Zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të jenë një test shtesë për vlerësimin e kapacitetit demokratik të këtij vendi, megjithatë nuk do të jenë ndonjë “vizë” relevante në përcaktimin definitiv të dhënies së datës për negociata me BE-në. Zgjedhjet e suksesshme vetëm që mund të ndihmojnë këtë proces
Destan JONUZI
Shkup, 3 nëntor – Maqedonia deri në samitin e radhës të BE-së që do të mbahet verën e vitit të ardhshëm në Kroaci, duhet të vazhdojë me reformat dhe luftën kundër korrupsionit me qëllim që liderët evropian ta kenë më të lehë marrjen e vendimit për çeljen e negociatave. Krah Maqedonisë në rrugëtimin e saji euro-atlantik fuqishëm qëndrojnë SHBA, ndërkohë që përfaqësues të shtetit Francez së fundmi kanë deklaruar se krahas reformave dhe luftës ndaj korrupsionit, vendi obligohet që të zbatojë edh zgjedhje të lira dhe demokratike. “Mbështetja e SHBA-vë për integrimin Maqedonisë së Veriut në BE dhe perspektivat evropiane janë të përhershme. Këtë do të vazhdojmë ta bëjmë në vazhdimësi dhe t’ua themi partnerëve tanë evropian”, kështu ka deklaruar gjatë vizitës së tij në Shkup, i dërguar special i Departamentit Amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Metju Plamer. Për dallim nga mbështetja e fuqishme e SHBA-ve, Franca pret dëshmi të reja se Maqedonia posedon kapacitet demokratik për të vazhduar rrugëtimin drejt BE-së. Ambasadori i francez në Shkup, vlerëson se edhe realizimi i zgjedhjeve të lira dhe demokratike do të jetë faktor kyç në marrjen e vendimit të liderëve evropian për fatin evropian të Maqedonisë.
Njohësi i çështjeve politike në vend, Ismail Arsllani vlerëson se zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 12 prillit të vitit 2020 do të jenë një test shtesë për vlerësimin e kapacitetit demokratik të vendit, megjithatë nuk do të jenë ndonjë “vizë” relevante në përcaktimin definitiv të dhënies së datës për negociata me BE-në. “Zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të jenë një test shtesë për vlerësimin e kapacitetit demokratik të vendit, megjithatë nuk do të jenë ndonjë “vizë” relevante në përcaktimin definitiv të dhënies së datës për negociata me BE-në. Zgjedhjet e suksesshme vetëm që mund të ndihmojnë këtë proces, por nëse do të ishin të pasuksesshme apo nëse në pushtet vjen opozita e tashme, atëherë do të kemi komplikime shtesë”, deklaroi për KOHA, Arsllani. Sipas tij, zgjedhjet e parakohshme dhe “tajmingu” i tyre në një datë shumë delikate (12 prill), mund të ndërlikojnë edhe procesin e aderimit të vendit në NATO. “Mund të ndodhë, nëse Spanja, e cila këtë muaj ka zgjedhje, vonon me konstituimin e organeve shtetërore dhe me këtë vonohet edhe nënshkrimi i protokollit për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut, deri në fillim të muajit shkurt, kur do të shpërbëhet parlamenti i Maqedonisë (100 ditë para zgjedhjeve), atëherë do të vijë në pikëpyetje nënshkrimi i këtij protokolli edhe nga ana e Maqedonisë së Veriut, në mungesë të parlamentit. Kjo nuk e rrezikon anëtarësimin, por vetëm që e shtynë datën në një kohë të pacaktuar. Është e qartë, pra, se zgjedhjet e ardhshme të parakohshme parlamentare në Maqedoninë e Veriut, mund të ndërlikojnë procesin e integrimeve euroatlantike, në dy binarë: në marrjen e datës për negociata me BE-në dhe në aderimin me kohë të vendit në NATO”, nënvizon Arsllani.
Nga ana tjetër profesoresha universitare, Arta Bilalli-Zendeli vlerëson se marrja e datës për hapjen e negociatave me BE-në, nuk duhet të lidhet me një kusht të vetëm. “Pas dy “mosmarrjeve” të fundit të këtij viti, mendoj se partitë politike dhe opinioni duhet ta kuptojë se një hap i tillë nuk varet nga një proces i vetëm apo i izoluar. Datën për hapjen e negociatave e shoh me shumë si reflektim i gjendjes së përgjithshme, në kuptim të çrrënjosjes së disa dukurive negative dhe vendosjes së vlerave në vendin e tyre. Sundimi i së drejtës, çrrënjosja apo luftimi i korrupsionit, meritokracia e faktorë të ngjashëm si pako, jo të izoluara do të garantonin marrjen e datës për hapjen e negociatave”, deklaroi për KOHA, Bilalli-Zendeli.
Ndërsa, analisti Dame Çkatroski konsideron se zgjedhjet e lira dhe demokratike dhe lufta ndaj korrupsionit është çështje e brendshme e Maqedonisë. “Vendimi për caktimin e datës për fillimin negociatave në samitin e Kroacisë është vështirë e parashikueshme. Edhe pse ambasadori i francez në Shkup, Timonie thotë se realizimi dhe zbatimi i zgjedhjeve të lira dhe demokratike dhe lufta kundër korrupsionit janë shtyllat kryesore për dhënien e datës. Shefi i tij, Presidenti, Emanuel Makron nuk është edhe aq i interesuar për këto dy çështje, por mbi gjitha flet për një qasje dhe praktik të re për pranimin e anëtareve të reja në Union. Sidomos kur ende në tavolinë është ideja për një Union Ekonomik për Ballkanin Perëndimor, për të cilin mendoj se është një gabim i madh. Zgjedhje të lira dhe demokratike dhe lufta kundër korrupsionit është çështje e brendshme e vendit”, deklaroi për KOHA, Dame Çkatroski, analist.
Ndryshe, zgjedhjet e parakohshme janë propozuar nga kryeministri, Zoran Zaev pasi Maqedonia e Veriut nuk arriti të marrë datën për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Kryeministri Zaev ka marr përgjegjësinë për këtë edhe pse vendimin e krerëve të BE-së e kishte quajtur “gabim historik të BE-së” pasi sipas tij vendi kishte plotësuar të gjitha kushtet kërkuara nga Maqedonia e Veriut, përfshirë zgjidhjen e kontestit me Greqinë për çështjen e emrit, që llogaritej si pengesa e vetme në rrugën e integrimit evropian. Drejtuesit e partive politike në takimin me presidentin e shtetit, Stevo Pendarovski gjithashtu kanë theksuar përkushtimin për integrimin evropian duke theksuar se “NATO-ja dhe Bashkimi Evropian mbeten alternativa e vetme për Maqedoninë e Veriut”. (koha.mk)