Gjatë muajve shtator-nëntor 1921, aksionet e çetave në Trevat Lindore shqiptare vazhdonin dhe u shtrinë në rrethet e Tetovës, Shkupit, Kërçovës, Brodit ku dhe ishin ndërmarrë mbi shtatë aksione, nga të cilët do theksuar vrasjen e kryetarit të Hanit të Elezit, sulmi ndaj trenit në linjën Tetovë-Shkup, por dhe çetat u ndanë me humbje. Humbja më e madhja ishte vrasja e Sadin Selmani prijësit të çetës
AKSIONET E ÇETAVE KAÇAKE (GUERILE) NË TREVAT LINDORE SHQIPTARE 1919-1925 – 3
Nga Halim PURRELKU, gazeta KOHA
Për ndjekjen e kaçakëve të strehuar në Korab, në fillim të shtatorit 1920 komandanti i “Sektorit të majtë”-Dibrës i kishte lënë në dispozicion nënprefektit të Rostushës (Galiçnikut) një çetë ushtarake nga Hanet e Mavrovës dhe një repart prej 40 ushtarësh nga Zhernanica (Zhirovnica), por këto nuk shënuan ndonjë efekt të veçantë në ndjekjen e kaçakëve. Për hakmarrje fuqitë serbo-kroato-sllovene terrorizonin popullsinë civile. Nga fundi i shtatorit-fillimi i tetorit 1920, nën pretekstin e vrasjes së një xhandari serbo-kroato-sllovene gjatë një përleshje me kaçakët, në afërsi të fshatit shqiptar Pesoçan të rrethit të Ohrit, forcat serbo-kroato-sllovene masakruan tërë popullatën e fshatit dhe për pasojë pastaj pronat e shqiptarëve u kolonizuan me popullatë sllave me çka tërësisht ndërroi karakteri etnik i fshatit.
Por, aksionet e kaçakëve nuk ndaluan as gjatë muajit tetor 1920. Kalosh Kërçova me çetën e tij prej 150-200 veta, në mbrëmje të 22 tetorit të vitit 1920, ndërmori sulm me përmasa shumë të mëdha mbi selinë komunale dhe stacionin e xhandarmerisë në fshatin Galiçnik, qendër administrative e rrethit të Galiçnikut (Rekës së Dibrës). Gjatë sulmit në fjalë u zhvillua luftë e madhe, që përfundoji me viktima në njerëz nga të dyja palët. Këtë aksion të çetës në Galiçnik gazeta “Stara Srbija” e Shkupit, e karakterizon si sulmi i kaçakëve që “për nga dimensioni i ka tejkaluar të gjitha sulmet e deritanishme…kjo tregon se ato nuk janë plaçkitje të rëndomta dhe aksidente të rralla; por ekspedita të tëra të organizuara…”, të tilla aksionet e çetës së Kaloshit i vlerësuan edhe autoritetet e larta ushtarake jugosllave. Të nesërmen, në mëngjesin e 23 tetorit 1920, Kërsta Smiljaniq-Bradina, komandant i “Trupave të Anadrinit” (në Zonën e Pushtimit jugosllav në Shqipërinë politike), urdhëroi që efektivat e tri çetave ushtarake dhe fuqitë e xhandarmerisë të vihen në ndjekje të çetës së Kaloshit në gjithë territorin e rrethit të Galiçnikut. Ndërkaq, një çete ushtarake iu urdhërua që të zhvendoset përkohësisht nga Hanet e Mavrovës në Galiçnik dhe të vendosi roje nga 10-15 ushtarë në fshatrat Tresonçe, Lazaropole etj. Gjithashtu, edhe nga drejtimi i Kërçovës u dërguan tri ekspedita (potera) në drejtim të Mavrovës. Por, të gjitha këto ekspedita të ndjekjes nuk arritën të asgjësonin çetën e Kaloshit. Siç njoftojnë burimet jugosllave, Kalosh Kërçova me një grup luftëtarësh të çetës së tij, gjatë 26-30 tetor 1920 gjendej në malet e fshatrave Zajaz dhe Baçisht të Kërçovës, nga aty Kaloshi u dërgoi dy letra kërcënuese autoriteteve jugosllave në Galiçnik. Prandaj, do të pason një ekspeditë e madhe tjetër jugosllave e ndjekjes e organizuar nga Ministria serbo-kroato-sllovene e Punëve të Brendshme, e cila filloi më 1 nëntor 1920 dhe do të vazhdoji dy ditë. Në këtë ekspeditë, krahas forcave të xhandarmerisë nga rrethi i Galiçnikut dhe nga rrethi i Kërçovës, do të inkuadrohen edhe tri çeta ushtarake. Mirëpo edhe ky operacion ushtarako-policor serbo-kroato-sllovene i ndjekjes përfundoj pa sukses. Ndërkaq, çeta e Kaloshit në fund të nëntorit dhe në fillim të dhjetorit të vitit 1920, ndërmori edhe tre sulme tjera mbi efektivat e rojeve ushtarake në Galiçnik, të cilat sulme autoritetet ushtarake jugosllave i vlerësonin si të pa suksesshme.
Shkaqet e mossuksesit të ekspeditave jugosllave të ndjekjes kundër çetave ishin të ndryshme. Nga ato ishte dhe mbështetja e çetave nga popullata dhe jatakët të tyre që vazhdimisht i informonin çetat mbi numrin e efektivave të forcave jugosllave dhe drejtimet e lëvizjes së tyre, kurse nga ana tjetër, përkundër reprezaljeve që ushtroheshin mbi popullatën, ajo nuk bashkëpunonte me pushtetin jugosllav dhe nuk i jepte informata pushtetit mbi lëvizjet e grupeve kaçake.
Më 27 janar 1921, Ministria e Punëve të Brendshme e Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene lëshoi “proklamatë”, me të cilën ftoheshin të gjithë kaçakët në “Serbinë Jugore” që deri më 10 mars ti dorëzoheshin organeve shtetërore. Mirëpo, masatë e qeverisë serbo-kroato-sllovene nuk i hamendën kaçakët nga qëllimet e tyre. Në muajt janar-shkurt 1921, në Trevat Lindore shqiptare nuk pati aksione të mëdha të çetave kaçake, me ndonjë përjashtim të rrallë. Megjithatë, në 11 dhe 12 shkurt 1921, Abdulla Bojku me çetën e tij hyri në fshatin Belicë e Poshtme, për çka u ndërmor ekspeditë ndjekje ndaj çetës dhe pësuan tetë veta/fshatarë të cilët u arrestuan nën akuzën se janë jatakë të çetës. Aksionet e kaçakëve morën përmasa më të mëdha nga fundi i shkurtit dhe fillimi i marsit të vitit 1921. Më 23 mars 1921 pati përpjekje të armatosur në malin Korab ndërmjet një çete shqiptare dhe xhandarëve jugosllav.
Ndërkaq, në verë të vitit 1921 u intensifikuan aksionet e çetave kaçake në terren që rezultuan, veç tjerash, me kidnapime të personave zyrtar, me zënien e dy grupeve ushtarësh të cilët u çarmatosën dhe me vrasjen e dy ushtarëve. Në fillim të majit 1921, arriti në rrethin e Kërçovës Sadin Selmani nga fshati Zajas i Kërçovës me çetën e tij prej 16 veta, dhe filloj të ndërmerr aksione të dhunshme në këtë trevë ndaj interesave shtetërore. Por që nga fillimi i majit 1921, në ndjekje të çetës kaçake të Sadinit u angazhuan, krahas forcave policore e ushtarake, edhe çeta çetnike vendore e përbërë nga 50 veta në krye me vojvodën çetnik Bllazhe Nikodijeviq, e cila shërbente si “roje e përgjithshme e rendit publik”. Më 15/ maj 1921 çeta kaçake e Sadin Selmanit pati një përpjekje me çetën çetnike në rrethin e Kërçovës. Kurse, më 30 maj 1921, në afërsi të Gostivarit në një aksion të një çete shqiptare u zunë rob një grup ushtarësh me dy oficerë, të cilët u çarmatosën nga çeta. Më 7 qershor 1921 një grup shqiptarë u ndesh në rrethin e Dibrës me një patrullë jugosllave. Më 13 qershor 1921, një çetë shqiptare në pritë në ngushticën në malin Vllajnicë zuri një grup ushtarësh jugosllav të cilët i çarmatosi.
Gjatë muajve korrik-gusht të vitit 1921 aksionet e çetave ishin më intensive në rrethet e Shkupit, Tetovës, Kërçovës etj. që rezultuan dhe me viktima në njerëz. Në natën e 18-19 korrik qe ndërmarr një aksion diversant ndaj lokomotivës së Trenit në stacionin hekurudhor “Gjeneral Henri” në rrethin e Shkupit. Më 25 korrik një çetë kaçake zuri pritë në rrugën Tetovë-fshati Saraçinë, me qëllim që të kap prefektin e qarkut të Tetovës, por duket se në mungesë të prefektit kidnapoi një grup hekurudharësh (ferovistësh) ku bënin pjesë dhe suplenti dhe shefi i stacionit hekurudhor. Në rrethin e Kërçovës gjatë gjithë verës vazhdonte të veprojë edhe çeta kaçake e Sadin Selmanit, e cila disa herë u përplas me forcat serbo-kroato-sllovene. Nga ato aksione veçohej përleshja e çetës së Sadinit me forcat e ndjekjes në natën e 15-16 gushtit 1921, ku dhe mbetën të vrarë dy luftëtar nga radhët e forcave serbo-kroato-sllovene. Ndërkaq, asokohe Kalosh Kërçova me të vëllain Lazamin me çetën ishin angazhuar përkrahë fuqive kombëtare kundër fuqive mercenare pro serbo-kroato-sllovene të Halit Lleshit e Tafë Kaziut në “Vijën e demarkacioni”. Për shembull, Kaloshi e Lazami me fuqitë e tyre morën pjesë përkrah Dikë Xhelilit dhe Miftar Kaloshit në luftën mbi Prat të Dardhës (rrethi i Peshkopisë) dhe në Krej (majat) e Lurës, më 4 gusht 1921.
Por gjatë muajve shtator-nëntor 1921, aksionet e çetave në Trevat Lindore shqiptare vazhdonin dhe u shtrinë në rrethet e Tetovës, Shkupit, Kërçovës, Brodit ku dhe ishin ndërmarrë mbi shtatë aksione, nga të cilët do theksuar vrasjen e kryetarit të Hanit të Elezit, sulmi ndaj trenit në linjën Tetovë-Shkup, por dhe çetat u ndanë me humbje. Humbja më e madhja ishte vrasja e Sadin Selmani prijësit të çetës. Rreth 5-6 shtator 1921, Kalosh Zajazi, me 16 kaçakë, kaloi kufirin dhe shkoi për në Tetovë dhe shpejtë rifilluan aksionet e çetave. Më 13 shtator 1921, një çetë kaçake, prej 60 vetash sulmoi trenin i cili qarkullonte nga Shkupi në Tetovë. Kurse nga mezi i shtatorit 1921, në rrethin e Brodit, në kufi me rrethin e Tetovës, vepronte një çetë kaçake prej 100 vetash, por dhe në rrethin e Shkupit nga mesi i shtatorit 1921 vepronte një çetë tjetër shqiptare, në krye me “kaçakun e vjetër të Tetovës”, Adem Merxhan Bulku, e cila e likuidoi kryetarin e komunës së Hanit të Elezit (“Gjenerall Jankoviq”).Nga mezi i shtatorit të vitit 1921 edhe Kalosh Kërçova me një numër më të madh kaçakësh rreth 80 -100 vetash tani vepronte në rrethin e Kërçovës dhe në malin Bigla, nga ku i kërkoi pushtetit serbo-kroato-sllovene që të i lirojë familjarët e internuar të tij. Më 18 shtator 1921, Kaloshi me çetën rreth 100 vetash kaloi nga fshati “Hatishtë” (Atishte) të Kërçovës në zonën midis Kërçovës e Brodit dhe nga aty shkoi në malin e Bushovës (“Bushovsku planinu”). Duket se pushteti nuk iu përgjigj kërkesës së Kaloshit, ndaj dhe ai më 17 tetor të vitit 1921 me çetën e vet e sulmoi fshatin Tajmisht i banuar me popullatë sllave, në veri-perëndim të Kërçovës, ku më parë nga fshatarët dhe xhandarët qe plagosur Sadin Selmani. Por, forcat serbo-kroato-sllovene të ndjekjes asokohe vazhdonin ekspeditat e tyre kundër çetave kaçake të Kërçovës. Për rrjedhojë të këtyre ekspeditave, në malin Çelojcë, në veri-lindje të Kërçovës, kah fundi i nëntorit të vitit 1921 në luftë me xhandarmerinë serbo-kroato-sllovene u vra prijësi i njërës çete kërçovare, Sadin Selmani. Vetëm pas vrasjes së Sadin Selmanit, u suspendua gjendja e shtetrrethimit ndaj fshatit Zajaz dhe u larguan nga aty forcat ushtarako-policore jugosllave. (vijon nesër)