Shkup, 5 mars – Nesër Parlamenti duhet të vazhdojë mbledhjen konstituive, të zgjedhë kryetarin, ndërsa ai të shpallë zgjedhjet lokale të cilat duhet të mbahen më 14 maj, shkruan gazeta KOHA. Kjo do të duhej të ndodhë në mënyrë që të respektohet Kodi zgjedhor. Aty qartë thuhet se, nga dita e shpalljes deri e në ditën e mbajtjes së zgjedhjeve, nuk guxon të kalojnë më shumë se 90 ditë, por as më pak se 70 ditë, ndërsa termini i rregullt i mbajtjes së zgjedhjeve lokale është gjysma e parë e muajit maj. Matematikisht, prej 6 mars deri më 14 maj ka saktësisht 70 ditë. Politikisht, kryesuesi i mbledhjes konstituive, Trajko Veljanovski, as pas dy muajve e gjysmë nuk ka caktuar vazhdim, as edhe ndonjë prej partive ka kërkuar një gjë të tillë nga ai. Por, është e siguritë se ai nuk ka të drejtë të shpallë zgjedhje, sepse një drejtë të këtillë e ka vetëm kryetari i zgjedhur me më së paku 61 deputet nga përbërja e tanishme parlamentare.
Analistë të shumtë kanë dalë me idenë se pasi LSDM, BDI, BESA dhe Aleanca për shqiptarët do të merren vesh për koalicionin qeveritar, me ose pa mandatin nga ana e Ivanovit, deputetët do të takohen dhe do të ndryshojnë Kodin zgjedhor, në mënyrë që të shtyhet termini për zgjedhjet. Rreziku i vendimit të këtillë është edhe dy e treta e shumicës për ndryshim të Ligjit për vetëqeverisje lokale, që të vazhdohet mandati i kryetarëve të komunave dhe këshilltarëve. Mundësia tjetër është futja e afateve të shkurtuara për zgjedhje të rregullta lokale në muajin maj. Nga KSHZ, i cili duhet të realizojë zgjedhjet, kurdo që të mbahen, thonë se Kodi zgjedhor mund të ndryshojë vetëm në Parlament, por për momentin në të nuk ka dispozita për afate të shkurtuara në rast të zgjedhjeve të rregullta. (koha.mk)