Urim HASIPI
Tetovë, 18 mars – Ndërmarrja publike Parkingu i Qytetit në Tetovë, po përballet me mungesë të asistencës nga ana e policisë së Tetovës për kryerjen e detyrave të përditshme lidhur me funksionimin e merimangës, shkruan gazeta KOHA. Kjo, për shkak se shumë pjesëtarë të policisë janë të angazhuar në çështjen e sigurisë në vend dhe të njëjtit marrin pjesë edhe në sigurimin e protestave që mbahen në Shkup. Kjo ka bërë që ata gjatë ditës të asistojnë diku rreth tre ose katër orë, kurse asistenca e tyre është e nevojshme më shumë se dhjetë orë brenda ditës.
“Dy muajt e parë të këtij viti kemi hasur në shumë vështirësi financiare, sepse kishim zgjedhje. Më pas, për shkak të gjendjes së sigurisë në vend dhe angazhimit të policisë në detyra tjera, kemi shumë pak asistencë nga ana e policisë dhe kjo ndikon negativisht në grumbullimin e të ardhurave të ndërmarrjes sonë. Pjesëtarët e policisë së komunikacionit na duhen në çdo vend ku kemi parking dhe duhet çdo herë të kemi nga dy polic”, tha për KOHA, Fejsal Behadini, drejtor i Ndërmarrjes Publike Parkingu i Qytetit në Tetovë. Problem tjetër i shfaqur kohëve të fundit, është edhe mos-dhënia e pëlqimit nga ana e Sektorit për Punë të Brendshme për zgjerimin e disa bulevardeve. Drejtori Behadini thotë se përgjigjja e tyre ka qenë negative për shkak të, siç tha ai, moskompletimin e dokumentacionit.
“Pas pesë apo gjashtë muajve kemi marrë një përgjigje nga ana e policisë se mungon një dokument që ka të bëjë me një vendim të Këshillit të Komunës së Tetovës. Atë dokument ne e kemi dërguar, por si duket nuk e kanë marrë parasysh. Tani e kemi ridërguar dhe shpresojmë se do të hasim në mirëkuptim nga ana e policisë, e cila do të jep dritë jeshile për zgjerimin e zonave të parkimit në qytetin e Tetovës”, tha ai. Nga policia e Tetovës kanë thënë se leje për zgjerimin e zonës së parkimit nuk është dhënë për shkak të mos përmbushjes së dokumentacionit teknik. Me detaje të reja pritet që policia të del ditëve në vijim.
Ndryshe, sipas drejtuesve të kësaj ndërmarrje, është kërkuar leje nga policia, që në rrugën “Todor Xhipovski” të organizohet parkim në anën e djathtë, në drejtim që automjetet lëvizin nga udhëkryqi i rrugës së “Ilindenit” me rrugën “Strasho Pinxhur” dhe kjo do të jetë pjesë e zonës A. .Në rrugën e “Ilindenit” të organizohet parkim në të dy anët e qarkullimit, gjegjësisht deri në kryqëzimin e rrugëve “Kiro Ristovski” dhe rrugën “Dervish Cara”. Në rrugën “Bllagoja Toska” të organizohet parkim zonal në të dy drejtimet nga kryqëzimi i rrugëve “Memet Pash Deralla” deri në udhëkryqin e rrugës “Metodija Çento”. Gjatë përpunimit të dokumentit pasi që është vazhdim i parkimit zonal duhet që të merret parasysh edhe konfiguracioni momental i rrugëve dhe të ketë kujdes me regjimin aktual të komunikacionit në qytet.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.