Shkup, 20 tetor – Partitë politike në Maqedoninë e Veriut janë marrë vesh që më 12 prill të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare në këtë vend.
Vendimi u bë i ditur nga kryeministri Zoran Zaev, pas takimit disaorësh që u mbajt te presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski. Zaev tha se ka propozuar që zgjedhjet të mbahen në dhjetor të këtij viti, por kjo nuk është pranuar nga partitë opozitare, për shkak se me Ligjin për qeverinë parashihet që 100 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve të formohet qeveri teknike, e cila nuk do të drejtohet nga Zoran Zaev, por nga ndonjë personalitet tjetër i nominuar nga Lidhja Social-Demokrate.
Vendimi për zgjedhje të parakohshme vjen pasi Maqedonia e Veriut nuk arriti të marrë datën për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Kryeministri Zaev e ka marrë përgjegjësinë për këtë, edhe pse vendimin e krerëve të BE-së e ka quajtur “gabim historik të BE-së”, pasi, sipas tij, Maqedonia e Veriut i ka plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara nga Bashkimi Evropian, përfshirë zgjidhjen e kontestit me Greqinë për çështjen e emrit, që është konsideruar si pengesa e vetme në rrugën e integrimit evropian.
Liderët e partive politike, në takim me presidentin, gjithashtu theksuan përkushtimin e tyre për integrimin evropian, duke thënë se “përveç NATO-s dhe BE-së, Maqedonia e Veriut nuk ka alternativë tjetër”.