Destan JONUZI
Shkup, 11 korrik – Rritja e rrogave dhe përmirësimi i kushteve për punë të personelit mjekësor, të punohet që mjekët mos ikin nga vendi, përmirësimi i shërbimeve mjekësore për pacientët, si dhe Klinikë e re janë pjesë e premtimeve të politikanëve gjatë fushatës zgjedhore, premtime këto që kanë qenë të pranishme në vokabularin e tyre edhe gjatë zgjedhjeve të kaluara. “Koronavirusi nuk do të zhduket, detyrimisht duhet të mësohemi të jetojmë më të deri sa nuk krijojmë imunitet kolektiv përmes vaksinimit e cila pritet të dal në treg gjatë vitit 2021. Duhet të mësohemi që në jetën e përditshme tonën ti aplikojmë masat mbrojtëse”. Ky është refreni i politikanëve që për çdo ditë e thonë para qytetarëve duke theksuar se kriza shëndetësore nuk do të përfundojë shpejt, por nëse i lexoni me kujdes programet e tyre elektorale në një pjesë prej tyre ky problem nuk është ndër prioritetet kryesore.
Ish-ministri i Shëndetësisë, Imer Selmani, vlerëson se pas zgjedhjeve të 15 korrikut cilado palë të formojë Qeveri politike e presin dy beteja të rëndësishme, ajo me armikun e padukshëm Kovid19 dhe ballafaqimi me pasojat ekonomike. “Pas 15 korrikut dy betejat kryesore që do ta presin qeverinë e re, ajo e drejtpërdrejta që është kundër armikut të padukshëm Kovid19 dhe ballafaqimi me pasojat ekonomike që lënë pandemia botërore. Është fakt se partitë politike nga mosdija në njërën anë, dhe në anën tjetër nga frika se mund ti huqin gjërat, u ikin premtimeve se si do të ballafaqohen me Kovid19. Por, është e kuptueshme se përderisa e gjithë bota vepron ditë për ditë ose javë për javë, nuk mund të pritet nga partitë politike diçka më shumë, për arsye se nuk mund të prognozojnë se si do të zhvillohet situata përveç se pritjeve se kjo krizë do të zgjatë. Pavarësisht se cila qeveri politike do të formohet pas zgjedhjeve do të ballafaqohet me sfidën e madhe që quhet pandemia”, deklaroi për gazetën KOHA, Selmani.
Sipas LSDM-së në pushtet, sistemi shëndetësor është i përgatitur për një valë të dytë nga koronavirusi. Në programin e saj është theksuar se në periudhën e ardhshme do të investojnë 33 milionë euro në Repartin për trajtim intensiv, dhe koha për përgjigje nga Ndihma e shpejt do të zvogëlohet në 10 minuta në vendbanimet urbane, ndërsa 20 minuta në ato rurale. LSDM-ja në programin e saj elektoral përsëri premton Klinik të re universitare, si dhe Qendra moderne shëndetësore rajonale në Ohër, Tetovë dhe Strumicë, këto janë disa premtime thuaj se në të gjitha ciklet e deri tanishme zgjedhore i kanë premtuar partitë më të mëdha maqedonase. Partia në pushtet në programin e saj elektoral thotë se ka arritur që gjendjen me krizën shëndetësore të shkaktuar nga Kovid19 ta vë në kontroll dhe ta mbrojë sistemin shëndetësor dhe të punësuarit në të nga skenari italian.
“Filluam më investim të madh në shëndetësi dhe i përforcuam repartet për trajtim intensiv në të gjithë vendin. Jemi përgatitur për një valë të re në vjeshtë. Në periudhën e ardhshme me 33 milionë euro nga Banka Botërore do ti pajisim të gjitha repartet për trajtim intensiv me aparaturë moderne. Qeveria e udhëhequr nga LSDM-ja tregojë se çfarë do të thotë të punosh në interes të qytetarëve, dhe si në kohë dhe me përgjegjësi veprohet në rast krize”, thuhet në programin elektoral të LSDM-së. Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev në duelin e tij të fundit televiziv me oponentin politik, liderin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski paralajmëroi se ministri i shëndetësisë, Venko Filipe ka filluar iniciativë për rritjen e rrogave për punonjësit shëndetësor për muajt qershor-korrik për 10 për qind dhe se do të propozojë që Presidenti, Stevo Pendarovski tu ndajë mirënjohje për guxim të gjithë mjekëve që kanë qenë në vijnë e parë të frontit në betejën me Kovid19.
Mickoski nga ana tjetër, ka deklaruar se për shkak të menaxhimit të keq me krizën, vendi ka një numër rekord të të infektuarve dhe të vdekurve nga Kovid19. “Në muajin maj shpallëm fitore ndaj pandemisë, ndërsa tani kemi numër rekord të të infektuarve dhe të vdekurve. VMRO-DPMNE ka propozuar masa që nga 26 shkurti, propozojë një sërë masash në pjesën e mbrojtjes shëndetësore, por edhe një sërë masash që përfshijnë ekonominë, bizneset etj. Asnjë propozim i ministrit të brendshëm Naqe Çulev nuk është dëgjuar, e jo më të pranohet, as që është hapur diskutim për propozimet e opozitës”, ka deklaruar Mickoski. Në programin elektoral, VMRO-DPMNE kriza shëndetësore përmendet vetëm se në kontekst të ballafaqimit me pasojat ekonomike. Në pjesën e asaj se çfarë duhet të bëhet në vitet e ardhshme, nuk jepen detaje dhe afate kohore e që kanë të bëjnë me luftën kundër Kovid19.
Në anën tjetër, edhe partitë politike shqiptare kanë në programet e tyre elektorale ballafaqimin me krizën shëndetësore. Në programin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Kovid19 përmendet në kontekst të masave ekonomike dhe ballafaqimit me pasojat e shkaktuara ekonomike. Ndërsa në pjesën e dytë të programit të BDI-së në faqen 140 janë të shënuara politikat shëndetësore. Aty theksohet se BDI premton se do ta përmirësojë organizimin e sistemit shëndetësor dhe se do ta vendosë masën të quajtur “Mjekë 24 orë- më afër qytetarëve”, më pas vijojnë masat për përmirësimin e sistemit shëndetësor sekondar dhe stomatologjisë. Në programin e Aleancës për Shqiptarët (ASH) i cili përbëhet prej 40 pikave, në sektorin e shëndetësisë thuhet se kjo parti do të kujdeset për të krijuar kushte për një kujdes të standardizuar shëndetësor dhe se do të jenë të përkushtuar në politikat sociale, ku theks i vendohet kujdesit ndaj familjes dhe nevojave shëndetësore. Ndërkaq, në programin elektoral të PDSH-së është theksuar se reformat në shëndetësi janë më se të nevojshme dhe se kjo parti do të angazhohet maksimalisht që të përmirësohet infrastruktura dhe sistemi shëndetësor edhe në viset e banuara me shqiptar.
Ndryshe, në zgjedhjet e 15 korrikut, në garë për tu bërë pjesë e përbërjes së ardhshme parlamentare janë pesëmbëdhjetë parti politike dhe koalicione. Beteja në bllokun politik maqedonas është mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së, ndërsa në atë shqiptar mes BDI-së dhe koalicionit ASH-Alternativa. (koha.mk)