Sipas regjistrimit të fundit të kryer nga udhëheqja e Bashkësisë Islame, në hapësirën që shtrihej Mexhlisi i Ulemasë së Shkupit, deri më 31 dhjetor 1935, jetonin gjithsej 883.616 banorë të përkatësisë myslimane
Nga Qerim LITA
(vijon nga numri i kaluar)
Pas skandalit të fundit në kreun e BFI-së së Maqedonisë, i cili tronditi thellë shpirtrat e besimtarit të devotshëm shqiptar-myslimanë, e pashë të arsyeshme që për lexuesit e gazetës shqiptare KOHA – Shkup dhe jo vetëm, në disa vazhdime të bëjmë një përshkrim kronologjik për pozitën dhe veprimtarinë e Mexhlisit të Ulemasë së Shkupit midis dy luftërave botërore. Siç do të shihni, theks të veçantë u kam kushtuar zgjedhjeve të para të lira që kjo bashkësi i mbajti në vitin 1937 me çka në krye të saj erdhën atdhetarët e shquar kombëtar e fetarë shqiptarë, të cilët për tre vjet sa qëndruan në krye të asaj bashkësie, lanë gjurmë në historiografinë shqiptare. Besoj se ky punim studimor do të ndikoj tek popullsia shqiptare myslimane në përgjithësi, e te hoxhallarët në veçanti, që në krye të kësaj bashkësie të mos vijnë njerëz të korruptuar (siç janë tani), të pamoralshëm e të cilët si qëllim parësor nuk e kanë mbrojtjen e interesit të Islamit, por pasurimin e tyre personal. Kjo u pa në mbledhjen e fundit, ku ata të cilët e shkarkuan kryetarin e mëparshëm, deri dje ishin mbështetësit më të mëdhenj të të parit të tyre.
Me Kushtetutën e re, në vend të komisarit politik, i cili emërohej nga ministri i Drejtësisë, u krijua organi ekzekutiv, prej pesë anëtarëve dhe po aq zëvendës, i cili zgjedhej nga Kuvendi Mearif i Vakëfit, ndërsa Këshilli Ekzekutiv zgjedhte nga radhët e veta kryetarin dhe nënkryetarin e tij. Mënyra e zgjedhjeve të këtyre organeve sqarohej në nenin 115 ku shprehimisht thuhej: “Mexhliset e xhematit, kuvendet mearife të vakëfeve të qarqeve dhe këshillat meraife të vakëfeve në Sarajevë e Shkup zgjedhen përmes zgjedhjeve të përgjithshme, të barabarta, të fshehta e të drejtpërdrejta. Mandati i këtyre organeve zgjat 4 vjet. Zgjedhjet detyrimisht duhet të mbahen brenda një dite”.
Territori që mbulohej nga Mexhlisi i Ulemasë në Shkup, përfshinte tetë njësi zgjedhore: njësia zgjedhore e Qarkut të Shkupit me rrethet Shkup, Nish, Kumanovë, Preshevë, Veles dhe Kaçanik; njësia zgjedhore e qarkut të Tetovës me rrethet Tetovë, Gostivar dhe Dibër; njësia zgjedhore e Prishtinës me rrethet Prishtinë, Ferizaj dhe Gjilan; njësia zgjedhore e Prizrenit me rrethet Prizren, Rahovec, Gjakovë dhe Pejë; njësia zgjedhore e Mitrovicës me rrethet Mitrovicë, Vushtrri, Drenas, Podujevë, Novi Pazar dhe Beograd; njësia zgjedhore e Manastirit me rrethet Manastir, Kërçovë, Prilep, Resnjë, Kavadar, Vallandovë, Ohër, Strugë, Koçan, Strumicë dhe Shtip; njësia zgjedhore e Plevles me rrethet Plevle, Bihor, Bellopole, Priboj, Prijepole, Sjenicë dhe Plavë; njësia zgjedhore e Tivarit me rrethet Tivar, Ulqin dhe Podgoricë. Është me interes të vihet në dukje fakti se në Kuvendin Mearif të Shkupit zgjidheshin gjithsej 27 anëtarë dhe po aq zëvendës, renditja e të cilëve bëhej në përputhje me numrin e popullsisë myslimane të njësive zgjedhore, përveç njësive zgjedhore Plevle dhe Tivar, për të cilat ishte përcaktuar me Kushtetutë numri i anëtarëve pa marrë parasysh numrin e popullsisë myslimane. Kështu, njësia zgjedhore e Shkupit zgjidhte 4 anëtarë, e Tetovës 3 anëtarë, Prishtinës 3 anëtarë, Prizrenit 5 anëtarë, Mitrovicës 4 anëtarë, Manastirit 4 anëtarë, Plevles 3 anëtarë dhe Tivarit 1 anëtar.
Sipas regjistrimit të fundit të kryer nga udhëheqja e Bashkësisë Islame, në hapësirën që shtrihej Mexhlisi i Ulemasë së Shkupit, deri më 31 dhjetor 1935, jetonin gjithsej 883.616 banorë të përkatësisë myslimane. Kjo popullsi sipas njësive zgjedhore ishte si më poshtë:
Njësia zgjedhore e Shkupit:
- Prokura e vakëfit mearif për rrethin e Shkupit: 51.891
- Prokura e vakëfit mearif për rrethin e Nishit: 16.179
- Prokura e vakëfit mearif për rrethin e Kumanovës: 20.917
- Prokura e vakëfit mearif për rrethin e Preshevës: 22.697
- Prokura e vakëfit merarif për rrethin e Velesit: 12.697
- Prokura e vakëfit mearif për rrethin e Kaçanikut: 12.016
Gjithsej: 136.690 banorë mysliman.
NJËSIA ZGJEDHORE E TETOVËS:
- Prokura e vakëfit mearif për rrethin e Tetovës: 55.016
- Prokura e vakëfit mearif për rrethin e Gostivarit: 34.457
- Prokura e vakëfit mearif për rrethin e Dibrës: 12.257
Gjithsej: 101.730 banorë mysliman.
NJËSIA ZGJEDHORE E PRISHTINËS
- Prokura e vakëfit mearif për rrethin e Prishtinës: 33.663
- Prokura e vakëfit mearif për rrethin e Ferizajt: 25.907
- Prokura e vakëfit mearif për rrethin e Gjilanit: 60.662
Gjithsej: 120.232 banorë mysliman.
NJËSIA ZGJEDHORE E PRIZRENIT
- Prokura e vakëfit mearif për rrethin e Prizrenit: 68.116
- Prokura e vakëfit mearif për rrethin e Rahovecit: 34.780
- Prokura e vakëfit mearif për rrethin e Gjakovës: 33.879
- Prokura e vakëfit mearif për rrethin e Pejës: 40.126
Gjithsej: 176.901 banorë mysliman.
NJËSIA ZGJEDHORE E MITROVICËS
- Prokura e vakëfit mearif për rrethin e Mitrovicës: 13.321
- Prokura e vakëfit mearif për rrethin e Vushtrrisë: 29.973
- Prokura e vakëfit mearif për rrethin e Drenicës: 23.603
- Prokura e vakëfit mearif për rrethin e Podujevës: 25.166
- Prokura e vakëfit mearif për rrethin e Novi Pazarit: 34.184
- Prokura e vakëfit mearif për rrethin e Beogradit: 3.368
Gjithsej: 129.615 banorë mysliman.
NJËSIA ZGJEDHORE E MANASTIRIT
- Prokura e vakëfit mearif për rrethin e Manastirit: 11.636
- Prokura e vakëfit mearif për rrethin e Kërçovës: 20.633
- Prokura e vakëfit mearif për rrethin e Prilepit: 14.374
- Prokura e vakëfit mearif për rrethin e Resnjës: 5.247
- Prokura e vakëfit mearif për rrethin e Kavadarit: 5.030
- Prokura e vakëfit mearif për rrethin e Vallandovës: 5.518
- Prokura e vakëfit mearif për rrethin e Ohrit: 12.474
- Prokura e vakëfit mearif për rrethin e Strugës: 7.198
- Prokura e vakëfit mearif për rrethin e Koçanit: 12.165
- Prokura e vakëfit mearif për rrethin e Strumicës: 6.506
- Prokura e vakëfit mearif për rrethin e Radovishit: 8.715
- Prokura e vakëfit mearif për rrethin e Shtipit: 11.920
Gjithsej: 121.416 banorë mysliman.
NJËSIA ZGJEDHORE E PLEVLES
- Prokura e vakëfit mearif për rrethin e Plevles: 9.888
- Prokura e vakëfit mearif për rrethin e Bihorit: 13.501
- prokura e vakëfit mearif për rrethin e Bello Poles: 13.833
- Prokura e vakëfit mearif për rrethin e Priboit: 6.892
- Prokura e vakëfit mearif për rrethin e Priepoles: 13.193
- Prokura e vakëfit mearif për rrethin e Sjenicës: 17.232
- Prokura e vakëfit mearif për rrethin e Plavës: 7.888
Gjithsej: 82.427 banorë mysliman.
NJËSIA ZGJEDHORE E TIVARIT
- Prokura e vakëfit mearif për rrethin e Tivarit: 8.254
- Prokura e vakëfit mearif për rrethin e Ulqinit: 6.917
- Prokura e vakëfit mearif për rrethin e Podgoricës: 5.434
Gjithsej: 20.605 banorë mysliman.
Mbështetur në të dhënat e mësipërme, udhëheqja e Mexhlisit të Ulemasë, përkatësisht Naib-i me këshilltarët e tij, më 15 janar 1937 përmes një qarkore njoftoi të gjitha prokurat e vakëfeve mearife të rretheve për renditjen e numrit të anëtarëve të Kuvendit Mearif të Vakëfit të Shkupit. Kjo renditje, thuhej në qarkore, “sipas dispozitave të Kushtetutës së Bashkësisë Fetare Islame vlen për zgjedhjet e para, të cilat do të shpallen pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Bashkësisë Fetare Islame”. (vijon nesër)