet kohore. Ndërsa, që nga dita e djeshme, situata është kthyer në normalitet”, ka thënë Camus për “Kohën Ditore”.
Rrjeti kosovar i Transmisionit, sipas saj, është debalansuar mes janarit dhe marsit, dhe për këtë, Rrjeti serb i Transmisionit nuk e ka kompensuar këtë të parën siç është dashur ta bëjë në bazë të rregullave të Sistemit Kontinental Evropian të Energjisë, raporton Koha.net.
Kujtojmë se një devijim i frekuencës së energjisë, si pasojë e moskoordinimit mes Kosovës dhe Serbisë, i ka shkaktuar 113 gigavatë energji humbje Sistemit të Energjisë së Evropës Kontinentale, ka njoftuar Rrjeti Evropian i Operatorëve të Sistemit të Transmisionit (ENTSO-E).
Devijimi i frekuencës së energjisë, sipas një kumtese të ENTSO-E, vjen për shkak se që nga mesi i janarit, Kosova është duke shpenzuar më shumë energji elektrike sesa që aktualisht prodhon. Ndërkaq thuhet se Serbia ka dështuar ta balancojë rrjetin energjetik të Kosovës për të cilën aktualisht është përgjegjëse.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.