Bruksel, 10 janar – Rumania, Finlanda dhe Kroacia, tre vendet e ardhshme kryesuese me Bashkimin Evropian paralajmëruan se zgjerimi do të jetë një nga prioritetet e tyre, lajmëroi korrespondentja e MIA-s nga Brukseli.
Nga reforma e Lisbonës, vendet kryesuese të BE-së përgatisin programe të përbashkëta në treshe, të quajtura “trio”, në periudhën prej 18 muajve. Tre vendet e ardhshme janë Rumania, Finlanda dhe Kroacia.
Përkrahja për zgjerim mbetet për të gjitha tre vendet “politikë kyçe, mes tjerash me qëllim që t’u ofrohet perspektivë kredibile zgjerimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, në suazat e parametrave të dakorduara”, paralajmëroi “trio”.
Samit i ri BE-Ballkan, sipas modelit të Samitit të Sofjes në maj të vitit 2018, do të mbahet në kohën e kryesimit kroat gjatë gjashtë muajve të parë të vitit 2020.
Kur kemi të bëjmë me Turqinë, nuk tregohen shumë detaje përveçse Turqia mbetet vend kandidat dhe partner i BE-së.
Prioritet i lartë për Bukureshtin, Helsinkin dhe Zagrebin do të jetë përforcimi i rolit të Bashkimit Evropian në skenën ndërkombëtare.
Në prioritetet janë përfshirë edhe vendet e fqinjësisë jugore dhe lindore të Unionit, me të cilat “trio” dëshiron t’i përforcojë lidhjet politike, ekonomike, sociale dhe kulturore, paralajmërohet në program. Kur bëhet fjalë për Rusinë, BE-ja do ta mbajë “qasjen e bashkuar” të themeluar në parime, paralajmërojnë vendet.
Migrimi, politika tregtare, politika humanitare, marrëdhëniet transatlantike gjithashtu janë pjesë e qëllimeve të tre vendeve të ardhshme kryesuese, me qëllim të përforcimit të BE-së në skenën botërore.