Zgjedhjet e parakohshme, të planifikuara dhe dakordësuara nga pushteti dhe opozita që të mbahen vitin e ardhshëm, janë një operacion i kotë që nuk nxjerr kurrfarë produkti final, me interes për qytetarët. Nëse politikanët kanë nevojë të maten dhe të demonstrojnë rivalitete deri në armiqësi, ky nuk është interes i qytetarëve
Nga Emin AZEMI
Këto zgjedhje të parakohshme që pritet të ndodhin në muajt prill, maj të vitit të ardhshëm, kanë hapur edhe njëherë “Kutinë e Pandorës”, për sa i përket temave e problemeve që lidhen me ardhmërinë e vendit. Pak kush beson se në këto zgjedhje do të ndodhë ndonjë kthesë spektakolare, ndaj si të tilla ato as që duhen të mbahen. Maqedonia nuk ka nevojë të mbaj zgjedhje çdo dy vjet, për arsye se nga klasa politike ato janë kuptuar më tepër si mekanizëm për ardhje në pushtet, e shumë më pak si strategji politike për tejkalimin problemeve pararendëse.
Zoran Zaev, kryeministër aktual dhe lider i partisë më të madhe maqedonase në pushtet, do të mbahet mend si politikan për tri gjëra të mira dhe disa të këqija.
E para, ai arriti të mobilizoj gjithë potencialin e tij për tejkalimin e kontestit me Greqinë. Pastaj bëri një hap të madh në mbylljen e shumë keqkuptimeve fqinjësore me Bullgarinë dhe e treta – me aksionin tij të fuqishëm opozitar arriti të largoj Gruevskin dhe partinë e tij nga pushtetit.
Për këto tri meritat, Zaevit ndoshta duhet t’i jepet shansi të drejtojë edhe një mandat qeverisës pas zgjedhjeve të ardhshme të parakohshme.
Mirëpo, bashkë me këtë shans, atij duhet t’i jepet edhe një karton i kuq për premtimet e pambajtura në segmente të caktuara, që prekin reformat në drejtësi, në zhvillimin ekonomik e social si dhe në (mos)luftimin e krimit, korrupsionit e nepotizmi.
Deri sa Zaevi është ende kryeministër, pozita sociale e punëtorëve nuk ka pësuar ndonjë përmirësim. Janë rreth tre mijë persona që presin pensione sociale, të premtuara nga Zaevi, por ende të paalokuara.
Subvencionet e premtuara për bujqit mbetën vetëm premtime, kurse rroga mesatare – 500 euro, premtuar nga Zaevi, gjithashtu mbeti vetëm në letër.
Këto dy, tri vitet e fundit vendin e kanë tronditur disa afera që ndodhën si pasojë e përfshirjes së njerëzve të pushtetit në veprime abuzive. Janë disa akuza publike adresuar funksionarëve të lartë qeveritar, nga të cilët kërkohen llogari për keqpërdorime të parasë publike, mirëpo deri më tani nuk ka kurrfarë epilogu gjyqësor. Njerëzit kot presin që të ndodhë, sepse gjyqësori te ne ende nuk është i pavarur.
Pa epilog gjyqësor ka ngelur edhe afera ‘Zhvatja’, në të cilën ishte e involvuar kryeprokurorja Katica Janeva dhe ka zëra që thonë se është iluzore të pritet se kjo aferë do të ketë ndonjë përfundim që do të nxirrte në shesh shumë deformime të funksionimit të sistemit të përgjithshëm te ne.
Një votues i thjeshtë në Maqedoni nga i cili Zaevi pret votën, me çka duhet të jetë i motivuar që të votojë sërish për të?
A mundet të ndodhë që këtë zhgënjim ta shfrytëzoj partia opozitare VMRO, dhe në fushatën e ardhshme zgjedhore të mobilizojë edhe më shumë njerëz të pakënaqur që do të votonin kundër Zaevit? Sepse në Ballkan zakonisht ndodhë që më tepër votohet kundër e më pak për.
A ka kohë Zaevi, në këta pak muaj që i kanë ngelur, të përmirësoj imazhin e tij në sytë e votuesve, apo ai edhe më tej do të mendoj në taktika elektorale jashtë trupit zgjedhor maqedonas, duke bërë interferime në grupe e individë të caktuar votuesish shqiptarë?
Këto zgjedhje, nuk kanë kauza të mëdha, siç ishin ato të kaluarat. Marrëveshja me Greqinë është arritur dhe premtimi për rrëzimin nga pushtetit të Gruevskit ka ndodhur. Tash çka ka mbetur?
Në fakt, për politikanët kjo është fusha më e vështirë, aty ku maten dhe projektohen në praktikë politikat e caktuara e, e që kanë të bëjnë kryesisht me jetën e përditshme të njerëzve, atje ku preken dhe shijohen ngritjet dhe rëniet e zhvillimit social, atje ku gradacioni i ngritjes në politikë nuk është gjithmonë në kohezion me disponimin e qytetarëve. Këta të fundit, megjithatë, kanë ambicie të tjera nga politikanët dhe ata zgjedhjet nuk i shohin si asete karriere, por thjeshtë si mundësi për të lëvizur një çikë nga pozicionet e disfavorshhme në planin social, ekonomik e zhvillimor.
Zgjedhjet e parakohshme, të planifikuara dhe dakordësuara nga pushteti dhe opozita që të mbahen vitin e ardhshëm, janë një operacion i kotë që nuk nxjerr kurrfarë produkti final, me interes për qytetarët. Nëse politikanët kanë nevojë të maten dhe të demonstrojnë rivalitete deri në armiqësi, ky nuk është interes i qytetarëve. Prandaj, edhe këto zgjedhje më tepër mund të shihen si arenë për qërim hesapesh të pa mbyllura në mes të LSDM-së dhe VMRO-së, e shumë më pak si shans në favor të politikave të caktuara, të cilat edhe ashtu kanë mundur të vazhdohen komod me këtë qeveri. Pse duhet të mbahen zgjedhje për kauza të njëjta dhe për premtime të njëjta, kur dihet se fare thjeshtë ka mundur të vazhdohet ky mandat deri në afatin kushtetues, në mënyrë që zgjedhjet e rregullta të mbaheshin në një ambient më të relaksuar politik e social.
Por, tash më marrëveshja politike në mes palëve është në favor të zgjedhjeve të parakohshme dhe koha do ta vërtetojë nëse ka pasur apo jo të drejtë Zaevi që ka pranuar me aq bujari mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Këtë përgjigje votuesit atij do t’i japin vitin e ardhshëm. (koha.mk)