Votuesit amerikanë po vërshojnë në qendrat e votimit në një zgjedhje që disa po e quajnë më të rëndësishmen e jetës së tyre, pasi Presidenti Donald Trump përballet me një sfidë nga kandidati demokrat Joe Biden.
Ka pasur një numër rekord të votuesve amerikanë që paraqiten për të votuar herët – por çfarë i shtyn këta votues në votime?
Pandemia COVID-19 zë vendin kryesor.
SHBA ka pasur një vit të vështirë prej pandemisë, por virusi është një çështje qendrore kryesisht për votuesit demokratë. Deri në 82% mendojnë se pandemia është një çështje kryesore, krahasuar me 24% të votuesve të Trump. SHBA vazhdon të jetë vendi më i ndikuar në botë nga koronavirusi, me 8.5 milion raste të konfirmuara dhe më shumë se 220,000 vdekje.
Ekonomia dhe humbjet e vendeve të punës.
Ekonomia është gjithashtu një nga çështjet kryesore për votuesit amerikanë, të cilët kanë ngelur të papunë në mes të pandemisë COVID-19. Pew Research Center zbuloi në gusht se ekonomia ishte çështja kryesore për 76% të të anketuarve. Megjithatë, kjo ishte më e rëndësishme për votuesit republikanë, sesa votuesit demokratë. SHBA po rëndohet me të njëjtën pasojë ekonomike si shumë pjesë të tjera të botës, me PBB që ra 32% në tremujorin e dytë të vitit 2020, sipas Departamentit të Tregtisë. Papunësia amerikane gjithashtu shënoi nivele rekord këtë vit, duke arritur 7.9% në shtator, pasi arriti një rekord të të gjitha kohërave prej 14.7% në prill.
Protestat e padrejtësisë racore.
Qindra mijëra protestues përmbytën rrugët për të treguar mbështetje për njerëzit me ngjyrë në Shtetet e Bashkuara, pas vdekjes së shkaktuar nga policia të amerikanit me ngjyrë George Floyd. Të shumtë kanë qenë ato që e kanë kritikuar reagimin e Presidentit Donald Trump ndaj protestave, pasi ai i quajti protestuesit “plaçkitës” në mënyrë të përsëritur dhe refuzoi të denonconte grupet e supremacistëve të bardhë. Dëshira për të votuar është rritur ndjeshëm si rezultat; njerëzit nuk duan katër vite të tjera me këto trazira.
Krimi dhe policimi
Protestat ngjizën gjithashtu një debat kombëtar mbi policinë, me Trump që ka dëshirën të vetshpallet si kandidat i “rendit dhe ligjit”. Shumë konservatorë kanë qenë të shqetësuar mbi thirrjet e të majtëve, që kërkojnë shkurtimin e forcave të policisë në favor të shërbimeve sociale dhe të komunitetit. Republikanët janë gjithashtu të shqetësuar në lidhje me propozimet demokratike për të ndryshuar sistemin e drejtësisë penale.
Emërimet në Gjykatën e Lartë
Emërimi i gjyqtares konservatore Amy Coney Barrett në Gjykatën e Lartë shënoi gjithashtu një moment të rëndësishëm në javët para zgjedhjeve presidenciale të SHBA. Ky emërim pasoi vdekjen e Gjykatëses së Gjykatës së Lartë Ruth Bader Ginsburg, një ikonë e liberalizmit. Vdekja e saj nisi një debat të nxehtë nëse ajo duhej zëvendësuar apo jo. Emërimi në gjykatë i Amt Barret do të ndikojë në ekuilibrin e gjykatës për brezat në vijim, me peshoren që do të anojë në favor të konservatorëve. Demokratët donin që të pritej për një president të ri para se të konfirmohej dikush tjetër në vendin e Ruth. Sipas Qendrës Kërkimore Pew, kjo është një çështje që ka rëndësi si për republikanët ashtu edhe për demokratët.
Ndër çështjet e tjera që i shtynë amerikanët në votime janë imigracioni, drejtësia penale, kujdesi shëndetësor, politika e jashtme, ndryshimi i klimës, aborti dhe politika e armëve. Këto janë tema të mëdha në të cilat janë përqendruar shumë votues amerikanë, por shpesh të ndara nga partitë. Për shembull, ndryshimi i klimës është një çështje kryesore për votuesit demokratë, 68% e të cilëve thanë se kjo është një çështje e rëndësishme në krahasim me vetëm 11% të republikanëve.
Dosti Banushi – SCAN
Burimi: Euronews