Zejnulla VESELI
Shkup, 16 tetor – Mbajtja e zgjedhjeve lokale më 15 tetor në Maqedoni kontribuuan për përforcimin e besimit të qytetarëve në procesin demokratik. Kështu e vlerësuan procesin zgjedhorë vëzhguesit ndërkombëtar, shkruan gazeta KOHA. Konkluzioni i përbashkët i vëzhguesve ndërkombëtar është se zgjedhjet e 15 tetorit u zhvilluan në një ambient konkurrent, të qetë – edhe pse pati disa pretendime për blerje të votave, presion mbi votuesit dhe kishte raste të izoluara të dhunës gjatë periudhës parazgjedhore, ndërkohë që sa i përket mediave – vlerësimi i vëzhguesve ndërkombëtar ishte se ata ofruan mbulim të paanshëm të garuesve dhe lehtësuan mundësinë e debateve publik. “Edhe pse u vërejtën disa parregullsi, dita e zgjedhjeve kaloi në rregull. Në përgjithësi, zgjedhjet e 15 tetorit ishin në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe shpresojmë se kjo do të kontribuojë për zhvillimin e mëtutjeshëm të qëndrueshëm në nivel lokal me qëllim që të përmirësohen kushtet e jetës për të gjithë qytetarët e këtij vendi”, tha Karim Van Overmeire, shefi i delegacionit të kongresit të autoriteteve lokale dhe rajonale të Këshillit Evropian. Ambasadorja Audrey Glover, shefe e misionit për vëzhgim të zgjedhjeve të OSBE/ODIHR, raporton KOHA, u shpreh se votimi i hershëm dhe dita e zgjedhjeve kaluan në mënyrë të rregullt në pjesën më të madhe të vendit dhe personat e angazhuar për organizimin e procesit të votimit – në përgjithësi në mënyrë efikase e lehtësuan votimin dhe iu përmbajtën procedurave të parapara me ligj. “Edhe pse procesi akoma nuk ka përfunduar, në raundin e parë të zgjedhjeve u pa përparimi demokratik i këtij vendi dhe e rriti besimin e votuesve në procesin zgjedhorë. Shpresojmë se kjo do të vazhdojë edhe në rrethin e dytë. Megjithatë, janë vërejtur disa parregullsi që u përsëritën, si votimi familjar dhe komprometimi i fshehtësisë së votës”, tha ambasadorja Glover. Në pyetjen e gazetarëve se si e komentojnë deklaratën e VMRO-DPMNE-së se zgjedhjet 15 tetorit janë zhvilluar me shumë parregullsi, vëzhguesit ndërkombëtar kërkuan që kjo parti të dorëzojë fakte konkret se në cilët vendvotime ka pasur parregullsi, ndërsa shtuan se është normale që në proceset zgjedhore – edhe në vendet e zhvilluar me demokraci të lartë, të ketë parregullsi të vogla, “sepse votojnë njerëz dhe njerëzit dhe mund të gabojnë”. (koha.mk)