Fatos RUSHITI
Shkup, 27 mars – Zëvendëskryeministri për çështje evropiane Bujar Osmani bëri të ditur të hënën se të gjitha opsionet janë në lojë sa i përket rikonstrumit të Qeverisë, i cili do të ndodh, siç tha ai, edhe për shkak të stabilizimit me kuorumin në punimet e Parlamentit, shkruan gazeta KOHA. “Ka debat të hapur për variante, është hapur nevoja – për shembull, për të stabilizuar shumicën eventualisht për shkak të kuorumit në Parlament dhe për shkak të nevojave të tjera qeveritare, por nuk ka një vendim për momentin. Mendoj që Qeveria tani është stabile dhe është e fokusuar në mbylljen e disa temave të rëndësishme. Në një afat të ngushtë kohor, do të shohim dhe do të bisedojmë me partnerët e koalicionit për të gjitha temat, por për momentin – nuk një vendim konkret, natyrisht se do të duhet të plotësohet pozita e ministrit të Drejtësisë pas aktit moral të ministrit Saliji, mirëpo të gjitha opsionet janë të hapura për momentin”, deklaroi Bujar Osmani në pyetjen e gazetarëve se kur do të ndodh rionstruimi i Qeverisë. Ndryshe, deri në fund të kësaj jave pritet të sqarohen pozicionet e dy partnerëve të koalicionit – LSDM dhe BDI rreth asaj se cilat parti politike mund të përfshihen në rikonstrumin e pritshëm të Qeverisë.
Në opinion përfliten Lëvizja BESA me kryetar Afrim Gashin me tre deputetë, Partia Socialiste e Xingos me tre deputetë dhe Partia Demokratike Shqiptare e Menduh Thacit me dy deputetë. Përveç kësaj, rikonstrumi mund të kap edhe emrat aktual të ministrive që drejtojnë LSDM dhe BDI, konkretisht përflitet se Ministrinë e Drejtësisë mund ta merr LSDM, ndërsa BDI të udhëheq me Ministrinë e Arsimit.
Nga ministritë tjera përflitet ajo e Kulturës, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, ministria pa resor që mbulon komunikimin me media, Ministria e Pushtetit Lokal, si dhe ajo e Ekonomisë. Por me interes më shumë se ministritë pritet se kush do të jetë partner i ri qeveritar. Mbetet të shihet nëse LSDM do të marr për bazë performansat e ministrave aktual në drejtim të së cilës foli së fundmi në Komitetin Qendror dhe kryeministri Zoran Zaev, apo do të vijnë në shprehje kalkulimet e ngushta grupore partiake jo vetëm brenda LSDM-së, por edhe ish garnitura të afërta me VMRO për shumë vite në Qeveri, siç ishte rasti i fundit me emërimin e ministrit të Shëndetësisë, Venko Filipçe.
Nga e enjtja mund të ketë takim mes kryeministrit Zoran Zaev dhe kryetarit të Lëvizjes BESA, Afrim Gashi, siç thonë nga zyra për informim e kësaj partie. “Takimi që kishte për tu mbajtur javën e kaluar nuk ndodhi meqë kryeministrit i dolën angazhime shtesë qeveritare, por se ai ka pasur linja komunikimi me kryetarin Gashi. Meqë kryetari deri të mërkurën është në udhëtim zyrtar në Zvicër, nga e enjtja mund të presim një takim mes tij dhe kryeministrit Zaev për të biseduar rreth zgjerimit të Qeverisë. Pa parë se çfarë mund të ofrojë njëherë kryeministri, ne nuk mund të themi se cilat resorë i synojmë”, thanë nga shërbimi për informim i Lëvizjes BESA. Sipas disa burimeve, BDI përderisa më herët kishte qëndrim pro hyrje s BESËS me kryetar Afrim Gashi, tani pritet të mbajë qëndrim të fortë për PDSH-në edhe pse ka rezistence nga një pjese e strukturave të larta të BDI-së dhe po ashtu nga disa struktura të larta të LSDM-së.
Nga LSDM po lobohet nga pjesë e konsiderueshme e Kryesisë së saj që BESA e Afrim Gashit domosdo të jetë pjesë e Qeverisë. Sa i përket grupit parlamentar të Lëvizjes BESA, në Parlament kanë qarkulluar zëra se tre deputetë e krahut të Gashit mund të bashkohen me dy deputetët e PDSH-së dhe të formojnë grup të ri parlamentar. Këto zëra mbeten të konfirmohen ngaqë ende janë në nivel të spekulimeve të grupeve partiake. Nga BDI, burime të sigurta partiake thonë se janë më shumë të interesuar që PDSH të jetë pjesë e Qeverisë, me arsyetimin se partia e Thaçit ka ndihmuar BDI-në ti fitojë bindshëm zgjedhjet lokale në kampin shqiptar që u mbajtën në tetor të vitit të kaluar.
Sipas këtyre burimeve, më shumë gjasa është ministria pa resor që mbulon investimet e huaja pa përjashtuar as ndonjë ministri tjetër, po kjo do të varet nga liderët Thaçi dhe Ahmeti. Sa i përket Ministrisë së Drejtësisë, burime nga BDI thonë se nuk është e thënë pse ka dhënë dorëheqje ministri Bilent Saliji ta marrë nën drejtim LSDM, meqë BDI ka kuadro tashmë të njohur në parti për ministër të Drejtësisë. Përveç një posti ministri, PDSH-së flitet ti ofrohen edhe drejtori të rëndësishme, por se cilat konkretisht, do të dihen kur dhe do të ketë bisedime mes partive për zgjerimin e Qeverisë.
Më konkretisht, për këtë gjë do të dihet pas të premtes kur dhe ka mbledhje Kryesia Qendrore e BDI-së. Ndryshe, kohë më parë, nga PDSH është përfolur emri i nënkryetarit Bardhyl Dautit për ministër të Ekonomisë, synim ky i PDSH-së për të qenë pjesë e Qeverisë. Përveç Lëvizjes BESA, edhe një parti maqedonase ajo e Socialistëve të Xingos mund të përfshihet në Qeveri.
As nga BDI dhe as nga LSDM nuk e përjashtojnë një gjë të tillë, bazuar kjo në qëndrimin e disa deputetëve të këtyre partive që nuk deshën të flasin me emra. Madje, mediat maqedonase kanë raportuar se tashmë në negociata është përfshirë Partia Socialiste e Lubisav Ivanov- Xingo. Kjo parti ka tre deputetë dhe është pjesë e koalicionit me VMRO-në dhe se bashkë me këtë koalicion. Vladanka Aviroviq, Stojan Milanov dhe Lupço Dimovski janë deputetët e kësaj partie që gjithmonë ka qenë në Qeveri. Lupço Dimovski, njëri nga deputetët e saj, është në arrest shtëpiak i akuzuar për ngjarjet e dhunshme të 27 prillit. Në rast se BESA, PDSH dhe PS bëhen pjesë e koalicionit, atëherë ai pritet të arrijë në 70 deputetë. Përveç ministrive, ndryshime priten edhe ne disa drejtori dhe në Fondin për Sigurim Shëndetësor, Drejtorinë e Doganave, Drejtorinë e Pyjeve të Maqedonisë, ELEM, Rrugët e Maqedonisë… (koha.mk)