Ulja dhe parandalimi i migrimit të të rinjve nga vendi është një nga zotimet kryesore të partive politike kryesore maqedonase LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së, që ka shoqëruar këtë fushatë zgjedhore. Oferta kryesore e këtyre partive për të rinjtë është lirimi nga disa taksa të caktuara dhe dhënia e mjeteve të pakthyeshme për fillimin e një biznesi, si dhe përmirësimi i standardit studentor. Edhe partitë shqiptare zotohen se do të kujdesen për rininë, megjithëse që të gjitha partitë asgjë konkrete nuk kanë bërë
Destan JONUZI
Shkup, 9 korrik – Fond për të rinjtë, mjete të pakthyeshme për fillimin e një biznesi, mjete për bujqit e rinj, program për përshtatjen e arsimit të lartë me nevojat e tregut të punës, program për mbështetjen e studentëve…, janë disa nga premtimet e partive politike për zgjedhjet e 15 korrikut. Një pjesë e këtyre ofertave janë të përshkruara nga programet elektorale të zgjedhjeve të kaluara, ndërsa një pjesë lidhen me proceset reformuese që janë në vijim e që kanë të bëjnë me të rinjtë.
Mjete të pakthyeshme prej 5 deri në 15 mijë euro për të rinjtë për hapjen e një biznesi, kthimi i tatimit personal për dy vjet për të punësuar të rinj deri në 29 vjet, kredi pa interes për të rinjtë për digjitalizimin e biznesit, qendra për të rinj në të gjitha 80 komunat e Maqedonisë, rindërtim i konvikteve studentore dhe përmirësimi i kualitetit të ushqimit, janë pjesë e premtimeve të LSDM-së. “Jemi të bindur se shkalla e papunësisë te të rinjtë nga 18 deri në 29 vjet në masë të madhe do të ulet, edhe atë nën 17 për qind deri në vitin 2024”, thuhet në programin elektoral “Mundemi” të LSDM-së. Në anën tjetër, VMRO-DPMNE premton se nëse e fiton pushtetin, do ta rris fleksibilitetin në tregun e punës, me atë që do t’u mundësojë të rinjve orë pune fleksibile, prindërve të rinj dhe atyre që u nevojitet riedukim, ndërsa me ketë punëdhënësve do t’u mundësohet të testojnë kualitetin e punëtorit të tyre. “Një nga masat me të cilat do të kujdesimi për të rinjtë në Maqedoni, në realitet është kjo masë, sipas të cilës, të rinjtë deri në 29 vjet do të lirohen nga tatimi mbi të ardhurat personale për të ardhura neto deri në 6000 euro në kundërvlerë në denarë, për punësimin e parë”, thuhet në programin elektoral të VMRO-DPMNE-së. Ndërkohë, në një nga spotet publicitare të kësaj parti, lideri i saj Hristijan Mickoski “bind” një vajzë të re në aeroportin e Shkupit që mos largohet nga vendi.
Sipas listave të kandidatëve për deputetë, vërehet se në to – për dallim nga zgjedhjet e kaluara, ka më shumë fytyra të reja, por problemi është se ato janë pozita humbëse. Ndërkohë, edhe pse premtohen projekte të mëdha për të rinjtë, asnjë nga partitë më të mëdha maqedonase në programin e saj nuk e përmend Këshillin kombëtar për të rinj, institucion ky i formuar që të jetë urë lidhëse mes të rinjve dhe institucioneve.
Ndaj këtyre premtimeve nuk janë imun as dy blloqet politike në kampin politik shqiptarë. Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, problemin e migrimit të të rinjve e konsiderojnë si një nga problemet më serioze me të cilat do të ballafaqohet nëse fitojnë mandatin nga shqiptarët për të qeverisur. “Migrimi, shpërngulja nga vatrat tona e të rinjve tanë, është njëri ndër problemet me të cilin po ballafaqohet shoqëria shqiptare në vend. Gjatë këtyre 18 viteve, çdokujt nga ne po i largohet ndonjë i afërm nga gjiri familjar për të ikur diku tjetër. Janë shumë faktorë që shqiptarët po e ikin nga ky vend. Synimi ynë është parandalimi i migrimit nga vendi. Kërkoj nga ju që t’i jepni përkrahje masive koalicionit ASH-AAA më 15 korrik. Tash është koha ta ndalim shpërnguljen nga vendi”, kanë deklaruar eksponentë të koalicionit ASH-AAA, gjatë prezantimit të programit të tyre elektoral.
Ndërkaq, në programin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) 2020-2024, thuhet se rinia do të jetë e përfshirë në të gjitha nivelet e politikëbërjes së saj, dhe se integristët do të angazhohen për uljen e papunësisë te të rinjtë dhe se do të punojnë fuqishëm për pavarësim ekonomik të tyre. “BDI vihet në shërbim të plotë të rinisë dhe vë në dispozicion të gjitha asetet e veta organizative për të garantuar përfshirje të rinisë dhe ndërtim të politikave që mundësojnë të ardhme të mirëqenë për rininë e sotme dhe të nesërme”, thuhet në programin e elektoral të BDI-së. Ndryshe, deri te zgjedhjet e parakohshme parlamentare erdhi pasi Maqedonia në vjeshtën e vitit 2019 nuk mori datë për fillimin e bisedimeve me Bashkimin Evropian. Si rrjedhojë e kësaj dhe insistimit të opozitës maqedonase erdhi deri te dorëheqja e ish-kryeministrit Zoran Zaev dhe formimit të Qeverisë teknike sipas modelit të Përzhinos. Zgjedhjet fillimisht ishin caktuar për 12 prill, por për shkak të krizës shëndetësore me koronavirusin ato u anuluan për një kohë të pacaktuar. Për 15 korrikun si datë për mbajtjen e zgjedhjeve në rrethana të jashtëzakonshme janë dakorduar liderët e të gjitha partive politike parlamentare në vend. (koha.mk)