Pikëpamjet e politikanëve bullgarë nuk ndryshojnë shumë, edhe presidenti Rumen Radev, i cili është nga Partia Socialiste dhe kundërshtari kryesor politik i Borisovit, në deklaratën e fundit thotë se “rruga e Maqedonisë për në BE çon vetëm përmes Sofjes”. Ndërsa njohësit e këtij kontesti nuk presin ndonjë ndryshim rapid të Bullgarisë ndaj kontestit me Maqedoninë edhe pas zgjedhjeve parlamentare bullgare të marsit
Destan JONUZI
Shkup, 15 janar – Ndërkohë që zgjedhjet parlamentare të marsit po afrohen në Bullgari, shigjetat ndaj Shkupit po bëhen edhe më të mprehta e më të përqendruara. Por a do të ndryshojë diçka në drejtim të politikës bullgare, pas zgjedhjeve dhe formimit të Qeverisë së re? Ministrja e Jashtme e Bullgarisë, Ekaterin Zaharieva ka dërguar porosi të reja ndaj Qeverisë së Maqedonisë, duke i bërë të ditur Shkupit zyrtar që mos ketë shumë shpresa për ndryshime të mëdha edhe pas zgjedhjeve të marsit. “Ideja që diçka do të ndryshojë pas zgjedhjeve në vendin tonë është e gabuar. Në vend të kësaj, nëse diçka ndryshon, do të jetë më keq për ta. Një nga parakushtet për të bërë diçka dhe për të filluar të punojë në mënyrë të arsyeshme për të zgjidhur problemet është zvogëlimi i emocioneve. Sa më shumë që flasim pa emocione, aq më të mëdha janë shanset tona për të mbyllur këtë çështje”, ka deklaruar Zaharieva.
Ndërkaq, kryetari i Këshillit të Ambasadorëve të Maqedonisë, Ljupço Arsovski, është mjaft pesimist në lidhje me rezultatin e negociatave, duke thënë se në faza të caktuara Qeveria e Maqedonisë dëshiron të ndihmojë Qeverinë aktuale të fitojë zgjedhjet, sepse ky grup i Borisovit është më i pranueshmi për t’u zgjidhur mosmarrëveshjet. Por, shton se shpresat e qeverisë së Zaevit janë të kota. “Ne mund të vijmë në një fazë edhe më të vështirë, në të cilën të gjitha gjërat do të bllokohen”, thekson Ljupço Arsovski, kryetari i Këshillit të Ambasadorëve. Në periudhën e kaluar, veçanërisht pas vetos së dhjetorit, qeveria maqedonase me dyer të mbyllura dhe larg syve të opinionit, pa dhënë detaje, diskuton dhe shkëmben dokumente me Sofjen. Nga ana tjetër, opozita e udhëhequr nga VMRO-DPMNE, e akuzon atë për shitjen e identitetit të saj. “Diskutohet për identitetin maqedonas. Çdo politikan që ju thotë se nuk po diskuton, po gënjen dhe manipulon opinionin. Po, në tryezë, përveç biznesit, që është e pakuptueshme për mua si politikan, është edhe identiteti maqedonas”, ka deklaruar Hristijan Mickoski, lider i VMRO-DPMNE-së.
Në anën tjetër, Edmond Ademi, këshilltar i Politikës së Jashtme i Kryeministrit duke iu përgjigjur opozitës ka deklaruar se pas zgjedhjeve në Bullgari, pa marrë parasysh kush fiton, pavarësisht rezultatit, përpjekjet për të kapërcyer këtë mosmarrëveshje do të vazhdojnë. “Do të ketë dialog dhe bisedë. Por absolutisht në asnjë moment dhe si Qeveri nuk do të lejojmë që në këtë rast të abuzohet dhe të përdoret nga disa prej politikanëve nga Bullgaria për përdorim të brendshëm”, thotë Edmond Ademi, Këshilltar i Politikës së Jashtme i Kryeministrit. Ai gishtin për ngecjen e dialogut dhe zgjidhjes e drejton drejt zëvendëskryeministri bullgar Karakaçanov, të cilin sondazhet e fundit për zgjedhjet e Marsit nuk e favorizojnë, por ai vazhdon të kundërshtojë identitetin maqedonas. Sidoqoftë, pikëpamjet edhe të politikanëve të tjerë bullgarë nuk ndryshojnë shumë, edhe Presidenti Rumen Radev, i cili është nga Partia Socialiste dhe kundërshtari kryesor politik i Borisovit, në deklaratën e fundit thotë se: “Rruga e Maqedonisë për në BE çon vetëm përmes Sofjes”. (koha.mk)