Zgjedhjet e sotme në Holandë janë të parat në mesin e disa palë zgjedhjeve që do të mbahen këtë vit në Evropë dhe ato shiheni si test për unitetin e Bashkimit Evropian në kohën e rritjes së ndjenjave nacionaliste dhe populiste në kontinent. Holanda, shtet me 17 milionë banorë, rrallë tërheq vëmendje nga jashtë, por këtë herë është ndryshe.
Beteja midis kryeministrit Mark Rutte nga qendra e djathtë dhe Geert Wildersit, populist, i cili ka bërë fushatë për ndalimin e Kuranit, mbylljen e xhamive dhe largimin e vendit nga BE’ja, ka rritur fokusin te votimet, pasi ndjenjat nacionaliste kanë shkaktuar dy rezultate të papritura, vitin e kaluar, Brexit dhe Trump.
Partia Liria e Wildersit ka udhëhequr sondazhet e opinionit, shumicën e kohës, gjatë fushatës, edhe pse rezultatet e anketave janë kthyer në favor të liberalëve të kryeministrit Rutte, në ditët e fundit. Në një debat të nxehtë, më 13 mars, dy kandidatët kanë shkëmbyer grushte verbale, në përpjekje për t’i bindur votuesit. Rutte ka thënë se Wilders ka ofruar “zgjidhje të rreme” për të ndezur ndjenjën kundër migrantëve. “Këtu është dallimi midis postimeve në Twitter nga divani juaj dhe udhëheqjes së një vendi. Nëse drejtoni një vend, duhet të merrni vendime të ndjeshme”, ka thënë Rutte. Wilders e ka quajtur atë “kryeministër të të huajve”.
“Evropa nuk e do këtë. Evropa nuk mund ta menaxhojë këtë. Janë vetëm disa heronj në Evropë, si kryeministri hungarez, (Viktor) Orban, që guxon të mbyllë kufijtë”, ka thënë Wilders. Zgjedhjet në Holandë vijnë në kohën kur në Francë, Marine Le Pen, nga ekstremi i djathtë, duket se do të arrijë në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në prill, ndërsa në Gjermani, partia anti-migrante Alternativa për Gjermaninë ka rritur popullaritetin e saj përpara zgjedhjeve në vjeshtë, të cilat mund të përmbysin kancelaren gjermane, Angela Merkel.