Prof.dr. Lutfi BINA
Shpeshherë, por sidomos para zgjedhjeve parlamentare, në Maqedoni më ka rastisur të dëgjoj vlerësime se numri i shqiptarëve në këtë republikë e mbërrin 30% – 40% nga popullata e përgjithshme. Nga 120 vendet e pretenduara për deputetë në Parlamentin e Maqedonisë, sipas matematikës së sistemit proprocional të zgjedhjeve i cili aplikohet në Maqedoni, përqindjet do të duhej të kishim nxjerrur 36 – 48 deputetë shqiptarë në parlamentin e Maqedonisë!? Por, në ‘teren’ situata është tjetër. Krejtësisht e disfavorshme karshi numrave të trumbetuara nga politikanë të partive të ndryshme. Në zgjedhjet e vitit 2002 nga shqiptarët e Maqedonisë u fituan 26 (ose 21.67%) vende deputetësh. Në vitin 2006 u fituan 28 (ose 23.3%)! Në zgjedhjet e vitit 2008 u fituan 29 (ose 24.16%) dhe në vitin 2011, vetëm 25 (ose 20.8%) mandate! Duke u bazuar në sistemin proporcional të zgjedhjeve del se në Maqedoni, numri i popullatës shqiptare nuk e kalon vlerën prej 24.16%/! A është kjo e vërtetë statistikore që tregon se diçka nuk shkon me numrat e mandateve të fituara dhe të përqindjes së popullatës shqiptare në Maqedoni!? Një njëri i zakonshëm jashtë politikës dhe politikanëve do ta pyes veten: a jemi duke i ekzagjeruar shifrat me numrin e vërtetë të shqiptarëve në Maqedoni apo ato shifra (30-40%) po duken joshëse për ‘popullatën’ e painformuar mirë. Sipas vendeve të fituara nga shqiptarët në disa nga zgjedhjet e kaluara del se diçka në matematikën ‘shqiptare’ nuk është kalkuluar mirë. Çfarë është pritshmëria në zgjedhjet e ardhshme? A do t’i kemi 36-48 mandate në parlamentin e Maqedonisë? Ku qëndron problemi? Shpeshherë kam dëgjuar se ‘zonat elektorale nuk janë ndarë si duhet nga blloku maqedonas’! A është krejt kjo e vërtetë? Tani, në këto zgjedhje, në garë janë 5 parti maqedonase dhe 5 parti shqiptare. 5:5 duket si një formulë magjike, e baraspeshës ndërmjet pretendimeve të shqiptarëve dhe maqedonasve. Por, në shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve dalim 1:5! Por pse? Rezultati i pretenduar prej 36-40 vende në Parlament mund të realizohet në qoftë se raporti i mësipërm do të ishte 1:3 (shqiptarë ndaj maqedonasve dhe të tjerëve). Pas secilit ‘debakël’ elektoral fillon gjuajtja e shtrigave ndërmjet partive shqiptare të Maqedonisë! Kërkohen fajtorët për mosarritjen e caqeve të pretenduara. Dikush i fajëson maqedonasit, dikush partitë shqiptare, dikush kërkon faj të kandidatët, te populli, te vjedhja e votës, etj etj. Neve shqiptarëve përsëri dhe përsëri, ….na ka faj dikush tjetër! Por, ne, a kthehemi të shohim vetveten në ‘rrashtin’ tonë? Jo! Jemi të pagabueshëm, jemi më patriotët, jemi më trimat, jemi…e s’jemi! Po, popullata shqiptare në Maqedoni, a ka përgjegjësi për sjelljen e saj ndaj votimës së vetë me të cilën e bën zgjedhjen e kandidatëve për parlament? Militantët e partive nuk e përbëjnë shumicën dërmuese të zgjedhësve shqiptarë të Maqedonisë. Ata janë një pjesë, në të cilat partitë mund të llogarisin me saktësi të mjaftueshme për një numër vendesh në parlament. Por, votues, kryesisht jopartiak, janë ata që vendosin në rritjen e numrit të deputetëve në parlament. Këta votues janë ‘heronjtë’ që mund ta shtojnë prezencën e elementit shqiptarë në parlament, po të vetëdijesoheshin për rolin e tyre tepër të madh që kanë duke dalur masovikisht në zgjedhje, dhe jo duke u mbyllur brenda çajtoreve dhe odave, dhe duke bërë sehire e duke i përqeshur zgjedhjet dhe të kandidatët për zgjedhje dhe në këtë mënyrë duke i ‘zmbrapsur’ ata shqiptarë që duan të votojnë për kandidatët e propozuar nga partitë shqiptare. Me një fjalë, dalja masive e shqiptarëve në votime, do të tregojë forcën reale që shqiptarët kanë në Maqedoni. Në të kundërtën, këta votues me të drejtë vote, por që nuk kanë kontribuar me daljen në zgjedhje, pas humbjeve nuk kanë të drejtë morale të flasin për humbjet e bashkëkombësve të tyre, por duhet të ndjejnë bashkëfajësinë për mossukses në numrin real të ulëseve që nuk janë fituar. Këta votues që nuk dalin të votojnë sipas dëshirës së tyre, me apo pa dashje renditën në taborin e atyre që, thënë butë ‘nuk janë’ për avancimin e çështjes shqiptare në Maqedoni. Ata votues shqiptarë që nuk dalin në zgjedhje nuk kanë të drejtë të kërkojnë ‘të drejta më shumë’ se sa i kanë kontribuar rritjes së numrit të deputetëve në parlamentin e Maqedonisë. Prandaj, ju vëllezër të dashur, mos rrini në shtëpi ditën e votimit sepse nuk fitoni asgjë, dhe nuk i bëni askujt dëm më shumë se sa vetes suaj! Dilni dhe votoni cilëndo parti shqiptare, ose kandidat shqiptar, që të rritet numri i deputetëve në parlament. Bëni diçka për fëmijët tuaj, për bashkëkombësit tuaj, për të ardhmen tuaj. Mosdalja e shqiptarëve në zgjedhje është njëra nga të këqijat e mëdha që shqiptarët e Maqedonisë i ka sjellë në gjendjen aktuale! Rritja e numrit të paralamentarëve në Parlamentin e Maqedonisë do të thotë kontribut në ligje të drejta, kontribut për demokracinë e përgjithshme në vend. E dyta, shpërndarja e votës shqiptare në 5 parti nuk është ekuivalente si shpërndarja e votës maqedonase në 5 parti. Kjo mund të vërtetohen nga raporti 1:3 i shpjeguar më sipër! E mira më e madhe do të ishte në qoftë se partitë do të hynin në një koalicion të partive shqiptare. Ose, që të ekzistojnë maksimum tri parti: dy parti të mëdha dhe një koalicion i partive më të vogla. Por, kjo duke u bazuar në të gjeturat dhe disponueshmërinë e partive që të ‘lëshojnë pe’ për realizimin e bashkimit të partive në një trup zgjedhor duket, për fat të keq, si një punë e pamundur?! Partitë e mëdha duke u mbështetur në votën e tyre (militante) ‘masive’ nuk janë të prira ta bëjnë ‘shkrirjen në një trup’ për hir të së madhes, të së mirës së përgjithshme! Por, ‘bashkimin’ për vota do të mund ta bënin ‘partitë e vogla’, të cilat duke u bazuar në sistemin e D’Hondt-it për mandatet që mund të fitohen, duke u bashkuar kanë shumë më shumë gjasa të marrin më shumë mandate se sa të garojnë të ndara, secila për veti. Bashkimi eventual i partive do të mundësonte mosshpërndarjen e votës shqiptare në mandate të tjerëve në Parlament. Partitë e vogla duhet ta dinë se sistemi i D’Hondt-it i favorizon koalicionet e partive të mëdha, prandaj do të ishte mirë që këto parti të bëjnë koalicione para përfundimit të zgjedhjeve. Me këtë ato mund ta rrisin përfaqësimi e shqiptarëve në Parlament, me gjasa të mëdha. Me një fjalë, gjithçka është në duart e zgjedhësve! Sa më shumë zgjedhës aq më shumë përfitime në të mirë të popullit. Populli im i dashur, dilni në zgjedhje të gjithë ju me të drejtë vote, dhe faleni votën vetëm atyre që e meritojnë sipas bindjes suaj, por kurrsesi mos i ruani votat për veti, sepse ato u humbet vlera! Bëjeni votën tuaj të vlefshme! Kujdes me ata që trumbetonin bashkim dhe nuk u bashkuan, sepse në supe mbani “djegien” e votës shqiptare! Jepjani votën atyre të cilët ju japin shpresë, ju premtojnë dritë dhe përparim, shkollim, shëndetësi dhe punë. Edhe, në qoftë se ndonjëherë jeni të pakënaqur dhe të dëshpëruar me punën dhe sjelljen e deputeteve të zgjedhur, ju mos e humbni votën kot, jepjani atyre që të bëjnë numër më të madh të deputetëve në Parlamentin e Maqedonisë.