Përderisa partitë politike LSDM dhe VMRO-DPMNE ende kalkulojnë me çështjen e ndryshimeve kushtetuese dhe vendimin për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, ekspertët juridik shprehen se zgjedhjet paraqesin bllokim të shumë proceseve. Mosrealizimi i plotë i rekomandimeve dhe vërejtjeve nga Raporti i Pribes është njëri prej rreziqeve më të mëdha me të cilën mund të ballafaqohen institucionet vendore
Omer XHAFERI
Shkup, 5 tetor – Mbajtja eventuale e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Maqedoni do të ndikojë në stagnimin dhe shtyrjen e shumë reformave. Shpërbërja e Parlamentit njëkohësisht pritet të bllokojë miratimin dhe ndryshimin e një sërë dispozitash ligjore që duhet të votohen deri në fund të muajit tetor, shkruan gazeta KOHA.
Për ekspertin juridik Naser Zyberi, zgjedhjet e parakohshme parlamentare gjithsesi se do ti bllokonin reformat në gjyqësor dhe në këtë mënyrë do ta stagnonin këtë proces për një periudhë të caktuar. Kjo çështje sipas tij nënkupton se Maqedonia nuk do të jetë e gatshme që në qershor të vitit të ardhshëm ti fillojë negociatat me BE.
SHPËRBËRJA E PARLAMENTIT I BLLOKON PROCESET
“Pa dyshim ndikim negativ këto zgjedhje mund të kenë edhe mbi procesin e skriningut. Në rast të mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme e gjithë vëmendja e spektrit politik do të përqendrohet në procesin zgjedhor. Qeveria dhe Parlamenti do të jenë jashtë funksionit, gjegjësisht Qeveria do të jetë teknik e cila do të ushtroj funksione të detyrueshme për shtetin. Nga ana tjetër shpërbërja e Parlamentit paraqet bllokim të proceseve reformuese dhe integruese të shtetit. Gjithsesi realizimi i këtyre zgjedhjeve të paralajmëruara do ti prolongojë të gjitha proceset, duke filluar nga zbatimi i Marrëveshjes me Greqinë, fillimin e negociatave me BE-në dhe, çka është më kritike, reformat e nisura në vend do të ngecin pa u rrumbullaksuar. Në këtë mënyrë Raporti i Pribes nuk do të realizohet”, thotë Zyberi për gazetën KOHA.
Përderisa partitë politike LSDM dhe VMRO-DPMNE ende kalkulojnë me çështjen e ndryshimeve kushtetuese dhe vendimin për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, ekspertët juridik shprehen se zgjedhjet e parakohshme paraqesin bllokim të shumë proceseve domethënëse për të ardhmen e Maqedonisë. Mos realizimi i plotë i rekomandimeve dhe vërejtjeve nga Raporti i Pribes është njëri prej rreziqeve më të mëdha me të cilën mund të ballafaqohen institucionet vendase.
“Zgjidhja më e mirë për Maqedoninë, sipas meje që mos të vihem në këtë situatë është të bëhet një përpjekje përfundimtare e ndërmjetësuar prej faktorit ndërkombëtarëve (kuptohet se subjektet politike në vend nuk kanë kapacitet të mjaftueshëm për tejkalimin e kësaj situate). Prandaj në këtë rast nevojitet intervenimi i të huajve, për të siguruar proces parlamentar për ndryshimet kushtetuese. Ky proces nënkupton përfshirjen e VMRO-së në proces, nënkupton proces të votimit të fshehtë për t’ju ikur mundësive të keqpërdorimit, pastaj të rezultatit të votimit nga strukturat e ndryshme. Në qoftë se kjo nuk realizohet atëherë pasojat negative do të jenë të mëdha për Maqedoninë”, thekson Zyberi.
VËSHTIRËSOHET MIRATIMI I LIGJEVE SISTEMORE
Mendimin e Zyberit se zgjedhjet e parakohshme nuk janë zgjidhja e problemit me të cilën ballafaqohet pushteti aktuale e ndanë edhe Zharko Haxhi Zafirov, nga Qendra për hulumtime dhe analiza juridike. Duke i komentuar zërat se Parlamenti mund të shpërbëhet javën e ardhshme (10 tetor), Zafirov për gazetën KOHA, thotë se zgjedhjet e parakohshme të paralajmëruara se fundmi gjithsesi do të kenë pasoja negative mbi procesin e reformave në gjyqësor, posaçërisht kur flasin për planin aksionar të Strategjisë për reforma dhe kornizës kohore.
“Në rast të zgjedhjeve të parakohshme procesi i reformave të nisura do të prolongohet minimum për 90 ditë. Në këtë mënyrë do të vihet në pikëpyetje i gjithë procesi i kontrollit që duhet ta na e bëjë Bashkimi Evropian, me qëllim hapjen e kapitujve dhe fillimin e negociatave në qershor të vitit të ardhshëm. Nga aspekti teknike nuk besoj se zgjedhjet e parakohshme mund të ndikojnë mbi procesin e skriningut, për arsye se në këtë proces momenti politik është më pak i përfaqësuar se sa ai teknik. Ky proces më tepër ka karakter teknik”, thotë Zafirov.
Për drejtuesit e Qendrës për hulumtime dhe analiza juridike, reformat në vend po realizohen në pajtim me agjendën e paraparë, me përjashtim të ngecjeve të vogla për disa dilema të caktuara. Megjithatë çështja më serioze të cilët e shpalos njohësi i zhvillimeve në gjyqësor Haxhi Zafirov, është se si do të veprohet kur në rend dite do të vije miratimi i ligjeve sistemore për të cilat nevojitet dy të tretat e votave.
Ndryshe, brenda këtij muaji siç ishte e paralajmëruar, nëse nuk ka ndryshime, në rend ditë në Parlament duhet të vendosen Ligji për gjykata, Ligji për Këshillin Gjyqësor, Ligjit për kundërvajtje dhe Ligjit për kontestet administrative, dispozita këto që miratohen me 80 vota të deputetëve. (koha.mk)