Ndryshimet në Kodin Zgjedhor pritet të votohen në Parlament deri më 15 janar të vitit 2021. Sipas Marrëveshjes LSDM-BDI, ndryshimet duhet të përfshijnë Listat e hapura për këshilltarë komunale, ndërkohë që pas ndryshimeve – të votohet edhe përbërja e re e KSHZ në përputhje me rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të 15 korrikut. Në anën tjetër, opozita është pro ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, por edhe ajo ka kërkesat dhe sugjerimet e saj që duhet të përfshihen në ndryshme
Destan JONUZI
Shkup, 1 dhjetor – Ndryshimet në Kodin Zgjedhor pritet të votohen nga deputetët më së voni deri më 15 janar të vitit 2021. Bazuar në propozimet e partive politike për ndryshime në Kodin Zgjedhor, zgjedhjet e ardhshme lokale do të mbahen me Lista të hapura, përkatësisht me Listë të hapur të këshilltarëve. Për këto ndryshime në Kodin Zgjedhor ka edhe marrëveshje mes partnerëve të koalicionit qeveritar.
“Sipas ndryshimeve mbi Kodin Zgjedhor që duhet të votohet më së voni deri me datë 15 janar të vitit 2021, zgjedhjet e ardhshme lokale do të mbahen me Lista të hapura, përkatësisht me Listë të hapur të këshilltarëve”, informojnë nga Ministria e Drejtësisë. Pas ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, gazeta KOHA mëson se do të emërohen edhe anëtarët e ri të Komisionit Shtetëror Zgjedhor, në përputhje me rezultatet zgjedhore të zgjedhjeve të 15 korrikut të vitit 2020. Edhe në Marrëveshjen politike për koalicion mes LSDM-së dhe BDI-së shkruan se zgjedhjet e ardhshme lokale duhet të mbahen me lista të hapura për këshilltarë. Ndërkohë, me dekretin e miratuar gjatë kohës së pandemisë në Maqedoni, u shty mandati i anëtareve të Komisionit Shtetëror Zgjedhor i cili skadonte me 15 korrik të këtij viti për arsye të mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme dhe tashmë mandati u skadon me 15 janar. Prandaj, edhe nga këtu ndryshimet në Kodin Zgjedhor janë të domosdoshme me qëllim të gjetjes së mënyrës për zgjedhjen e anëtarëve të ri të KSHZ-së në përputhje me rezultatet zgjedhore të zgjedhjeve të 15 korrikut.
Në anën tjetër, të gjitha partitë politike janë të gatshme për të gjetur zgjidhje për ndryshime të Kodit Zgjedhor, por nuk ka asnjë lëvizje konkret në këtë drejtim. Edhe pse anëtarët aktual të KSHZ-së kanë mandat deri në janar, ende nuk ka asnjë negociatë konkrete për zgjidhjet e reja ligjore. Zëvendëskryetarja e LSDM-së, Radmilla Shekerinska, akuzoi VMRO-DPMNE-në se nuk i respekton marrëveshjet e arritura për këtë çështje. “Për fat të keq, edhe krahas marrëveshjeve që u bënë para dy a tre viteve, VMRO-DPMNE nuk qëndron në fjalë. Si pjesë e atyre bisedimeve ne e kërkuam vendosjen e Listave të hapura. Për fat të keq, nuk gjetëm pajtueshmëri në këtë temë”, ka deklaruar Shekerinska. Nga VMRO-DPMNE akuzojnë pushtetin se nuk merr parasysh kërkesat e opozitës në ndryshimin e Kodit Zgjedhor. “Të flitet edhe për një rreth zgjedhor në zgjedhjet lokale, para së gjithash për arsye ekonomike më tej edhe për të gjitha arsyet tjera që pushteti të mos ketë mundësi të bëjë presion ndaj opinionit, ryshfet dhe të gjitha manifestimet e tjera kriminele të pushtetit që i pamë gjatë zgjedhjeve, e në anën tjetër të mbyllet edhe çështja se çfarë do të ndodhë me diasporën e Maqedonisë për zgjedhjet lokale”, thotë Naum Stoillkovski, zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.
Sipas BDI-së, pas bisedimeve paraprake që kanë bërë partitë, zgjedhjet e ardhme lokale duhet të mbahen me Lista të hapura. “Në marrëveshjen politike e kemi që në zgjedhjet e ardhshme lokale, Lista e këshilltarëve të jetë e hapur, kështu që edhe kjo dakordësi është arritur dhe duhet të jenë pjesë e ndryshimeve të Kodit zgjedhor që duhet të miratohet para 15 janarit”, ka deklaruar Artan Grubi, zyrtar i lartë i BDI-së. Ndërkaq nga koalicioni ASH-AAA thonë se gjatë ndryshimeve të Kodit Zgjedhor, do të insistojnë në pastrimin e Listës zgjedhore dhe Lista në hapura edhe në zgjedhjet parlamentare. “Konsiderojmë që e para që duhet të bëhet në reformë – është pastrimi i Listës zgjedhore, e dyta edhe Kodi zgjedhor vetvetiu të bëhet me Lista të hapura. Për mënyrën e numrit të Njësive zgjedhore, do të bisedojmë në kuadër të koalicionit dhe bashkërisht do të vendosim”, thonë nga koalicioni ASH-AAA. Ndryshe, OSBE/ODIHR thuajse në gjitha Raportet pas zgjedhjeve kanë theksuar nevojën e ndryshimeve thelbësore në Kodin Zgjedhor. Ligji aktual zgjedhor është ndryshuar më shumë se 30 herë deri më tani, zakonisht, para secilit cikli zgjedhor. (koha.mk)