Shkup, 29 janar – Komisioni i Kuvendit për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve sot i zgjodhi anëtarët e Komisionit për përzgjedhje të kandidatëve për kryetar dhe për anëtarë të Komisionit shtetëror për parandalim të korrupsionit.
Komisioni zgjodhi shtatë anëtarë prej të cilëve katër janë nga radhët e deputetëve, gjegjësisht nga dy nga pozita dhe opozita. Janë zgjedhur Dragi Celevski, i emëruar nga Avokati i Popullit, Sabina Fakiq dhe Besim Nebiu si përfaqësues të shoqatave gjegjësisht fondacione të emëruara për anëtarë në Këshillin për bashkëpunim mes qeverisë dhe sektorit qytetar. Nga radhët e deputetëve anëtarë do të jenë Muhamed Zekiri nga LSDM-ja, Artan Grubi nga BDI-ja, Zoran Ilioski nga VMRO-DPMNE-ja dhe Vladanka Aviroviq nga grupi i pavarur parlamentar i VMROI-DPMNE-së.
Anëtarët e Komisionit të zgjedhur për përzgjedhje do të bëjnë përpunimin e të dhënave personale, me çka janë të detyruar që të sigurojnë fshehtësi dhe mbrojtje të përpunimit të të dhënave personale.
Konkursin, të cilin Kuvendi e publikoi më 22 janar ka zgjatur deri më sot, ndërsa sipas kryetarit të Komisionit për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve Ilija Dimovski deri më tani kanë arritur rreth 60 aplikacione për anëtarë të komisionit të antikorrupsionit.
Afatet për zgjedhjen e përbërjes së parë të komisionit antikorrupsion, sipas ligjit të ri, janë shkurtuar me qëllim që komisioni i ri të formohet para se të fillojë fushata për zgjedhjet presidenciale. Intervistat e kandidatëve do të transmetohen drejtpërdrejtë në RTVM, ndërsa do t’i udhëheqin përfaqësues nga ASHAM, nga Bashkimi Ndërparlamentar , shoqata të qytetarëve të cilët merren me antikorrupsion.
Siç është theksuar në konkursin, zgjidhet kryetari i komisionit dhe gjashtë anëtarë me mandat prej pesë viteve, të cilët nuk do të kenë të drejtë që të rizgjidhen. Gjatë zgjedhjes, sipas Ligjit të ri për parandalim të korrupsionit dhe konfliktit të interesit, do të vlejë parimi i përfaqësimit adekuat dhe parimi i përfaqësimit të barabartë gjinor.