Fatos RUSHITI
Shkup, 31 tetor – Ende pa dalë rezultatet e para zyrtare të rrethit të dytë zgjedhor nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor, zgjedhjet e parakohshme parlamentare ishin fjalët e para të liderëve politikë, shkruan gazeta KOHA. Ishte lideri i VMRO-së, Nikolla Gruevski, ai që kërkoi mbajtjen e zgjedhjeve të reja sipas modelit të Marrëveshjes së Përzhinos – përmes një qeverie teknike, gjithmonë duke u arsyetuar se LSDM ka organizuar si në rrethin e parë ashtu dhe në të dytin zgjedhje kriminale. Në taborin shqiptar ishte lideri i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela që në daljen e parë në publik gjatë ditës së zgjedhjeve i kërkoi mejdan lideri të BDI-së, Ali Ahemti në zgjedhje të reja parlamentare. Pothuajse në këtë vijë u shprehën edhe krerët e Lëvizjes BESA, të cilët përmendën vazhdimin e kaolicionit ASH-BESA edhe në zgjedhjet, siç thanë ata, të parakohshme parlamentare.
DEMIRI: ZGJEDHJET I KONVENOJNË ASH-së DHE LSDM-së
Megjithatë, se do të ketë zgjedhje e thonë edhe analistët politik në vend. Alajdin Demiri madje mendon se rezultati i zgjedhjeve lokale tregoi se ishte një lloj sondazhi për të matur forcat politike partitë dhe njëkohësisht edhe tajmingun për të parë se kur do të kërkojnë zgjedhje të reja parlamentare. “Parë konkretisht rezultatet që treguan partitë politike në zgjedhje lokale, ato ishin një lloj sondazhi për të parë peshën politike në elektorat. Pas këtyre rezultateve, partitë janë në të drejtën e tyre të bëjnë tajmingun për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare”, thekson për KOHA, Demiri. Kur jemi tek liderët partiak dhe ajo se kujt i konvenojnë më shumë zgjedhjet e reja parlamentare, Demri thotë se ato i konvenojnë më shumë LSDM-se, por edhe ASH-së, e cila sipas tij, ka një ngritje në elektorat. Zgjedhjet e reja parlamentare nuk do tu kishin konvenuar, sipas Alajdin Demirit, vetëm BDI-së, e cila siç shton ai, nuk arriti të rikuperojë votat që humbi në zgjedhjet e fundit parlamentare.
“Këtu duhet shtruar pyetja se kujt i konvenojnë më shumë e kujt më pak e kujt aspak zgjedhjet e reja parlamentare. Mendoj se për momentin, Ziadin Selës nuk i konvenojnë për në kohë më afatgjate po edhe atë duke qenë në koalicion me BESËN apo ndonjë parti tjetër, sepse vetëm në atë mënyrë mund të dalin para BDI-së. Subjektit që më së shumti i konvenojnë zgjedhjet e parakohshme parlamentare është LSDM. Rezultati i dobët që nxori VMRO në zgjedhjet lokale i jep garanci LSDM-së se do ti fitojë bindshëm zgjedhjet parlamentare. Vetëm BDI-së nuk i konvenojë aspak zgjedhjet parlamentare ngaqë nuk ka siguri se ajo do t’ia dalë e vetme të mund koalicion ASH-BESA”, thotë Demiri. Sa i përket kohës se kur do të mbaheshin zgjedhjet, gjegjësisht para apo pas nisjes së bisedimeve me Greqinë, Demiri mendon se LSDM-së i përshtat mbajtja e zgjedhjeve para ndryshimit të mundshëm të emrit. Sepse, thotë ai, pas ndryshimit të emrit që po përflitet gjithandej, është e sigurt se rejtingu i LSDM-së mund të bie.
KADRIU: JO DOMOSDOSHMËRISHT ZGJEDHJE TË REJA
Megjithatë, ndryshe mendon njohësi i çështjeve politike, profesori Bekim Kadriu. Deklaratën e kryetarit të ASH-së, Ziadin Sela, për zgjedhje të reja, Kadriu e konsideron si formë të presionit momental politik ndaj partnerëve qeveritar LSDM-BDI e jo se në të vërtetë ka rrethana për të shkuar vendi në zgjedhje të reja.”Në aspektin politik, ASH është në të drejtën ë vetë për të kërkuar zgjedhje të parakohshme meqë në zgjedhje lokal doli mirë dhe mund të mendoj se do të fitojë më shumë deputetë. Por, unë më shumë e shikoj si presion ndaj partnerëve qeveritar BDI-LSDM për të forcuar pozicionin e saj në Qeveri, kur dihet se këto dy parti i kishte kundërshtarë në Strugë”, thekson Kadriu. Ndërkaq për kërkesën e Gruevskit, i cili po ashtu kërkoi zgjedhje të parakohshme, Kadriu thotë për KOHA se shumica parlamentare ekziston dhe mund të ridizajnohet apo të plotësohet dhe siç thotë ai, nuk do të ketë nevojë për zgjedhje të reja. Reformat që do të ndodhin dhe zgjidhja e çështjes së emrit me Greqinë nuk janë shkaqe për të kërkuar zgjedhje të parakohshme, thotë Kadriu, meqë për këto çështje do të kërkohet konsensus i brendshëm ndërpartiak. “Shumica parlamentare edhe pse është e brishtë, por ajo ekziston si e tillë, e cila shumicë edhe mund të ridizajnohet pra të zëvendësohet një partner qeveritar me një parti tjetër apo të plotësohet. Megjithëse kryetari i ASH-së e tha qartë se nuk do të braktisë Qeverinë. Ndërkaq kryetari VMRO-së, Nikolla Gruevski, që ka kërkuar zgjedhje të reja me modelin e Marrëveshjes së Përzhinos, kjo nuk besoj se mund të ndodh për arsye se vetë VMRO nuk mendoj se ka seriozisht, aq më shumë kur humbi në mënyrë katastrofale në zgjedhje lokale, rezultat ky që nuk i jep asnjë gjasë se mund të fitojë në zgjedhje të reja. Mendoj se edhe Gruevski bën presion dhe dëshiron të faktorizohet para luftës së brendshme partiake për lidership që e pret së shpejti në partinë e tij”, shprehet profesori Kadriu.
MALESKI: SELA NUK DUHET TË NGUTET
Njëjtë me vlerësimin e Kadriut qëndron edhe analisti politik Denko Maleski, duke thënë se Sela nuk duhet të ngutet për të kërkuar zgjedhje të reja parlamentare, sidomos duke qenë ende partner në Qeveri. Siç thotë për KOHA Maleski, çështjet e mëdha që presin për tu zgjidhur kërkojnë konsensus politik e jo domosdoshmërisht zgjedhje të reja. “Megjithëse nuk i bëjnë mirë vendit dhe do të ishte ngarkesë për qytetarët mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme, ato nuk mund ti përjashtoj si opsion të fundit nëse partitë qeveritare dhe ato opozitare nuk do të ndërtonin konsensus politik për ndryshimin e emrit dhe reformat në gjyqësor, si dhe në sferat tjera ku duhen numra në Parlament. Sa i përket Selës, ai nuk duhet të ngutet kur ende është partner në Qeveri me LSDM-në dhe BDI-në, por duhet të shoh më përtej interesit partiak. Kërkesën e tij do ta kisha komentuar si kalkulim politik kur nuk doli mirë në komunë ku kandidoi, pra në Strugë – pa hyrë në atë se sa ishte i rregullt procesi zgjedhor. Mendoj se Sela ka dhënë një kontribut në Qeverinë reformatore të Zoran Zaevit dhe duhet të bëj kujdes kur parashtron kërkesa të mëdha politike. Kërkesa e tij do të ishte korrekte nëse do ta braktistë Qeverinë dhe të kalojë në opozitë, duke u thirrur kështu në legjitimitet më të madh ndaj BDI-së, natyrisht në një koalicion me Lëvizjen BESA”, mendon Maleski. Ndërkaq kërkesën e liderit të VMRO-së për zgjedhje të reja, Denko Maleski e komenton si hedhje e pluhurit për të mos u dukur shumë rezultati i zgjedhjeve lokale.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.